Mentor Hyseni është zgjedhur drejtor i ri i Administratës Tatimore të Kosovës, ka njoftuar Ministria e Financave.
“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se pas përmbylljes së procedurës së rekrutimit dhe në përputhje me kërkesat dhe kriteret ligjore, është përzgjedhur dhe emëruar Drejtori i ri i Administratës Tatimore të Kosovës, z. Mentor Hyseni. Procesi është zhvilluar në mënyrë transparente dhe profesionale, duke u siguruar që kandidati i përzgjedhur të plotësojë të gjitha kushtet e nevojshme për këtë pozitë me rëndësi të lartë. MFPT ka besim të plotë që Z. Hyseni se do të vazhdojë dhe avancojë punën e mirë që është bërë deri më tani, në shërbim të një administrate moderne, transparente dhe të drejtë”, thuhet në njoftim të Ministrisë.
Mentor Hyseni në vitin 2019 ishte prezantuar si anëtar i ri i Lëvizjes Vetëvendosje.
Hyseni ka qenë edhe kryesues i Bordit të Drejtorëve në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
Drejtor i deritashëm i ATK-së ka qenë Ilir Murtezaj.
Reagimet
Emërimi i Hysenit ka nxitur reagime në opozitë. Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku e ka cilësuar këtë emërim “zhveshje të Vetëvendosjes nga çdo vlerë që predikonte”.
“Albin Kurti e paska emëruar militantin partiak, ish-kandidatin për deputet Mentor Hyseni, drejtor të Administratës Tatimore të Kosovës, një prej institucioneve më të rëndësishme në vend. Ja pra, këta që nga opozita bënin betejë kundër nepotizmit e klientelizmit, dhe e kishin gojën plot meritokraci e parime, me të ardhur në pushtet u zhveshën nga çdo vlerë që predikonin. Ende besoj se e vetmja e mirë e Qeverisë Kurti 2 është demistifikimi i Albin Kurtit. Shokët e familjarët vetëm për dasma, apo?” ka shkruar ajo në Facebook.

Për rastin ka reaguar edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës. Ai ka thënë se ky është shembull i kapjes së institucioneve publike.
“Pas serisë së shkeljeve kushtetuese e ligjore, sot kemi një hap tjetër në vendosjen e njerëzve të LVV-së në krye të institucioneve kyçe të vendit – institucione që do të duhej të ishin të pavarura nga ndikimet politike. Emërimi i një ish-kandidati për deputet në krye të Administratës Tatimore të Kosovës është shembulli tipik i kapjes së institucioneve publike. Edhe më shqetësuese, ky veprim rrezikon ta shndërrojë ATK-në në instrument politik për presione të caktuara. Mbi të gjitha, ky vendim përbën vazhdimësi të shkeljes së kufizimeve ligjore mbi kompetencat e një qeverie në detyrë dhe është mosrespektim i hapur i aktgjykimit të fundit të Gjykatës Supreme, pikërisht në raport me (ish-)Ministrin e Financave”, ka shkruar ai në Facebook.
