Arbëri

Anëtarë të Komisionit për arsim e quajnë skandaloz raportin vjetor të punës së KSHC-së

Anëtarët e Komisionit për Arsim e kritikuan të martën raportin vjetor të punës së Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), për gabime teknike e mospërputhje në shifra.

Nënkryetarja e komisionit, Albena Reshitaj, deklaroi se raporti lë shumë për të dëshiruar, pasi përmban gabime teknike, derisa pyeti se si KSHC-ja bën kërkesë për akreditim apo heqje të tij, pasi nuk është gjetur bazë ligjore.

“Shifrat në raport nuk përputhen në tabelat e ndryshme. Nuk dihet nëse janë 239 programe të akredituara, apo 229. Ka mospërputhje të mëdha të shifrave”, deklaroi Reshitaj, derisa deputeti i LVV-së, Jahja Kokaj, tha se raporti është skandaloz, e i propozoi kryetares se KSHC-së, Hasnije Ilazi, që të vijë më e përgatitur në komision.

“Unë ju propozoj që të vini prapë më të përgatitur, pasi është trishtues një raport të ketë kaq shumë mospërputhje. Kjo është skandaloze”, tha Kokaj.

Ilazi e KSHC-së theksoi se është punë e rëndësishme në drejtim të mekanizmave që të sigurohet cilësia në arsimin e lartë.

“E kemi prioritet kthimin në ENQA dhe ENQAR. Në këtë drejtim ne i kemi aprovuar disa dokumente që garantojë funksionin e agjensionit. Kemi qenë në Gjermani, kemi pasur takime me përfaqësues të ENQA dhe ENQAR. Prej 29 agjencive që kemi qenë në këto takime, ne kemi qenë të vetmit nga rajoni. Ne jemi përgatitë shumë për vizitën e tyre që do ta kemi në nëntor dhe shpresojmë që deri atëherë do të përfundojë puna e ligjit për AKA-në”, deklaroi Ilazi. “Jemi në proces të akreditimit për këtë vit, vizita e fundit do të jetë më 20 qershor. Mbledhja e fundit do të mbahet më 30 qershor në mënyrë që konkurset në institucionet e arsimit të lartë të jenë të shpallura me kohë”.

Ilazi kërkoi që të bëhet sa më shpejt ligji për AKA-në, pasi tha se aktualisht është e specifikuar nëpërmjet një udhëzimi administrativ.