Ka nxitur reagimin e subjekteve opozitare në Lipjan – Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike – arrestimi i nëntë zyrtarëve komunalë, për të cilët Prokuroria Themelore njoftoi se dyshohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit dhe të mashtrimit.
Ata dyshohen se në cilësi të anëtarëve të komisionit teknik e bënë pranimin e punimeve në stadiumin e futbollit në Magurë, sikur ato të jenë kryer sipas kontratës.
Opozita pati kërkuar disa herë hetime, me justifikimin e keqpërdorimit të parasë publike në tender, ndërsa bënë thirrje edhe për hetime në disa projekte të tjera, si ai stadiumit në Dobrajë, projektit të tregut të gjelbër, të shkollës në fshatin Rufc dhe të shtegut të ecjes.
“Disa prej zyrtarëve të arrestuar dje, përveç që operojnë ngushtë me Imri Ahmetin, janë të njohur për jetesën luksoze që bëjnë, e pasurinë e majme që kanë krijuar. E kjo nuk do të mund të kishte epilog tjetër e as sqarim, përveçse kësaj që ndodhi dje”, tha Alban Salihu, shef i Grupit të Kuvendarëve të LVV-së në Lipjan.
“Ka vite që në Lipjan është sekret publik që kryetari i Komunës operon nëpërmjet personave të caktuar, zyrtarë të komunës, njerëz të besueshëm të tij, në dhënien e tenderëve, realizimin e projekteve me cilësi të ulët, mbylljen e projekteve të papërfunduara, dhënien e lejeve për ndërtim etj.”, tha Shahadije Bikliqi, kuvendare e LVV-së.
Reagime pati edhe nga grupi i kuvendarëve të PDK-së.
“Tash është mandati i tretë të cilin ia besojnë qytetarët me 50 për qind, kryetarit Ahmeti për ta udhëhequr, ndërkaq të ndodhë kjo ngjarje kaq e rëndë dhe të arrestohen 9 persona për keqpërdorim të detyrës zyrtare për mashtrim dhe për nënshkrim se kinse janë kryer punimet pa u përfunduar ato, atëherë kjo është shqetësuese. Ftojmë organet e drejtësisë që edhe në stadiumin e Dobrajës dhe në shkollën e Rufcit të fillojnë me hetime”, Arsim Jashari, shef i Grupit të Kuvendarëve të PDK-së.
Në Komunën e Lipjanit bënë të ditur se në stadiumin e Magurës ka pasur shembje të dheut, përderisa kompanitë e kontraktuara nuk i kryen punimet dhe nuk janë paguar për këtë tender.
“Për aq sa ne jemi në dijeni, dheu i shembur si pasojë e reshjeve të shiut në janar 2021 në stadiumin e Magurës ka dëmtuar rrethojat e qendrës së azilit në Magure. Pas kësaj shembjeje, komuna dy herë ka publikuar procedura për ta riparuar atë shembje dheu nga reshjet dhe në të dy rastet të dy operatorët e kontraktuar (njoftimet janë publike në websajt) nuk i kanë kryer punimet dhe nuk janë paguar për punët e pakryera. Ne e kuptojmë dhe e inkurajojmë punën e organeve të drejtësisë që të jetë e pavarur dhe korrekte, por assesi deklarimet paushallë e të paverifikuara. Duhet të vlejë prezumimi i pafajësisë deri në vërtetimin e fajësisë e jo me komente me erë tërësisht politike, pa asnjë lloj verifikimi të së vërtetës”, thuhet nga Komuna e Lipjanit.
Krahas hetimeve, përfaqësues të LVV-së në Lipjan e kërkuan dorëheqjen e kryetarit të Komunës, Imri Ahmeti, lidhur me dëmtimin e buxhetit.