Bashkimi Evropian ka konfirmuar angazhimin në rolin e lehtësuesit sa u përket marrëveshjeve të arritura nga dialogu i mëhershëm, për të cilat u ankua Qeveria e Kosovës në takimin e fundit se Serbia po paraqet pengesa. Por, sipas tyre, të dyja palët duhet të tregojnë përkushtim në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve
Përkushtim prej Kosovës e Serbisë në përmbushjen e të gjitha obligimeve nga dialogu kanë kërkuar zyrtarët e Brukselit, kur janë pyetur për ankesat e Qeverisë rreth prezencës e strukturave paralele serbe në vend. Që nga paraqitja e listës nga Qeveria e Kosovës me pengesat që bën Beogradi nuk është ndërmarrë asnjë veprim sa i përket adresimit të tyre. Në zyrën e emisarit për dialog, Miroslav Lajçak, nuk kanë treguar nëse do të ketë negociata të posaçme për trajtimin e kësaj çështjeje.
jemi duke vazhduar angazhimin tonë si lehtësues të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Bashkimi Evropian është shumë i qartë për të dyja palët se të gjitha marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen”, ka thënë për KOHËN, Peter Stano, zëdhënës në Shërbimin e jashtëm të BE-së.
Sa i përket takimit të radhës në Bruksel, ai ka shtuar se data do të njoftohet në një kohë të përshtatshme.
Në takimin e korrikut, kryeministri Kurti dhe zëvendësi i tij, Bislimi, iu ankuan Brukselit se shumë marrëveshje të arritura nuk janë zbatuar dhe se Serbia vazhdon t’i mbajë gjallë strukturat paralele në Kosovë. Në zyrën e zëvendëskryeministrit për dialog, Besnik Bislimi, nuk kanë komentuar për kërkesat e Brukselit edhe në raport me palën kosovare.
BE-ja në vazhdimësi ka kërkuar nga Kosova që ta zbatojë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pikë në të cilën insiston edhe Serbia. Por, qeveria ka thënë se do të angazhohet rreth këtij mekanizmi vetëm pasi të jenë shuar të gjitha strukturat paralele të Serbisë.
Sipas Qeverisë së Kosovës, pengesat e Serbisë janë në politikë, siguri, arsim, shëndetësi dhe ekonomi.
Njohësi i integrimeve, Demush Shasha, thotë se qëndrimet e barrikaduara të palëve kanë penguar progresin në dialog.
“Ajo çfarë pamë në kuadër të raundit të fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ishte mungesë e vullnetit, mungesë e konstruktivitetit të të gjitha palëve për të bërë progres të ndjeshëm në kuadër të dialogut. Pra, secila palë ka ardhur me qëndrimet e saja në kuadër të atyre pozicioneve të dyja palët kanë qenë të barrikaduara dhe rrjedhimisht nuk kemi parë ndonjë progres”, ka theksuar Shasha.
Pas rinisjes së dialogut me qeverinë e re janë zhvilluar dy takime mes kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, por nuk është arritur asnjë pajtim.
Kryeministri Kurti kishte propozuar që të nënshkruhet një deklaratë e paqes, por që u refuzua nga presidenti serb. Në anën tjetër, presidenti serb Vuçiq ka thënë se takimi ishte më i keq se i kaluari, teksa akuzoi Kurtin se po kthehet në shekullin 19, duke mos u pajtuar as me propozimet e BE-së.