Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Apeli: S’janë përmbushur kushtet për gjykim në mungesë të Çedomir Aksiqit

Gjykata e Apelit

Gjykata e Apelit e ka bërë publike para dy ditësh aktvendimin, me të cilin e ktheu në rigjykim rastin e Çedomir Aksiqit, i dënuar për pjesëmarrje në Masakrën e Reçakut. Apeli vlerësoi se nuk pati prova se shkalla e parë e publikoi ftesën për seancë dhe aktakuzën, mirëpo ajo ishte dhe është ende në Gazetën Zyrtare

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka bërë publike ftesën për seancë, aktakuzën e edhe Policia e ka bërë publike në faqen e saj se po e kërkon të akuzuarin në mungesë për krime lufte, Çedomir Aksiq, por Gjykata e Apelit ka ardhur në përfundimin se nuk ka dëshmi për këtë.

Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës është portali i shtetit ku publikohet legjislacioni, por edhe ftesat për seanca dhe aktakuzat për krime lufte në mungesë të të akuzuarve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në të ishte edhe ajo për Aksiqin, por trupi gjykues i kryesuar nga Mentor Bajraktari erdhi në përfundim se “nuk janë ndërmarrë përpjekje të arsyeshme për njoftimin e të akuzuarit për shqyrtimin gjyqësor dhe për sigurimin e pranisë së tij”. Për këtë Gjykata e Apelit tha se edhe e ktheu rastin në rigjykim.
Në një përgjigje për KOHËN, nga Apeli thuhet se gjykata nuk gjeti prova në shkresat e lëndës. 

“Ky konstatim është bërë për faktin se në shkresat e lëndës nuk ka ekzistuar asnjë provë apo dokument që do të mbështeste faktin se ftesa për seancë dhe aktakuza janë publikuar në uebfaqen e gjykatës, në uebfaqen e Prokurorit të Shtetit dhe në Gazetën Zyrtare më datën 20.9.2023. Në shkresat e lëndës është gjetur vetëm ftesa e përpiluar nga gjykata e shkallës së parë, ndërsa nuk ka pasur ndonjë provë tjetër që do të dëshmonte publikimin e saj në platformat e lartpërmendura… Gjykata e Apelit vendos dhe vlerëson vetëm mbi bazën e provave dhe dokumenteve që gjenden në shkresat e lëndës. Në rastin konkret, në shkresat e lëndës nuk ka ekzistuar ndonjë provë apo dokument që do të dëshmonte publikimin e ftesës për seancë dhe të aktakuzës në Gazetën Zyrtare, si dhe në uebfaqet përkatëse. Për rrjedhojë, kolegji ka bërë vlerësimin mbi bazën e materialit që ka qenë pjesë e shkresave të lëndës në momentin e vendosjes duke theksuar se secili veprim i ndërmarrë nga gjykata duhet të jetë pjesë e shkresave të lëndës”, thuhet në përgjigjen e Apelit. 

Në aktvendimin e Apelit për Aksiqin, që akuzohet për pjesëmarrje në Masakrën e Reçakut, përmendet edhe fjalia “të kërkohet shpallje publike përmes policisë”.

Sipas Apelit, shteti e ka të mundur të bëjë fushatë që personi në kërkim t’u dorëzohet organeve dhe kjo duhet të dallojë nga kërkimi i zakonshëm i të dyshuarve.

“Në këtë kuadër, kolegji ka përmendur edhe mundësinë e shpalljes publike përmes policisë në kuptim të nenit 538 paragrafi 5 të KPP-së, jo si masë për kërkimin e personit apo për zbatimin e një letër rreshtimi, por si veprim në kuadër të fushatës informative për ta bërë publikisht me dije se ndaj të akuzuarit zhvillohet procedurë penale dhe se gjykimi mund të zhvillohet në mungesë të tij”, thuhet në përgjigje. 

Aksiq ishte dënuar nga Themelorja në Prishtinë me 15 vjet burgim për pjesëmarrje në Masakrën e Reçakut, ku u vranë 45 civilë shqiptarë më 1999. 

Në aktakuzë thuhet se Aksiqi duke bashkëvepruar me një grup të organizuar të forcave serbe të veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake, ka shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integritetit trupor ose të shëndetit, frikësim ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, urdhërim për zhvendosen e popullatës civile ose ndaj individëve të veçante civilë që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në konflikt. 

Aksiq ndër të tjera, merr pjesë në vrasje të civilëve dhe dëbimin e banorëve të fshatrave të Shtimes e edhe djegien e shtëpive të tyre. 

“Derisa i ndjeri Halil Hysenaj kishte qenë së bashku me familjen e tij dhe me pjesëtarë të tjerë të popullatës shqiptare të fshatit Petrovë të Shtimes, duke qëndruar në mal për t’u mbrojtur nga sulmet që kishin filluar nga forcat serbe, në momentin kur forcat serbe kishin filluar të shkonin në drejtim të vendqëndrimit të të dëmtuarve në mal, tani i ndjeri, me qëllim që të sigurohet se a janë pjesëtarë të UÇK-së apo të forcave serbe, ishte nisur në drejtim te tyre, por ishte ndaluar nga vetë i akuzuari Çedomir Aksiq, i cili kishte qenë i veshur me uniformë lara-lara, e që tani të ndjerin Halil Hysenaj e kishte mbështetur për një ‘stami’ dhe ia kishte drejtuar armën, pushkën 10-she, ndërsa më vonë, Halil Hysenaj është gjetur nga fshatarët pa shenja jete”, thuhet në aktakuzë.

Në fshatin Reçak, sipas aktakuzës, Aksiqi ka marrë pjesë edhe në vrasjen e Hajriz Brahimit, Hakin Muratit, Sabri Muratit, Arif Muratit, Ahmet Mustafes, Sadik Mujotës, Skënder Halitit dhe Hanumshahe Mujotës.

Me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale në fillim të 2023-tës u mundësuan gjykimet në mungesë për krime lufte.