Mit’hat Lozhani, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është arrestuar të enjten gjatë kalimit transit në Serbi, ka njoftuar avokati i tij, Arianit Koci.
Në një shkrim në Facebook, Koci ka njoftuar se Lozhani u arrestua rreth orës 11:00. Ai ka bërë thirrje që shteti ta trajtojë me seriozitet çështjen e arrestimeve të shtetasve të Kosovës në Serbi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ky nuk është rast i izoluar. Arrestimet e shtetasve të Kosovës gjatë transitit nëpër Serbi po përsëriten dhe kjo po krijon pasiguri reale për këdo që udhëton përmes atij territori. Këto arrestime duhet të ndalen. Shteti i Kosovës ka obligim ta trajtojë këtë si çështje serioze të sigurisë së qytetarëve, duke kërkuar edhe ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare. Deri atëherë, diplomacia jonë duhet të reagojë fuqishëm, pa përjashtuar masa konkrete politike, përfshirë edhe mbylljen 24-orëshe të kufirit, nëse arrestimet vazhdojnë”, ka shkruar Koci.
Ai ka shtuar se mbrojtja e qytetarëve është përgjegjësi e shtetit edhe jashtë kufijve të tij.
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Syla, ka bërë të ditur se Lozhani është ish-pjesëtar i UÇK-së. Syla ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se Lozhani u arrestua në kufirin Serbi-Kroaci dhe se gjatë kontrollit i ishte gjetur në xhep kartela e anëtarësisë së veteranit të UÇK-së.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se i arrestuari është nga Peja e se dyshohet për krime kundër popullatës civile. Ai është ndaluar për 48 orë. Daçiq ka thënë se Lozhani dyshohet se “ka marrë pjesë në sulmet ndaj pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe të Ushtrisë së Jugosllavisë më 1998-1999 në zonën e Dukagjinit”.
“Si pjesëtar i këtij grupi, të komanduar nga Ramush Haradinaj, ai mori pjesë në kidnapimin dhe masakrimin e zyrtarëve policorë”, ka thënë Daçiqi.


Nga qershori 2025 deri në dhjetor 2025, Serbia ka arrestuar 8 qytetarë shqiptarë të Kosovës.
Cak i arrestimeve kanë qenë kryesisht tri kategori: ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare, pjesëtarët e organeve të sigurisë së Kosovës si policë e ushtarë të FSK-së, si dhe qytetarë serbë të cilët Beogradi i konsideron bashkëpunëtorë të institucioneve të Kosovës.