Mësimdhënësit kalojnë pa pasoja madhore kur ushtrojnë dhunë ndaj nxënësve. Në Komunën e Dragashit, një arsimtar nuk është ballafaquar me procedurë disiplinore edhe pse gjykata e ka dënuar atë me dënim të formës së prerë për keqtrajtim ndaj nxënësve. As përsëritësit e dhunës nuk janë përjashtuar nga puna. Njohës të çështjeve të arsimit thonë se kjo praktikë duhet të ndryshojë
Dhuna e mësimdhënësve ndaj nxënësve konsiderohet shkelje e rëndë me legjislacion e edhe veprim i dënueshëm me burg, mirëpo ajo shpesh kalon pa pasoja të mëdha prej autoriteteve komunale.
Në Komunën e Dragashit, një mësimdhënës është dënuar me një vit burgim me kusht meqë e ka goditur një nxënës me shuplaka në fytyrë e shkelm në këmbë, por F.T nuk është përballur fare me procedurë disiplinore.
Si arsye pse nuk e ka çuar arsimtarin para përgjegjësisë disiplinore, komuna ka përmendur faktin se F.T. e ka respektuar vendimin e gjykatës që e ka urdhëruar të mos e përsërisë veprën penale të keqtrajtimit gjatë detyrës zyrtare.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Është e vërtetë se Gjykata Themelore në Prizren – Dega në Dragash, fillimisht e ka dënuar të njëjtin me burgim, mirëpo këtë masë më pas e ka zëvendësuar me dënim me gjobë në shumën prej 1,000 euro. Pas ushtrimit të ankesës, Gjykata e Apelit ka ndryshuar Vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren – Dega në Dragash, dhe ka shqiptuar dënim me kusht, duke përcaktuar se ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari brenda periudhës së verifikimit prej një (1) viti nuk kryen vepër tjetër penale. I njëjti gjatë periudhës së verifikimit prej një (1) viti nuk ka përsëritur asnjë vepër penale, andaj është respektuar në tërësi Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Dragashit.
Në një rast tjetër, Komuna e Dragashit nuk e ka larguar nga puna mësimdhënësin i cili i ka rrahur me rrip nxënësit edhe pasi ka përsëritur shkeljet disiplinore.
Mësimdhënësi D.M. në vitin 2022 kur ka ndodhur ky rast ishte suspenduar për tre muaj.
Komisioni disiplinor komunal ka konstatuar se ai ka përsëritur shkeljen, duke bërë ngacmim fizik dhe duke ushtruar dhunë fizike ndaj një nxënësi, për çka ia ka shqiptuar 4 muaj suspendim pa pagesë e katër me pagesë.
Për rastin më të ri disiplinor, D.M para komisionit disiplinor ua ka hedhur fajin nxënësve dhe kujdestarit të klasës.
“(Mësimdhënësi v.j.) deklaron se në vazhdimësi në këtë klasë gjendja sa i përket disiplinës nuk ka qenë e mirë. Ditën kritike kur ka ndodhur kjo ngjarje e ka ndërprerë orën e mësimit dhe e ka njoftuar kujdestarin e kësaj klase Xh. I. dhe i ka tërhequr vërejtjen se ‘nuk po mundëm me mbajtë orën në këtë klasë’, thuhet në vendimin e Komisionit Disiplinor.
Xhavit Rexhaj, ish-zëvendësministër i Arsimit, thotë se qasja e këtillë e institucioneve duhet të ndryshojë dhe se mësimdhënësit recidivistë të dhunës ndaj nxënësve nuk duhet vetëm të suspendohen.
“Konsideroj se përsëritësit e dhunës duhet të largohen me automatizëm nga procesi mësimor. Por për këtë, po besoj, duhet të ketë një bazë ligjore. Për fat të keq, në Kosovë, edhe shkollat, edhe autoritetet arsimore e ato gjyqësore më shumë respektojnë mikun sesa ligjin. Kosova duhet të largohet nga ky mentalitet oriental. Fëmijët tanë nuk shkojnë në shkollë për t'u trajtuar nga dhunues recidivistë”, ka thënë ai.
Për arsimtarin D.M, në komunë kanë thënë se nuk ka marrë ende vendim të formës së prerë nga gjykata, derisa në Gjykatën Themelore në Prizren kanë konfirmuar se Prokuroria Themelore në Prizren ka lëndë aktive ndaj tij, lidhur me akuzën për keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare dhe për ngacmim seksual.
Në këtë komunë edhe një mësimdhënës tjetër është dënuar për keqtrajtim të nxënësve nga gjykata, me 3600 euro gjobë. Masa disiplinore që ia ka dhënë Komuna e Dragashit ishte pezullimi 30-ditor.
E pyetur lidhur me trajtimin e këtyre rasteve, Komuna e Dragashit në përgjigje ka thënë se është e përkushtuar për “garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së nxënësve” dhe se ka ndërmarrë aktivitete “të vazhdueshme për parandalimin e dhunës në shkolla, duke përfshirë komunikimin me drejtoritë e shkollave, monitorimin institucional dhe zbatimin e procedurave disiplinore sipas legjislacionit në fuqi”.