Ambasadori i Palestinës në Shqipëri, Sami Mhanna, ka thënë se nuk e njohin Kosovën për shkak të vendosjes së ambasadës së saj në Jerusalem më 2021.
Në një deklaratë për “Euronews Albania”, Mhanna ka thënë se është i vetëdijshëm për përkrahjen e shqiptarëve për Palestinën e se populli palestinez s’ka asnjë problem me popullin e Kosovës.
“Që kur Kosova vendosi ambasadën e saj në Jerusalem, ne e konsiderojmë atë një shkelje të hapur të të drejtës ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse Palestina nuk e njeh Kosovën”, ka thënë ai.
Lidhur me qëndrimin e Shqipërisë në forumet ndërkombëtare, ku shpesh është pozicionuar në mënyrë neutrale ndaj çështjes palestineze, ambasadori u shpreh i zhgënjyer. Ambasadori ka shtuar se do të dëshironte që shqiptarët të flisnin më shumë për çështjen palestineze dhe të tregonin më shumë solidaritet.
Kosova pati vendosur ambasadën në Jerusalem duke e njohur si kryeqytet të Izraelit ndër shtetet e para të botës. Vendimi ishte marrë me ndërmjetësim të presidentit amerikan Donald Trump, gjatë diskutimeve të asaj që njihet si Marrëveshja e Washingtonit mes Kosovës dhe Serbisë në shtator të 2020-s.
Në Kosovë së fundmi ka pasur protesta në solidaritet me palestinezët, pas sulmeve të rënda të Izraelit në Gazë.