Arbëri

Ankandet do të përcaktojnë tarifat e energjisë së ripërtërishme

Pas miratimit të koncept-dokumentit për energji të ripërtërishme, Ministria e Ekonomisë pritet që të hartojë Ligjin që rregullon këtë fushë, i cili do të qartësojë organizimin e ankandeve, si dhe do të reformojë skemën mbështetëse aktuale. Nga shoqëria civile presin që ligji të miratohet sa më parë dhe të nxisë investimet në këtë fushë

Kosova për herë të parë pritet që të bëhet me Ligj për burime të ripërtërishme të energjisë. Bazuar në koncept-dokumentin e Ministrisë së Ekonomisë për burime të ripërtërishme, investitorët e kësaj fushe do t’u nënshtrohen ankandeve për përfitim të tarifave.

Procedura e konkurrimit do të bëhet për herë të parë, pasi më herët caqet janë arritur përmes tarifave nxitëse të përcaktuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Dardan Abazi, hulumtues në INDEP, ka thënë se pret që Qeveria sa më shpejt ta miratojë ligjin për burime të ripërtërishme.

“Ajo që presim nga Qeveria është që në mënyrë të përshpejtuar të hartojë ligjin për burime të ripërtërishme të energjisë, i cili bazuar edhe në këtë koncept-dokument duhet të qartësojë se kush organizon ankande për burime të ripërtërishme të energjisë, të reformojë skemën mbështetëse aktuale, përfshirë skemën për ‘preziumers’, në mënyrë që kapaciteti të mos kufizohet, por të jetë i bazuar në konsumin e konsumatorëve”, ka thënë ai.

Sipas koncept-dokumentit, investimet në këtë fushë pritet të ndikojnë edhe në rritjen e punësimit, si dhe në investime. Por Abazi thotë se Qeveria është vonuar në sjelljen e ligjit.

“Jemi të pakënaqur me dinamikën. Ne kemi pritur që jo vetëm koncepti, por edhe ligji të miratohet deri në fund të 2021-tës dhe kjo nuk ka ndodhur dhe kemi një proces të ngadalësuar të miratimit të këtij ligji. Por që edhe miratimi i koncept-dokumentit është hap i nevojshëm”, ka theksuar Abazi.

Koncept-dokumenti parasheh ndikimin ekonomik që mund të kenë burimet e rinovueshme të energjisë. Megjithatë, në të parashihet edhe rritja e çmimit të energjisë për shkak të futjes në sistem të teknologjisë së re.

Udhëzimi Administrativ numër 06/2017 nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik paraqet bazën që procesi konkurrues mund të zhvillohet nga ZRRE-ja përmes Rregullit për Skemën Mbështetëse, ku është paraparë mundësia që të përcaktohen primet e furnizimit dhe mjetet e tjera mbështetëse bazuar në proceset konkurruese.

Por mjetet mbështetëse nuk janë zbatuar deri më sot për shkak se caqet e vitit 2020 janë arritur përmes tarifave nxitëse.

Koncepti ofron tri opsione për BRE-të, por që opsioni i tretë, i cili konsiston në hartimin e një ligji, është opsion që sipas Ministrisë adreson problemin kryesor.

“Hartimi i një ligji të veçantë për BRE-të do të siguronte bazën e nevojshme ligjore për përmbushjen e objektivave energjetikë të BRE-ve, duke pasur parasysh nevojat për energji, me theks të veçantë autorizimet të cilat do të përcaktoheshin me dispozita ligjore. Ligji do të tërhiqte investime, do të optimizonte kostot e BRE-ve, do të siguronte energji të pastër dhe do të zvogëlonte varësinë nga thëngjilli”, thuhet në koncept-dokument.

Sipas konceptit, problemi kryesor në këtë fushë është mungesa e rregullimit ligjor që lidhet kryesisht me bazën aktuale ligjore, prandaj ky opsion rekomandohet nga ekipi punues për hartimin e këtij KD.

“Opsioni i tretë (III) do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e infrastrukturës ligjore me qëllim rregullimin dhe mbrojtjen e interesit në zhvillimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë, sigurimin e konkurrencës dhe përdorimin e mekanizmave të bazuar në treg”, thuhet në konceptin e Ministrisë.

Sipas tij, mënyra më e mirë për lehtësimin dhe zhvillimin e projekteve të energjisë së ripërtërishme është përmes një ligji të veçantë për burimet e ripërtërishme të energjisë, duke përfshirë të gjitha kërkesat e nevojshme nga direktivat përkatëse të BE-së për përdorimin dhe promovimin e burimeve të energjisë së ripërtërishme.

Me rritjen e investimeve në këtë fushë parashihet edhe rritja e importit të teknologjisë për burime të ripërtërishme.

Në Kosovë janë identifikuar disa vende për investime për parqe të energjisë së erës. Pas parkut të erës në Shalë të Bajgorës dhe atij në Kikë të Kamenicës, parqe të energjisë me erë mund të ndërtohen edhe në Çyçavicë, në Zatriq, në Budakovë dhe në Kozhicë.