Arbëri

Apeli kthen në rigjykim rastin e Alidemajt

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e Muhamet Alidemajt, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile. Apeli ka konstatuar se aktgjykimit të shkallës së parë i mungojnë arsyet për faktet vendimtare, të cilat nuk janë vlerësuar në mënyrë të plotë

Dështimi i Gjykatës së shkallës së parë për të identifikuar me saktësi veprimet konkrete të të akuzuarit për masakrën e Izbicës, Muhamet Alidemaj, ka bërë që Gjykata e Apelit ta kthejë në rigjykim rastin.

Sipas Apelit, në aktgjykimin e shpallur vitin e kaluar, Themelorja, Alidemajn e ka dënuar me 15 vjet burgim, por, sipas kësaj gjykate, në të mungojnë arsyet për faktet vendimtare, të cilat nuk janë vlerësuar në mënyrë të plotë.

“Kolegji gjen se Gjykata e shkallës së parë nuk ka paraqitur arsye të qarta dhe të mjaftueshme në lidhje me gjendjen faktike të vërtetuar. Nuk mjafton që në arsyetimin e aktgjykimit të listohen thjesht provat e administruara në shqyrtim gjyqësor; Gjykata duhet të sqarojë se çfarë është vërtetuar me secilën provë dhe si ka ardhur në përfundimin për shpalljen fajtor të të akuzuarit”, thuhet në vendimin e Apelit.

Gjykata e shkallës së dytë ka theksuar se provat janë të renditura pa analizë dhe pa arsyetim që të tregojë në mënyrë konkrete përgjegjësinë e të akuzuarit. Sipas saj, mungesa e arsyetimit e bën aktgjykimin të paqëndrueshëm.

“Megjithatë, Gjykata e shkallës së parë nuk ka arsyetuar në mënyrë të qartë rolin dhe kontributin konkret të të akuzuarit Muhamet Alidemaj në këto veprime. Nuk ka konkretizuar kontributin e tij në keqtrajtimin ose plagosjen e civilëve të tjerë, plaçkitjen e sendeve me vlerë, sulmet brutale apo vrasjet e tjera të përmendura në dispozitiv. Për më tepër, për shkak se aktgjykimi nuk ka dhënë arsye mbi identitetin dhe rrethanat e viktimave të plaçkitjeve dhe të sulmeve brutale ndaj burrave, mbetet tejet hipotetike të përcaktohet se kush ishin këto viktima”, thuhet në vendimin e Apelit.

Gjithashtu thuhet se Gjykata e shkallës së parë, edhe pse i ka administruar dhe dëgjuar dëshmitarët, nuk ka dhënë asnjë vlerësim konkret lidhur me dëshmitë dhe argumentet që bazohen në to.

Apeli ka thënë se në rigjykim Gjykata e shkallës së parë duhet të caktojë sërish shqyrtim gjyqësor, të eliminojë të gjitha shkeljet e konstatuara në këtë vendim dhe, pas administrimit të plotë të provave, të marrë një vendim të drejtë, të ligjshëm dhe të arsyetuar mjaftueshëm për çdo pikë të aktgjykimit.

Gjithashtu, kolegji ka vlerësuar që i akuzuari Muhamet Alidemaj të mbetet në paraburgim deri në vendimin e ardhshëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Trupi gjykues i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në krye me gjyqtarin Vesel Ismaili më 12 korrik të vitit të kaluar, e shpalli aktgjykimin në rastin kundër Alidemajt, me të cilin të akuzuarin Alidemaj e shpalli fajtor për kryerjen e veprës penale “Krim i luftës kundër popullatës civile”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri më 28 maj të vitit 1999, në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave serbe, ka marrë pjesë në masakrën e Izbicës të Komunës së Skenderajt.