Arbëri

Aprovohen mbi 71 mijë aplikime për votim nga diaspora

Votat me postë

Është përmbyllur periudha e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin më 28 dhjetor. Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), gjatë periudhës 26 nëntor – 6 dhjetor janë pranuar mbi 84,700 aplikime për regjistrim, prej të cilave rreth 71,900 janë aprovuar.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Vlamir Elezi, i cili shtoi se rreth 6,700 aplikime janë refuzuar, ndërsa 5,900 të tjera janë ende në vlerësim.

Nga aplikuesit e aprovuar, shumica kanë zgjedhur të votojnë përmes postës: mbi 51 mijë votues do t’i dërgojnë paketat me fletëvotim në kutitë postare jashtë Kosovës, ndërsa rreth 2,500 të tjerë do t’i dorëzojnë në kutinë postare të KQZ-së brenda vendit. Ndërkohë, rreth 18 mijë shtetas kanë zgjedhur të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

Elezi vuri në dukje se procesi i regjistrimit ka shkuar pa probleme dhe theksoi rëndësinë e informimit të votuesve.

“Të gjithë votuesit jashtë Kosovës duhet të jenë të informuar për mënyrën e votimit dhe datat përkatëse të dorëzimit të fletëvotimeve, në mënyrë që të sigurohet pjesëmarrja e tyre në zgjedhjet e 28 dhjetorit”, ka thënë ai.