Arbëri

Oravi e Rohde dënojnë gjuhën e Qeverisë karshi Supremes

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde dhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Aivo Orav

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde dhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Aivo Orav

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se ndërhyrjet politike në gjyqësor janë të papranueshme, pas reagimit të Qeverisë në detyrë për vendimin e Gjykatës Supreme që shfuqizon Udhëzimin Administrativ për pajisjet fiskale dhe softuerët elektronikë fiskalë.

“Krerët e misioneve të BE-së diskutuan situatën pas vendimit të Gjykatës Supreme. Sulmet kundër gjyqtarëve individualë dhe ndërhyrja politike në gjyqësor janë të papranueshme”, ka shkruar Orav, teksa ka shpërndarë postimin e reagimit të Supremes gjatë ditës së sotme.

Reagim të ngjashëm pati edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

“Mbështetje e plotë për qëndrimin e ambasadorit të BE-së! Sulme të tilla kundër gjyqtarëve individualë dhe ndërhyrja politike në gjyqësor janë absolutisht të papranueshme. Është më e pakta që i duhet këtij vendi në këtë situatë politike tashmë të vështirë”, ka shkruar Rohde.

Gjykata Supreme në një vendim të martën shfuqizoi Udhëzimin Administrativ të lëshuar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati. Supremja thotë se deputeti i betuar nuk mund ta ushtrojë edhe funksionin e ministrit në detyrë.

E Qeveria në detyrë reagoi ashpër, duke e cilësuar vendimin si arbitrar dhe të njëanshëm.

Në reagimin e sotëm, Supremja ka thënë se deklaratat e Qeverisë në detyrë janë të papranueshme dhe ndërhyjnë në pavarësinë e gjyqësorit.