Arbëri

Arkitektët kundër tenderimeve për projektim: Praktikë e rrezikshme dhe e padrejtë

Oda e Arkitektëve të Kosovës

Oda e Arkitektëve të Kosovës (OARK) ka shprehur keqardhje lidhur me faktin që disa institucione qendrore dhe lokale ende vazhdojnë praktikën e zhvillimit të tenderëve për projektim, një qasje që, sipas Odës, cenon konkurrencën e hapur dhe rrit rrezikun e keqpërdorimeve.

Kryetari i OARK-ut, Uran Kyçyku, në një shkrim në Facebook ka thënë se kjo mënyrë e përzgjedhjes së projekteve i lë jashtë shumë arkitektë të vendit, duke pamundësuar garën profesionale mbi bazë të ideve, kreativitetit dhe cilësisë.

Sipas tij, tenderimi për projektim jo vetëm që ul standardet profesionale, por edhe zvogëlon hapësirën e praktikimit të drejtë dhe të barabartë.

Kyçyku thekson se kjo praktikë është e pashembullt në rajon dhe Evropë, duke kërkuar që të ndërpritet menjëherë dhe të zëvendësohet me konkurse të hapura të projektimit, me OARK-un si partner institucional në proces.

Sipas OARK-ut, vetëm përmes konkurseve të hapura mund të sigurohen transparenca, vlerësimi i drejtë, mundësia e barabarta për të gjithë arkitektët dhe cilësia më e lartë e projekteve dhe shërbimeve profesionale.