Arbëri

Anulimi i granteve për punonjës shtesë shëndetësorë nxit reagime në Ferizaj

Ministria e Financave dhe ajo e Shëndetësisë e kanë zvogëluar një grant nga 16.9 milionë euro në 8 milionë, i cili ishte planifikuar për punësimin e 72 mjekëve dhe 164 infermierëve në sektorin e urgjencës nëpër komuna. Kjo ka nxitur reagimin e zyrtarëve komunalë në Ferizaj, me arsyetimin se po përballen me mungesë të stafit mjekësor, derisa kërkesat e qytetarëve për shërbime tashmë janë rritur

Institucionet shëndetësore në Ferizaj që nga fillimi i këtij viti po përballen me numër të madh të pacientëve, ndërkohë që kanë mungesë stafi mjekësor dhe të infermierëve.

Zyrtarët komunalë po ankohen se niveli qendror nuk po i shqyrton kërkesat e tyre për rritjen e numrit të punonjësve shëndetësorë.

Ministria e Financave dhe ajo e Shëndetësisë e kanë zvogëluar një grant nga 16.9 milionë euro në 8 milionë, i cili ishte planifikuar për punësimin e 72 mjekëve dhe 164 infermierëve në sektorin e urgjencës nëpër komuna.

Granti tjetër në vlerë prej 6.8 milionë eurosh për shpenzime të barnave, materiale shpenzuese dhe paga për stafin e kujdestarive është anuluar.

Kjo ka nxitur reagimin e zyrtarëve komunalë në Ferizaj, me arsyetimin se po përballen me mungesë të stafit mjekësor, derisa kërkesat e qytetarëve për shërbime tashmë janë rritur.

Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Kemajl Emini, ka thënë se shpeshherë në QKMF dhe në Urgjencën e Ferizajt po krijohen radhë të gjata të pacientëve, shkaku i mungesës së stafit mjekësor, andaj sqaron se disa herë ka bërë kërkesë nga niveli qendror për ta rritur numrin e punonjësve, porse deri më tash një gjë e tillë nuk është shqyrtuar.

“Përveç kësaj, një grant i cili ka qenë i paraparë nga Ministria e Shëndetësisë për punësimin e 589 punonjësve profesionistë shëndetësorë është zvogëluar në 299, apo nga 4.5 milionë është zvogëluar në 2.4 milionë. Këtë çështje e kam ngritur edhe në nivel të Kolegjiumit të Drejtorëve Shëndetësorë të Republikës dhe gjatë këtyre ditëve do të dalim edhe me një komunikatë të re për këtë çështje”,ka thënë Emini.

Sipas tij, është shqetësuese se në Ferizaj, që nga paslufta, nuk është rritur numri i punonjësve shëndetësorë.

“Në momentin që ne i kemi parashtruar kërkesa Ministrisë së Shëndetësisë, jemi bazuar me gjendjen në terren dhe me nevojat në terren, duke e marrë parasysh që komuna e jonë është e dyta për nga numri i banorëve dhe duke e marrë parasysh që kemi vetëm 308 punonjës shëndetësorë që nga viti 2003. Gjegjësisht, neve në bazë të numrit të banorëve dhe rregulloreve në fuqi na takojnë 75 punonjës shëndetësorë në të gjitha nivelet”, ka shtuar ai.

Nadire Ymeri, drejtoreshë në QKMF në Ferizaj, ka thënë se shpeshherë po pranojnë ankesa nga pacientët për radhë të gjata nëpër korridore.

Muaj më parë, siç ka thënë ajo, edhe Komuna ua kishte ndërprerë një kontratë me “Caritas Kosova”, nëpërmjet së cilës ishin të punësuar mbi 300 punonjës shëndetësorë.

“Një kërkesë ia kemi dërguar edhe ministrit të Financave, Murati, pastaj deputetëve të Komunës sonë, në mënyrë që të na kuptojnë për gjendjen që e kemi dhe për të dhënë kontributin e tyre në Kuvend, në mënyrë që të kemi shtim të stafit për të ofruar shërbime shëndetësore për pacientët tanë. Kur kemi mungesë të stafit, sigurisht që edhe radha e pritjeve po shtohet, mirëpo niveli qendror nuk po i shqyrton kërkesat tona, prandaj në anën tjetër janë rritur kërkesat e qytetarëve për shërbime”, ka thënë, mes të tjerash, Ymeri.

Pacientët në këtë komunë ankohen për pritje të gjata.

“Ka ngarkesë të madhe, pasi që ka mungesë të mjekëve nëpër fshatra dhe këtu po grumbullohen të gjithë për t’i bërë të gjitha analizat. Shihet se ka mungesë të stafit, ka mungesë të mjekëve dhe infermierëve, prandaj institucionet përkatëse duhet të bëjnë diçka për rritjen e numrit të tyre”, ka thënë Arif Beqa nga Ferizaj.

Edhe Muhabe Frangu nga Ferizaj ka kritikuar institucionet lokale dhe ato qendrore për mungesë të stafit mjekësor në QKMF dhe në Emergjencë.

“Ishim te mjeku në Emergjencë dhe në QKMF. Aty më thanë të shkoja më 15 korrik për disa trajtime mjekësore për unaza. Këtu më thanë se s’ka aso shërbimesh dhe s’ka as staf mjekësor, prandaj po shikojmë nëse ka në ndonjë qytet tjerët përreth”, ka treguar shkurt Frangu.

Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Financave prej disa ditësh nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me këtë çështje.