Njohës të çështjeve politike, Mazllum Baraliu e Seb Bytyçi, nuk presin ndryshime të mëdha në rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Në “60 Minuta” në KTV, Baraliu të hënën ka thënë se partitë që deri tash ishin në opozitë është dashur të bashkoheshin, pasi sipas tij “nëse me metoda të njëjta vazhdon të synosh zgjidhjen e një problemi, rezultati nuk mund të dalë ndryshe nga ai që ka qenë”.
“Po shkojmë në të njëjtën rrugë në të cilën kishim shkuar në zgjedhjet e kaluara duke prodhuar një rezultat të ngjashëm të cilin kishim. Do të ishte dashur që të bashkohen ata që deklaruan, ne të opozitës jemi bashkë, kemi unifikim. Ndërkohë nuk kemi asnjë lëvizje serioze që mund të prodhonte rezultat ndryshe. Ndryshimet në numrat e partive politike mund të jenë shumë simbolike. Meqë kemi narracione e orientime të njëjta si më parë, rezultati nuk mund të jetë dhe aq ndryshe”, ka deklaruar Baraliu.
Ngjashëm ka shprehur mendim edhe Bytyçi. Ai ka thënë se pasi që AAK-ja ka vendosur të garojë e vetme dhe e kalon pragun, bëhet i mundshëm një koalicion VV-AAK nëse partia e parë ruan fuqinë e deritashme.
“Në përgjithësi mund të kemi një fuqi të njëjtë të partive. Nëse AAK-ja futet në Kuvend atëherë do të bëhet më i mundshëm një koalicion i ardhshëm mes VV-së dhe AAK-së, nëse VV-ja veç arrin ta mbajë fuqinë e mjaftueshme, që bashkë me pakicat dhe AAK-në ta formojë qeverinë. Nëse AAK-ja dhe Nisma janë jashtë Kuvendit atëherë njëfarë mënyre imponohet që duhet të ketë një marrëveshje patjetër për postin e presidentit dhe ajo ndoshta mundet me nënkuptu që do të ketë një koalicion edhe për qeverisje mes partive, VV-së, LDK-së ose PDK-së”, ka deklaruar Bytyçi.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja e Nisma kanë aplikuar për të garuar të vetme. Ndërkaq është LVV-ja ajo që ka formalizuar koalicionin me tri parti: Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK).
Analisti politik, Seb Bytyçi, thotë se qëllimi, sidomos i ish-partive opozitare, që duke garuar me më shumë parti të arrihet më lehtë te votuesi, i vë në presion partitë më të vogla. Sipas tij, me veprimin e tyre Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Nisma Socialdemokrate kanë rrezikuar hyrjen në Kuvend.
“Fakti që nuk ka ndonjë koalicion tregon që në njërën anë ka përpjekje që të kapen sa më shumë vota, mirëpo tregon se ka edhe mungesë të unitetit tek opozita. Sidomos mosfutja e AAK-së dhe Nismës në ndonjë koalicion rrezikon që ato parti të mbesin jashtë Parlamentit. Prandaj është një veprim me risk nga ato dy parti”, ka thënë ai.
Bytyçiduke komentuar koalicionin rreth Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se dy partitë - Guxo dhe Alternativa, me këtë formë të bashkëpunimit ndihen më të fuqishme.
“Vetëvendosjes për herë të parë futet me koalicion ku më herët partitë e vogla thjesht i kanë listuar kandidatët në listën e VV-së, kjo nënkupton fuqia elektorale dhe politike e këtyre partive të vogla është më e forcuar tash. Kemi aty edhe një parti të re PSHDK-në. Në përgjithësi këto lëvizjet tregojnë që rëndësia e partive më të vogla është më e madhe, sepse po luftohet për çdo votë me kusht që të shkohet pa ndonjë koalicion më të madh, të formohet qeveria”, ka thënë ai.
Subjektet politike, sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kanë lënë për ditën e fundit deklarimin e tyre për pjesëmarrje në zgjedhje. “Gjatë kësaj periudhe 7-ditore (24 nëntor - 30 nëntor 2025) 24 subjekte politike, prej të cilave: 3 koalicione, 18 parti politike, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur kanë plotësuar online formularin e certifikimit për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Paralelisht me aplikimin për certifikim është zhvilluar edhe afati për deklarim të partive politike për formim të koalicioneve”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
Nga të dhënat e ofruara prej KQZ-së, në zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Kosovës, do të marrin pjesë partitë politike: Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Kosovaki Nevi Romani Partia (Partia e Re Rome e Kosovës), Jedinstvena Goranska Partija (Partia e Bashkuar Gorane), Za Slobodu Pravdu i Opstanak (Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë), Kosova Demokratik Turk Partisi (Partia Demokratike Turke e Kosovës), Partia Liberale Egjiptiane, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, Socialdemokratska Unija (Bashkimi Social Demokrat), Srpska Lista (Lista Serbe), Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Fjala, Nova Demokratska Stranka (Partia e Re Demokratike), Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Kosovski Savez (Aleanca e Kosovës), Nisma Socialdemokrate, Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar.
Të deklaruara koalicione janë: PAI - PDAK - LPB, i përbërë nga 3 parti politike: Partia e Ashkalinjve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB), Koalicija VAKAT i përbërë nga 3 parti politike: Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB), Bošnjačka Stranka Kosova (BSK) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV) dhe Koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, i përbërë nga 4 partitë politike: Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit do të garojnë edhe dy iniciativa qytetare: Për Socialdemokratët e Ashkalinjve dhe Iniciativa Qytetare për Kosovë dhe një Nedzmidin Sejdilar, si kandidat i pavarur.
Pas aplikimit për pjesëmarrje në zgjedhje, subjektet politike kanë kohë shtatë ditë që të dorëzojnë listën me emrat e kandidatëve për deputetë të zgjedhjeve të parakohshme.
Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt Lëvizja Vetëvendosje pati marrë mbi 390.000 vota apo 42.30 për qind. E dyta pati dalë Partia Demokratike e Kosovës me mbi 190.000 vota, apo 20.95 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me mbi 170.000 mijë vota, apo 18.27 për qind. Në vendin e katërt qe radhitur koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Social-demokrate me mbi 66.000 vota apo 7.06 për qind.