Ndihmësdrejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, është arrestuar të premten nga Policia në pikën kufitare në Bërnjak pasi gjatë ditës kishte mbajtur fjalim kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hoçë të Madhe të Rahovecit.
Popoviq e kishte cilësuar UÇK-në si organizatë terroriste dhe krahasoi veprimet e saj me ato çka po ndodhin në Gazë, gjatë fjalimit të mbajtur në ceremoninë për përkujtimin e viktimave serbe në komunën e Rahovecit.
Gjithashtu, në këtë deklaratë ai ka akuzuar institucionet ndërkombëtare për “dështim në drejtësi”, duke pretenduar se “autorët e krimeve ndaj serbëve nuk janë ndëshkuar asnjëherë”.
Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka thënë se ndaj Popoviqit do të merren masa sipas ligjeve në fuqi.
Për arrestimin e Popoviqin kanë reaguar organizatat e dala nga lufta – OVL, Shoqata e Invalidëve të Luftës (SHIL) dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve (SHFD) – duke thënë se ky është mentaliteti i vartësve të kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviq, “që sot përfaqësohen nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ish-ministër i atij regjimi gjenocidal”.
“Kategoritë e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së, reagojnë ashpër ndaj pranisë në Kosovë të ndihmësit të Petar Petkoviqit, i njohur për gjuhë fyese dhe urrejtje ndaj UÇK-së dhe luftës sonë çlirimtare. Çdo tentativë për të provokuar, për të njollosur UÇK-në dhe për të përdorur territorin e Kosovës për propagandë antikombëtare është e papranueshme dhe duhet ndalur me vendosmëri. Ne, kategoritë e dala nga lufta, nuk do të heshtim ndaj fyerjeve që synojnë të fyejnë sakrificën për liri dhe gjakun e dëshmorëve dhe martirëve tanë”, thuhet në reagimin e tyre.
Sveçla pas arrestimit të Popoviqit: Nuk lejojmë fyerje dhe përdhosje të historisë sonë
Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka thënë se nuk do të lejojnë fyerje dhe përdhosje të historisë së Kosovës e aq më pak të Ushtrisë Çlirimtare (UÇK), pas arrestimit të ndihmësdrejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, të premten në pikën kufitare në Bërnjak.
Popoviq u arrestua pasi gjatë ditës në një ceremoni në Hoçë të Madhe e cilësoi UÇK-në si “organizatë terroriste”.
E në një shkrim në Facebook, Sveçla ka thënë se Popoviqi është dërguar në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut dhe ndaj tij pritet të merren masa sipas ligjeve në fuqi.
“Dua të theksoj se Republika e Kosovës është shtet demokratik dhe sovran. Ne as nuk kemi cenuar një shtet tjetër, as nuk kemi provokuar popullatën e një shteti tjetër dhe as nuk do të lejojmë veprime të tilla ndaj nesh. Nuk do te tolerojmë fyerje dhe përdhosje të historisë sonë, e aq më pak të Luftës sonë Çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja. Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare”, ka shkruar Sveçla.
Ministri në detyrë ka thënë se deklaratat e modelit millosheviqian janë të dënueshme sepse janë të pavërteta.
“Deklarimet e modelit millosheviqian, që administrata politike e Serbisë të drejtuar nga Vuçiq i mban ende gjallë dhe i shpërndan kudo, janë të dënueshme sepse janë përçarëse, të pavërteta sepse janë të trilluara, dhe të dëmshme sepse janë në kundërshtim me çdo normë ndërkombëtare të fqinjësisë dhe shoqërive përparimtare”, ka shkruar ai.