Banorët e fshatit Hallaq të komunës së Lipjanit prej 2013-s po përballen me kundërmim nga ujërat e zeza, të cilat kanë depërtuar mbi sipërfaqen e tokës.
Komuna asokohe pa i pyetur banorët i kishte futur gypat nëpër prona private, e banorët e kanë paditur Komunën.
Përveç aktgjykimit nga Gjykata Themelore, së fundi edhe Gjykata e Apelit ka nxjerrë aktgjykim dhe e ka obliguar Komunën që t’i zhvendosë gypat nga pronat private.
Banorët e fshatit thonë se tash e 7 vjet nuk kanë lënë derë institucionale pa trokitur për ta zgjidhur problemin.
”Qe 4 muaj ka pru vendim Gjykata e Apelit në Prishtinë që të hiqen këta gypa prej pronave private , por Komuna nuk po ndërmerr asgjë dhe sot jemi në këtë gjendje prej ujërave të kanalizimit, era kundërmon , nuk rrihet as në oborr, as nëpër shtëpi, jemi në gjendje të mjerueshme”, ka deklaruar Shaip Shabani, banor nga fshati Hallaq.
E Albison Shabani thotë se ka jetuar për dy vite me qira shkaku i këtij problemi.
“Tash po frikohemi se mos po infektohemi, sepse kom lexuar se njeriu mund të infektohet nga era”, tha Shabani.
“Jo vetëm ne që jetojmë këtu, mirëpo edhe në lëvizje njerëzit apo udhëtarët e hetojnë erën e rëndë të kanalizimit, është e pamundur një mbrëmje nëse qëndron dhe nuk heton erë”, ka shtuar Ismet Shabani, banor në Hallaq.
Drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Lipjanit, Rasim Hasani, nuk u është përgjigjur pyetjeve të Kohës rreth kësaj çështjeje.
Ndërkaq, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë pas vërtetimit të plotë të gjendjes faktike duke mos bërë shkelje esenciale të procedurës, ka zbatuar drejt, andaj e obligon Komunën e Lipjanit që t’i lirojë pronat private.