Në rast se do të iniciohet një ide tjetër për ndryshim kufijsh në Ballkanin Perëndimor, ajo nuk do të përkrahet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Washington ka nisur shqyrtimi nëpër komitete i një projektligji që e ndalon SHBA-në t’i mbështesë nismat për ndryshim kufijsh në rajon. Në projektligj thuhet po ashtu se SHBA-ja duhet të angazhohet për arritjen e marrëveshjes përfundimtare gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, bazuar në njohjen reciproke
Në rast se “Akti i Demokracisë dhe Progresit në Ballkanin Perëndimor” e merr miratimin në Kongresin dhe Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe nënshkruhet nga presidenti Donald Trump, atëherë SHBA-ja do të angazhohet që politika e saj e jashtme të mos e mbështesë ndarjen e territoreve, shkëputjen apo ndonjë ndryshim tjetër kufijsh në Ballkanin Perëndimor.
Në projektligj, theksi është vënë te Kosova dhe Serbia si dhe te Republika Sërpska në Bosnjë-Hercegovinë.
“SHBA-ja nuk do të ndjekë asnjë politikë që mbështet shkëmbimet e territoreve, shkëputjen ose forma të tjera të rivizatimit të kufijve përgjatë vijave etnike në Ballkanin Perëndimor si një mjet për të arbitruar mosmarrëveshjet midis shteteve kombëtare në rajon”, thuhet në Projektligjin e SHBA-së për mosndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor.
Në seksionin 11 të projektligjit, ku flitet për raportet midis Kosovës dhe Serbisë, theksohet se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur më 27 shkurt të 2023-tës me mbështetjen e Bashkimit Evropian (BE), duhet që të zbatohet shpejt.
Në pikën 4 të këtij seksioni përmendet edhe njohja e ndërsjellë, si qëllim final.
“Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë ta mbështesin një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, bazuar në njohjen reciproke”, theksohet në Projektligjin amerikan.
Dokumenti i është referuar Komitetit për Punë të Jashtme dhe Komitetit të Drejtësisë për shqyrtim, më 9 tetor.
Një tjetër pjesë e projektligjit fokusohet te ndikimi rus dhe ai kinez në rajon, duke kërkuar një raport brenda 180 ditësh nga sekretari i Shtetit dhe drejtuesit e agjencive amerikane për ndikimet keqdashëse në Ballkan.
Diskutimet për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë kanë nisur më intensivisht rreth vitit 2018, pas disa vjetësh bllokimi në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Ideja parashikonte ndryshimin e kufijve, kryesisht për zonat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe ato me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.
Tentime të vazhdueshme për ndryshim kufijsh ka edhe në Bosnjë-Hercegovinë, ku entiteti serb në vazhdimësi ka bërë përpjekje për shkëputje nga pjesa tjetër e vendit.