Arbëri

Anëtarët e KPK-së s’arrijnë dakordim për rendin e ditës, përfundon mbledhja

kpk

Foto: Driton Paçarada

Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk e ka miratuar rendin e ditës në mbledhjen e së martës, në të cilin u propozua të futej edhe certifikimi i rezultatit të procesit zgjedhor të 1 nëntorit 2025 për anëtarin prokuror të Këshillit. 

Fillimisht u votua rendi i ditës i propozuar nga shumica prej tre anëtarëve me tre vota për dhe katër kundër. Ndërsa më pas u votua edhe për propozimin e kryesuesit Agon Qalaj që mori tre vota kundër dhe dy për. Për të dyja rastet kryesuesi i përkohshëm Agron Qalaj konstatoi se rendi i ditës nuk është miratuar, pasi sipas tij duhet të ishin 4 vota për e jo 3 për ta bërë shumicën.

Anëtari Visar Krasniqi ka propozuar që pika për certifikim të renditej e para në rend ditë, e Qalaj në pikë të katërt. Meqenëse asnjë prej propozimeve nuk kaloi, Qalaj e mbylli mbledhjen për të martën. 

Elza Bajrami-Kastrati ishte zgjedhur fituese në zgjedhjet për anëtare të KPK-së, por në mbledhjen ku u shkarkua ish-kryeprokurori Besim Kelmendi, me pesë votat e anëtarëve të pranishëm u refuzua certifikimi i saj. Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 dhjetor e pati aprovuar propozimin e paditëses Elza Bajrami-Kastrati, duke pezulluar ekzekutimin e vendimit të KPK-së me të cilin ishte refuzuar certifikimi i rezultatit zgjedhor për anëtarin e ri të KPK-së ku Bajrami renditej me më së shumti vota si kandidate për anëtare.