Arbëri

Anulohet zgjedhja e kryeshefit të KQZ-së

Foto: Ilustrim

Është anuluar zgjedhja e kryeshefit të Komisionit Qendror Zgjedhor, pas shkeljeve të shumta ligjore, për të cilat KOHA pati raportuar para më shumë se një muaji. Ndryshimi i kritereve të konkursit e rregullave në mes të procesit, si dhe poentimi i dyshimtë për kandidatët janë disa prej shkeljeve që e kanë shoqëruar procesin e rekrutimit për pozitën më të rëndësishme të ekzekutivit në institucionin që organizon zgjedhjet

Shkeljet e shumta ligjore e procedurale kanë çuar në anulimin e zgjedhjes së kryeshefit të Komisionit Qendror Zgjedhor nga ana e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë. Shkeljet i kishte mohuar KQZ-ja pas raportimit të KOHËS, më 29 shtator. Deri tek anulimi i vendimit ka ardhur pas ankesës së njërit prej kandidatëve në garë.

Në mes të procesit, anëtarët e KQZ-së i kishin ndryshuar rregullat e “lojës”, duke e rritur përbërjen e panelit intervistues. Po ashtu, e ka bërë menjëherë të ekzekutueshëm njoftimin për kandidatin e suksesshëm duke nxjerrë “Vendim për zbatimin e vendimit” pa respektuar afatin e ankesave, ani pse kandidati i listës së ngushtë kishte paralajmëruar ta ushtrojë këtë të drejtë (30/09). Por, vendimi i Valdete Dakës është anuluar nga Këshilli i Pavarur me datën 8 dhjetor, duke e obliguar atë ta kthejë ligjshmërinë në këtë rekrutim.

Shkelje janë konstatuar që nga shpallja e konkursit, ku KQZ-ja ka ndryshuar kriteret lidhur me përvojën e punës.

“Kolegji nga analizimi dhe shqyrtimi i provave ka konstatuar se KQZ-ja me rastin e shpalljes së konkursit për pozitën “Kryeshef Ekzekutiv” të Sekretarit të KQZ-së, ka vepruar në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2012 përkatësisht me Neni 4 pika c) të këtij Udhëzimi, i cili përcakton “përveç kushteve të përgjithshme Kryeshefi Ekzekutiv duhet t’i plotësojë këto kushte të veçanta....c) përvojë pune profesionale në administratë së paku pesë vjet, duke përfshirë edhe përvojë të konsiderueshme menaxheriale”, shkruhet në vendimin e Këshillit.

Edhe lista e ngushtë e kandidatëve është përgatitur në kundërshtim me kërkesat ligjore, “sepse vlerësimi është bërë si vlerësim i përgjithshëm e jo bazuar në vlerësimin e secilit kriter veç e veç, ashtu siç kërkohet me dispozita ligjore”.

Kandidati i përzgjedhur, Burim Ahmetaj, ka shkruar përvojë pune si menaxher i Depos në KQZ, e nga dhjetori 2008 si udhëheqës i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve. Por, sipas Këshillit, në dosjen e aplikimit ndodhet vetëm emërimi për pozitën “Udhëheqës i Njësisë së Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve. Dosje të pakompletuara kanë pasur edhe kandidatët e tjerë.

Në listën e ngushtë KQZ-ja ka përfshirë edhe një kandidat, megjithëse ndaj tij është duke u zhvilluar procedurë penale.

Vlerësimi jotransparent

Ky proces rekrutimi është mbikëqyrur edhe nga Ambasada Britanike që ka konstatuar shkelje të shumta, sipas një raporti që ka siguruar KOHA. Pjesa më e dobët e këtij procesi është vlerësuar poentimi i kandidatëve nga anëtarët e Komisionit, si jotransparent dhe sekret. Anëtarët e panelit kanë poentuar kandidatët, pa e shkruar emrin e tyre. Kjo ka bërë që vetëm një numër i kufizuar i tyre t’i nënshkruajnë dokumentet e vlerësimit.

