Arbëri

Universitetet e kolegjet s’ka kush t’i monitorojë

Agjencia e Kosovës për Akreditim ka obligim ligjor që t’i monitorojë bartësit publikë dhe privatë të arsimit të lartë në lidhje me mirëmbajtjen e kushteve në bazë të të cilave janë akredituar. Sipas një raporti të ORCA-s, kjo u ka lënë hapësirë kolegjeve që të mashtrojnë studentët. Në Agjenci janë arsyetuar se, në mungesë stafi, nuk mund ta zhvillojnë komponentin e monitorimit

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) nuk e ka zbatuar misionin e saj që ka të bëjë me monitorimin e universiteteve dhe kolegjeve, për mirëmbajtjen e kushteve me të cilat janë akredituar, ka konstatuar një raport i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), i publikuar të martën.

Raporti përmban gjetjet, pas monitorimit gjatë vitit 2021 të punës së Këshillit Shtetëror të Cilësisë, i cili funksionon si Bord i AKA-së. Mbështetur në këtë raport, mungesa e monitorimit u ka lënë hapësirë kolegjeve që të mashtrojnë studentët.

Liridona Ademaj, hulumtuese në ORCA, ka thënë se ky komponent i Agjencisë nuk ka qenë aktiv as gjatë vitit 2021 dhe mungesa e monitorimit të mirëfilltë nga AKA-ja ndaj institucioneve të cilave iu ka dhënë akreditim ka qenë evidente ndër vite.

“Është më se e rëndësishme që agjencia të bëjë përgatitjet e nevojshme dhe të fillojë sa më shpejt me monitorimin e këtyre institucioneve, në mënyrë që të bëjë parandalimin e lajthitjes së studentëve”, ka thënë ajo.

Në shkurt të vitit 2022 është aprovuar drafti fillestar i Metodologjisë së Monitorimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë, që ishte pjesë e projektit QAINT të financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).

Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Hasnije Ilazi, ka thënë se në mungesë të stafit, Agjencia nuk ka mundur ta bëjë këtë monitorim.

“Deri tash, realisht monitorimi nuk ka funksionuar. Ka ndodhë vetëm në momentin kur është dashtë të ndodhë riakreditimi dhe të shqyrtohen edhe një herë këto rekomandime”, ka thënë Ilazi.

Në këtë konferencë është kërkuar që të miratohet edhe në lexim të dytë Ligji për Agjencinë për Akreditim, në mënyrë që ky institucion të pavarësohet nga ndikimet e tërthorta.

Naim Gashi, kryetar i AKA-së, ka thënë se pret një vullnet politik për të shmangur ndërhyrjet në elementet esenciale të ligjit që ia mundëson pavarësinë Agjencisë.

Projektligji për AKA-në është miratuar në parim nga Kuvendi i Kosovës. Proceduralisht, pas dëgjimeve publike dhe shqyrtimit në disa komisione, të dërgohet në seancë plenare për votim final.

“Ne duhet të krijojmë një hapësirë për pavarësi institucionale për Agjencinë e Akreditimi, KSHC-së, respektivisht edhe Komisionin e Ankesave”, ka thënë Gashi.

Në raportin e ORCA-s është theksuar problemi me të cilin ishte përballur Këshilli Shtetëror i Cilësisë me dorëheqje të shumta të anëtarëve ndërkombëtarë. Në shkurt të vitit 2021, tre anëtarët ndërkombëtarë të KSHC-së kishin dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre pas kërkesës së Agjencisë Kundër Korrupsionit për zbatimin e Ligjit për deklarimin e pasurisë, i cili obligon që të gjithë zyrtarët publikë, përfshirë ndërkombëtarët, ta deklarojnë pasurinë e tyre. Edhe anëtarët e rinj ndërkombëtarë që ishin emëruar në qershor prezantuan dorëheqjet e tyre për të njëjtat arsye.

Për momentin në KSHC, është vetëm Klemen Miklavic, anëtar ndërkombëtarë.

Sipas kryetares së KSHC-së, Hasnije Ilazi, së shpejti pritet të emërohet edhe një ekspert i jashtëm.

“Një propozim vetëm se ka shkuar nga Ambasada e Kroacisë te Ministria e Arsimit përmes së cilës do të shkojë procedura e rekrutimit, sepse me një anëtar ndërkombëtar ndodh shpesh që të mos kemi mundësi të takohemi e t’i kryejmë obligime”, ka thënë kryetarja e KSHC-së.

E raportet e ekspertëve ndërkombëtarë për vlerësimin e universiteteve do të vazhdojnë të publikohen vetëm në gjuhën angleze.

“Ne kemi obligim me pasë gjithçka në gjuhën shqipe, se është gjuhë zyrtare, por për momentin është e pamundur të bëhen këto përkthime derisa të sigurohet një fond”, ka thënë Ilazi.

Hulumtues të ORCA-s kanë kërkuar angazhim nga AKA-ja në rianëtarësimin e Kosovës në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), nga e cila ishte përjashtuar pas ndërhyrjeve që Qeveria Haradinaj kishte bërë në Agjenci.

Në lidhje me këtë, Ilazi ka njoftuar se në fillim të qershorit pritet ta vizitojë Kosovën një delegacion i ENQA-së, për të vlerësuar progresin e këtij institucioni.

Në raportin mbi punën e KSHC-së theksohet se gjatë vitit 2021, 2 universitete publike dhe 5 kolegje private janë riakredituar, ndërkohë që 4 kolegje private kanë dështuar në procesin e riakreditimit institucional. Janë gjithsej 8 kolegje që nuk kanë akreditim institucional pasi që nuk kanë arritur t’i plotësojnë standardet e nevojshme dhe rrjedhimisht nuk mund të regjistrojnë studentë.

Në universitete publike kanë akreditim gjithsej 123 programe të nivelit bachelor, 92 programe të nivelit master, 7 programe të doktoratës dhe 2 programe për doktor shkence. Ndërsa në kolegje private janë gjithsej 116 programe bachelor dhe 58 programe master.