Avokati Qëndrim Arifi ka deklaruar se me rinisjen e punës së ndërmarrjes “Prishtina Parking” ndonëse 9 dispozita të rregullores për parkingje janë shpallur të jashtëligjshme, Komuna e Prishtinës po i shpall luftë vendimit të Gjykatës Supreme.
Të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, Arifi ka thënë se ky nuk është asgjë tjetër përveçse moszbatim i aktgjykimit të formës së prerë.
“Unë vlerësoj në aspekt juridik që kjo çështje nuk duhet të mbetet me kaq. Unë e shoh në njëfarë forme shpallje direkte e luftës kundrejt një aktgjykimi të instancës më të lartë juridike brenda Republikës së Kosovës, pra moszbatimi i aktgjykimit të formës së prerë. Komuna e Prishtinës në vend se ta zbatojë, të njëjtit në njëfarë forme i shpall luftë dhe përsëri e jetëson në një formë tjetër”, ka thënë ai.

Arifi ka shtuar se ka mungesë të transparencës për qytetarët.
“Këtu kemi një jotransparencë të hapur për qytetarët e Prishtinës, këto që po i diskutojmë ne sot, edhe ne edhe qytetarët i kanë dëgjuar nëpër deklarata të përfaqësuesve nëpër media, tek sot në një medium unë kam dëgjuar nga drejtori i Komunës, z.Brestovci, ku thotë që Inspektorati komunal do të merret me këtë çështje, pa treguar bazën ligjore, pa treguar se nga e merr këtë kompetencë Inspektorati dhe pse nuk është adresuar rregullorja komunale”, është shprehur avokati.
Ai ka shtuar se shqiptimi i gjobave brenda hapësirës së “Prishtina Parkingut” përbën vepër penale.
“Nuk ka tjetër emër pos vjedhje e qytetarëve, vjedhje e taksave të tyre në vendime arbitare të inspeksionit që me fare paturpësi thuhej që gjobat do të variojnë nga 30 deri në 100 euro, varësisht nga rasti. Është komplet jotransparencë, joligjore dhe në kundërshtim me autorizimet që i kanë këta zyrtarë. Ata duhet të tregojnë se nga i marrin këto autorizime”, ka deklaruar ai.