“Pjesa më e dobët e këtij procesi të rekrutimit ka qenë vlerësimi i kandidatëve nga ana e anëtarëve të komisionit vlerësues. Vlerësimi ka qenë jotransparent dhe sekret. Vlerësimi është bërë nga secili anëtar i panelit, të cilët kanë plotësuar nga një formular për secilin kandidat të intervistuar, por nuk kanë qenë të obliguar të shkruajnë edhe emrin e tyre. Kjo ka bërë që vetëm një numër i kufizuar i anëtarëve të komisionit vlerësues t’i nënshkruajnë dokumentet e vlerësimit, ndërsa pjesa më e madhe nuk e kanë bërë një gjë të tillë”, shkruhet në raportin e britanikëve.

Rezultate joobjektive janë evidentuar për dy kandidatët më të poentuar. Dallimi në pikët e dhëna për të njëjtin kandidat nga anëtarë të ndryshëm të Panelit ka shkuar deri në 30 pikë. Kandidati Yll Buleshkaj nga 4 anëtarë të Panelit është vlerësuar me nga 100 pikë, kurse nga tre anëtarë të tjerë me nga 73 dhe 75 pikë. Dallime të tilla ka pasur edhe te kandidati Burim Ahmetaj. I njëjti nga tre anëtarë të Panelit është vlerësuar me nga 100 pikë, kurse nga një anëtar i Panelit me 71 pikë, një më shumë se vlerësimi minimal.

“Një mënyrë e tillë e poentimit dhe vlerësimit është në kundërshtim të plotë me praktikat e vendosura nga ekspertët britanikë nga kompania ‘BDO’, që janë duke iu ofruar asistencë institucioneve të Kosovës. Në konkurset që janë asistuar nga ekspertët britanikë, vlerësimi është transparent dhe bëhen publike pikët e dhëna për secilën përgjigje të secilit kandidat”, shkruan në raport.

Shkelja tjetër për të cilën pati raportuar KOHA, e është konstatuar edhe nga britanikët, ka qenë ndryshimi i rregullores në mes të procesit. Për shkak të mosmarrëveshjeve për themelim të Komisionit në mbledhjen e 12 gushtit, KQZ-ja ka caktuar mbledhje mes anëtarëve me qëllimin për ta ndryshuar paragrafin “problematik”, i cili flet për përbërjen e Komisionit. Nga pesë anëtarë sa duhet t’i ketë paneli intervistues ky numër është rritur në 11, duke i përfshirë të gjithë përfaqësuesit partiakë të këtij institucioni, si dhe kryetaren Daka.

“Cirkusi” i anëtarëve të KQZ-së

Raporti evidenton edhe përplasjet mes kryetares Valdete Daka dhe anëtarit nga Vetëvendosja, Sami Kurteshi, për pyetjet që duhej shtruar kandidatëve.

“Valdete Daka: Ke me u sjellë qysh vendosim të gjithë.

Sami Kurteshi: Jo, nuk sillem.

Valdete Daka: Okej, ne mundemi me kërku me të largu.

Sami Kurteshi: Okej, atë të drejtë e keni.

Valdete Daka: Cirkus je t’u bo.

Sami Kurteshi: Cirkus jeni t’u bo ju”, është një pjesë e komunikimit Daka-Kurteshi, i cili citohet në raport.

KOHA ka pyetur në KQZ për veprimet që do t’i ndërmarrin pas vendimit, por ka munguar përgjigja. Inicimi i konfliktit administrativ pranë Gjykatës Themelore, ashtu siç e parasheh Këshilla juridike, nuk e ndal ekzekutimin e vendimit.

Kryeshefi ekzekutiv është përgjegjës për administrimin dhe menaxhimin e përgjithshëm të Sekretariatit në mënyrë specifike për burimet njerëzore, buxhetin dhe financat e KQZ-së.