Arbëri

Asamblistë të VV-së në Kaçanik përplasen në lidhje me fjalimin për Pavarësi

Që nga humbja e zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje në Komunën e Kaçanikut, jo rrallë ka pasur edhe përplasje mes anëtarëve të saj. Kjo së fundi është bërë më e dukshme, pasi dy asamblistë të VV-së në Kaçanik, janë përplasur në lidhje me fjalimin e lexuar në Kuvend për Ditën e Pavarësisë.

Fjalimi është lexuar nga asamblisti Adnan Reka, e menjëherë pas kësaj, është

distancuar asamblisti tjetër nga ky subjekt, Raif Kasa, me arsyetimin se fjalimi i VV-së dhe i Adnan Rekës ishte plagjiaturë nga një portal islamik.

KOHA ka kontaktuar me dy kuvendarët e LVV-së të cilët kanë kritikuar njëri- tjetrin për përçarje të partisë dhe plagjiaturë të shkresave.

Kasa është distancuar nga fjalimet e bëra për 17 Shkurt, të cilat i ka lexuar Reka, derisa shqetësimet i ka shprehur edhe nëpërmjet një komunikate në rrjetin social.

“Distancohem nga fjalimi i lexuar në emër të Grupit Parlamentar të LVV-së (dhe në emrin tim), në seancën solemne të Kuvendit Komunal të Kaçanikut, për nder të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Jam i detyruar ta bëj publike këtë akt distancimi, pasi është konstatuar se teksti i përpiluar dhe i lexuar nga asamblisti i LVV-së, Adnan Reka, përmban fragmente e fjali plagjiaturë (të vjedhura) në një artikulli të portalit ‘Zëri Islam’, i publikuar më 18 gusht 2009”, thuhet mes tjerash në shkresën e Kasës.

Ndërkohë ai për KOHEN ka thënë se lexuesi i kësaj shkrese nuk ka kërkuar falje për plagjiaturë megjithëse ajo është vërtetuar.

“Adnani në emër të Lëvizjes e ka lexuar fjalimin në Kuvend dhe ndërkohë e kemi kuptuar se ai tekst është plagjiaturë. Kanë reaguar qytetarët dhe unë si kuvendar kam dashur ta largoj barrën nga vetja, pasi që nuk kam marrë pjesë në atë plagjiaturë”, ka thënë Kasa.

Ndërkohë asamblisti Reka, ka thënë se vetëm një paragraf është kopjuar nga faqja në internet, i cili përshtatej me qëndrimin e tij, ndërkaq akuzoi Rekën për përçarje brenda subjektit.

“Nëse bëhet krahasimi i atij teksti vërehet se vetëm një paragraf është marrë nga interneti, i cili përputhet me mendimet e mia dhe për këtë arsyeje mua më është dukur e arsyeshme. Kuvendari Kasa ka probleme të brendshme dhe ka dashur të hap një debat dhe një përplasje të brendshme. Kjo nuk është hera e parë që ai tenton të bëjë gjëra të tilla, por unë nuk kam reaguar, sepse brenda subjektit s’kam pasur dëshirë të kemi probleme të tilla”, ka thënë Reka.

Sipas tij, Kasa ka qenë prezent në mbledhje për shënimin e 17 Shkurtit, por nuk ka reaguar e as nuk ka pasur guximin të dalë.

“Nëse kuvendari Kasa është aq i dijshëm pse nuk e ka marrë për ta përgatitur vetë atë fjalim, por ne të gjithë e dimë se nuk ka pasur kapacitet ta bëjë atë. Sidoqoftë, mua nuk më intereson të merrem me atë dhe nuk më intereson se cilit grupacion i takon, sepse veprimet e tilla krijojnë përplasje të brendshme ndërmjet individëve të caktuar”, ka thënë Reka.