Për të tretën herë anëtarët e Komisionit të Pavarur për Media (KPM) janë paraqitur në Komisionin parlamentar për Media, të premten.
Edhe një herë ata janë ballafaquar me pyetjet e deputetëve të pushtetit lidhur me vendimin e tyre për kthimin e kanaleve të “Arena Sport”-it në platforma kabllore si dhe vendimin për licencim të Art Motion.
Gjatë diskutimit sërish janë ngritur shqetësime për ndërhyrje në pavarësinë e KPM-së.
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se ata si deputetë nuk duhet të rrezikojnë pavarësinë institucionale të KPM-së.
“Brenga ime në takim ka qenë se si është marrë ky vendim kaq shpejtë. Ne nuk duhet që të rrezikojmë demokracinë por ne duhet të shkojmë deri aty ku na lejohet jo të prekim vijën e kuqe të pavarësisë institucionale. Ne e respektojmë pavarësinë institucionale dhe kushte që ua kemi dhënë. Ju jeni të zgjedhur. Nëse bëni diçka kundërligjshëm drejtësia duhet të merret me ju”, është shprehur Tahiri.
Sipas tij është duke u bërë një diskutim që po i bën dëm konceptit të institucioneve të pavarura. “BE-ja shpreh brengë serioze për reagimin ndaj një institucioni të pavarur. Në kushte normale, kryetari i Kuvendit ose t’i kryetar i Komisionit, nëse ta merr mendja që je i pastër ti si kryetar duhet t’i reagoni BE-së me i thanë ku po ta merr mendja qe ne e kemi shkelur atë vijë të kuqe”, i është drejtuar ai kryetarit të Komisionit, deputetit nga radhët e pushtetit, Valon Ramadani.
Kryetari i Komisionit ka thënë se është i bindur që nuk është shkelur pavarësia e KPM-së.
“Unë si kryetar i Komisionit, unë jam i bindur që jemi në respektim të Rregullores së Kuvendit por edhe të Ligjit të KPM-së. Ne jemi në rregull dhe nuk jemi duke e cenuar pavarësinë e KPM-së”, është shprehur Ramadani.
Tahiri ka kritikuar deklaratat e deputetëve të pushtetit të bëra ndaj anëtarëve të KPM-së në mbledhjen që është mbajtur javën e kaluar.
“Unë thashë e drejta e komisionit për të kërkuar llogari dhe përgjegjësi është normale dhe unë thashë më pëlqen kur shoh një qasje të tillë por këtu po thotë duhet të ketë kujdes të mos interferohet në një institucion të pavarur. Takimi i javë së kaluar ka qenë një pikë e zezë se çka ju kemi bërë këtyre njerëzve. Duke hyrë në çështje të patriotizmit”, është shprehur Tahiri.
Atij i ka reaguar deputeti i Vetëvendosjes Armend Muja, i cili nuk është anëtar i këtij Komisioni.
“Kur ne tentojmë ta ndryshojmë Ligjin thonë nuk janë të pavarur. Tash a jeni të pavarur apo nuk jeni? Operatori që e keni licencuar nuk e njeh Kosovën si shtet por e njeh si pjesë të Serbisë. Nuk është kjo çështje patriotizmi, është kundërligjore. Meqë po ju kërkoni operatorëve për plotësim të pyetësorit për licencim, më intereson pyetësori për ‘mts artmotion’ a e bëjnë tik pyetjen: A i respektoni ligjet e Kosovës”, është shprehur Muja.