Gjatë 14 vjetëve të fundit, institucionet në Kosovë kanë arritur të asgjësojnë vetëm një sasi simbolike prej afro 4 tonësh barna të skaduara nëpër burgje. Mbi 150 tonë barna dhe materiale medicinale pa afat mbesin të grumbulluara në depot e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të SHSKUK-së. Teksa kontraktimi i asgjësimit i atyre që janë në depon e Ministrisë së Shëndetësisë ndodhet në fazën fillestare, për sasinë e grumbulluar në SHSKUK, institucionet nuk kanë ofruar sqarime
Institucionet në Kosovë kanë arritur që në 14 vjetët e fundit të asgjësojnë barna me afat të skaduar vetëm në burgje, por jo edhe sasinë shumëfish më të madhe të atyre që është grumbulluar në depo të Ministrisë së Shëndetësisë dhe në Barnatoren Qendrore të Qendrës Klinike Universitare (QKUK) dhe të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar (SHSKUK).
3.8 tonë është sasia e barnave të skaduara e që është asgjësuar nëpër burgje që prej 2023-tës. KOHA ka raportuar një javë më parë se në Depon Qendrore të Ministrisë së Shëndetësisë janë grumbulluar 150 tonë ilaçeve dhe materialeve medicinale pa afat përdorimi.
Në SHSKUK-u nuk kanë treguar për sasinë e barnave pa afat që aktualisht e kanë në stok. Bazuar në deklarimet e mëhershme, sasia e tyre llogaritet të jetë katërfish më e madhe se sa ajo në burgje.
E për asgjësimin e 4 ton barnave për tre vjet, Ministria e Shëndetësisë e pati kontraktuar një kompani në qershor të 2023-s, në vlerë prej 10 mijë e 800 eurosh. Çmimi për njësi, bazuar në kontratë, është 2.70 euro.
Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se që nga gushti i 2023-s, në burgje janë asgjësuar të gjitha produktet medicinale të grumbulluara, nëpërmjet katër proceseve të asgjësimit.
“Në muajin gusht 2023 janë asgjësuar 2,755.70 kg sasi e grumbulluar që nga viti 2012 në shumë prej 7,440.39 €; Në muajin nëntor 2023 janë asgjësuar 199.60 kg, në shumën prej 538.92 €, të identifikuara në ndërkohë; Në muajin tetor 2024 janë asgjësuar 456.20 kg, në shumën prej 1231.74 €; Në muajin korrik 2025 janë asgjësuar 388.50 kg, në shumën prej 1,048.95 € (kjo është urdhër blerja e fundit e bërë me datë 08.07.2025). Në total deri më tani janë asgjësuar 3800.00 kg në shumën prej 10,265.26 €. Për momentin në kuadër të NJSHB-ve, si rezultat i kontratës aktuale, nuk ka sasi të barërave të skaduara”, kanë thënë në Ministri.
Në këtë institucion kanë treguar se cilat lloje barnash dhe materialit medicinal janë asgjësuar gjatë periudhës dyvjeçare.
“Produktet medicinale të cilat asgjësohen janë: Produktet medicinale të dëmtuara për çfarëdo arsye e që përdorimi i tyre nuk është i sigurt. Produktet medicinale të skaduara, të cilat janë të domosdoshme që të jenë prezentë, si ato antishok terapia dhe produkte të tjera që sigurojnë shpëtimin e jetës, e që mund të mos përdoren kurrë. Produktet medicianle që ka skaduar afati i përdorimit të tyre. Produktet e përdoruar, siç janë: gjilpërat, shiringat, qeset e produkteve të përdoruar si infuzione, sisteme të infuzioneve, material i përpunimit të plagëve që përmbajnë qelb, gjak, etj”, kanë thënë në Ministrinë e Shëndetësisë.
Një javë më parë, KOHA ka raportuar se rreth gjysmë milioni euro është kostoja që Ministria e Shëndetësisë e ka paraparë për të asgjësuar sasinë prej 150 tonë barnash të grumbulluar prej më shumë se një dekade. Ky aktivitet i prokurimit, në vlerë të 495 mijë e 500 eurosh, ndodhet në fazën fillestare. Bazuar në dosjen e tenderit, asgjësimi i një kilogram barnave do t’i kushtojë Ministrisë 3.31 euro.
KOHA vite më parë ka raportuar për gjendjen kritike në Depon e Barnave, e cila mbikëqyret nga Ministria e Shëndetësisë dhe ndodhet brenda Pallatit të Rilindjes.
Në këtë objekt, në të cilin ruhen barnat për sistemin parësor shëndetësor, ka mungesë të ndriçimit, të ajrosjes si dhe të ndarjes adekuate mes barnave me afat dhe atyre të skaduara.
Kimisti Kushtrim Ismajli thotë se mbajtja e barnave me afat të skaduar në të njëjtin ambient me ato që kanë afat përdorimi mbart rrezik për kontaminim.
“Nga aspekti kimik, mbajtja e barnave me afat të skaduar në të njëjtin ambient me barnat e përdorshme nuk është e rekomandueshme, pasi ekziston rreziku për kontaminim të kryqëzuar, sidomos nëse barnat janë në gjendje agregate të lëngët ose përçojnë lagështi, avuj apo grimca të paqëndrueshme. Gjithashtu, disa produkte të skaduara mund të shpërbëhen në substanca të dëmshme me kalimin e kohës dhe në kontakt me faktorë të jashtëm (si temperatura, drita, lagështia)”, ka thënë ai.
Ismajli ka numëruar edhe kushtet që duhen ekzistuar për ruajtjen korrekte të barnave.
“Ndarje të qartë fizike dhe të shënuar midis barnave të vlefshme dhe atyre të skaduara. Ambient të kontrolluar (temperaturë, lagështi, ndriçim). Asnjëherë mosmbajtje të barnave të skaduara përtej afatit të kërkuar për asgjësim”, ka theksuar ai.
Më 24 qershor kanë filluar punimet për rinovimin e objektit të Depos së Barnave dhe për ndërtimin e një aneksi në Fushë-Kosovë, ku do të vendoset depoja e re. Vlera e projektit është 1 milionë e 770 mijë euro, ndërsa punimet nga kompania “Termomontimi” parashihet që të përfundojnë deri në fundvit.
Në tetor të 2024-s, drejtoresha e Barnatores së QKUK-së, Dardane Mehaj, pati thënë se aty janë shumë lloje të barnave dhe të materialit medicinal me afat të skaduar, e që janë grumbulluar prej 15 vjetësh.
Në SHSKUK, prej një jave nuk kanë ofruar përgjigje në pyetjet e KOHËS lidhur me sasinë dhe me vlerën e barnave me afat të skaduar, si dhe se sa prej tyre janë pranuar si donacione nga kompani farmaceutike e organizata ndërkombëtare.
Pos për këtë, në SHSKUK e edhe në Ministrinë e Shëndetësisë nuk janë përgjigjur as në pyetjet për praktikën, për të cilën ka raportuar më herët KOHA, të pranimit donacion të barnave me afat të shkurtër përdorimi.
Derisa në depot e institucioneve shëndetësore gjenden me tonelata barna me afat të skaduar, pacientët në QKUK dhe në spitale të përgjithshme përballen me mungesë të antibiotikëve, albuminave dhe të disa produkteve tjera nga materiali shpenzues.
KOHA ka mësuar se barna me afat të skaduar ka të grumbulluara edhe në spitale të përgjithshme. Më 2011, kur është bërë asgjësimi i fundit, janë shkatërruar 200 tonë barna me afat të skaduar.