Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Themelores në Prishtinë për Ekrem Bajroviqin, duke e refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të tij.
Gjykata Themelore Bajroviqin e pati shpallur fajtor për krime lufte kundër popullatës civile, duke i shqiptuar dënim me burgim prej 12 vjetësh.
“Gjykata e Apelit, pas analizimit të aktgjykimit të ankimuar, së bashku me shkresat e lëndës, ka vlerësuar pretendimet ankimore dhe ka ardhur në përfundim se aktgjykimi i ankimuar nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 të KPPRK, për të cilat shkelje përkujdeset edhe sipas detyrës zyrtare, për faktin se dispozitivi është i qartë dhe i kuptueshëm ndërsa në arsyetim janë dhënë arsyet e plota dhe të qarta për faktet vendimtare, andaj aktgjykimi i ankimuar nuk përmban asnjë shkelje tjetër të cilat do ta kushtëzonin anulimin e detyrueshëm të tij e as që është shkelur ligji penal në dëm të akuzuarit siç pretendon mbrojtja në ankesë”, thuhet në vendim.
Bajroviqi është shpallur fajtor për krime lufte në Saradran të Istogut. Sipas aktakuzës, Bajroviqi bashkë me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe i kanë nxjerrë burrat civilë shqiptarë nga kolona dhe në shtëpinë e Demë Zeqirit i kanë keqtrajtuar dhe më pas i kanë vrarë 15 prej tyre. Ndaj vendimit janë ankuar dëshmitarët, sipas të cilëve dënimi është i ulët në raport me shkallën e krimit