Arbëri

Ambalazhuesit raportojnë për ujin e shpenzuar, 35 për qind e tyre sfidojnë shtetin

Kompanitë ambalazhuese të ujit kanë filluar që të raportojnë në Ministri të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për ujin e shpenzuar. Por 35 për qind e tyre vazhdojnë të mos e bëjnë këtë. Ministria ende nuk e di borxhin e saktë të këtyre kompanive, ndërsa vetëm gjatë këtij viti ka grumbulluar afro 1.5 milionë euro të hyra nga pagesa e ujit

Rreth 35 për qind e kompanive ambalazhuesve vazhdojnë ta sfidojnë shtetin duke mos raportuar për ujin e shpenzuar. Por Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka paralajmëruar masa ligjore ndaj tyre.

Kjo ministri ka bërë të ditur se 65 për qind e kompanive të tjera tashmë kanë raportuar për ujin e shpenzuar pas dërgimit të njoftimeve nga Ministria, duke bërë që edhe pagesa ujore të rritet për 120 për qind, krahasuar me vitin e kaluar.

Vetëm këtë vit të hyrat nga pagesa ujore kanë qenë afro 1.5 milionë euro.

Megjithatë, ky dikaster qeveritar ende nuk ka të dhëna se sa është borxhi i saktë i ambalazhuesve të ujit.

Naser Hafizi, udhëheqës i Divizionit për Pagesat Ujore dhe Projekte ka thënë se grumbullimi i të hyrave ka qenë një sfidë ndër vite dhe ka qenë neglizhencë institucionale.

“Krahasuar me vitet paraprake, pa përfshirë muajt në vijim deri në fund të vitit, rritja e të hyrave, krahasuar me vitin 2020, ka shënuar një progres prej 120%. Në krahasim me vitin 2019 është 478% dhe të hyrat e vitit 2018 kanë qenë 110% më të ulëta se periudha janar - tetor 2021”, ka thënë ai.

KOHA ka raportuar vazhdimisht për shkeljet ligjore që janë bërë nga mosraportimi i shpenzimeve për shfrytëzim të ujit nga ambalazhuesit dhe neglizhencën institucionale.

Mospagesa e ujit ishte njëra nga arsyet e shkarkimit të ish-drejtorit të Autoritetit Rajonal për Pellgje Lumore, Gani Berisha.

Por në Ministri kanë bërë të ditur se në fillim të tetorit kanë krijuar një grup punues që do të llogarisë borxhin e kompanive që kanë ndaj shtetit për afro një dekadë e gjysmë.

“Ne në mesin e këtij viti kemi filluar një aktivitet, një angazhim të madh për të shikuar databazën e të gjithë operatorëve me fokus të veçantë ambalazhuesit e të gjitha kompanive që kanë leje ujore, që janë 196 kompani dhe janë 101 kompani që iu ka skaduar afati për shkak të pagesës, iu kemi dërguar njoftime atyre që nuk kanë raportuar sipas ligjit, nenit 9 të Udhëzimit Administrativ të strukturave të pagesës së ujit dhe prej tyre 35 për qind nuk kanë raportuar dhe 65 për qind janë duke u përgatitur për borxhin”, ka pohuar ai.

Ministria ka paralajmëruar masa ligjore deri në përmbarim për ata që nuk raportojnë për ujin e shpenzuar.

“Obligimet e sakta të kompanive ambalazhuese do të dihen pasi që ato të raportojnë në Ministri. Në rast të mosraportimit nga grupi punues që tanimë është formuar me vendim të sekretarit të përgjithshëm më datë 4/10/2021 dhe ngarkesat do të kalkulohen sipas kapacitetit maksimal të dokumentacionit teknik, duke u bazuar në Ligjin për ujëra, udhëzimin administrativ për strukturën e pagesave të ujit dhe lejes ujore”, ka thënë Hafizi.

Nga viti 2006, kur ka qenë në fuqi Udhëzimi administrativ 06/2006 për strukturën e pagesave të ujit (derivat i Ligjit për ujërat e Kosovës), kompanitë ambalazhuese nuk kanë respektuar dispozitat ligjore në fuqi të asaj kohe.

Arsyetimi i mosraportimit për një dekadë nga ana e kompanive ambalazhuese, sipas Hafizit, ka qenë çmimi i lartë i tarifës (0.009 EUR për litër të shitur).

“Këto kompani kundërshtimin e kësaj tarife e kanë bërë përmes shoqatave të tyre nën mbështetjen dhe përkrahjen e Odës Ekonomike të Kosovës. Në vitin 2016, nën presionin e këtyre të fundit, shfuqizohet Udhëzimi Administrativ paraprak dhe hyn në fuqi udhëzimi i ri me nr. 02/2016 për strukturën e pagesave të ujit, i cili me kërkesë të Shoqatës se Ambalazhuesve dhe OEK-ut tarifën për ambalazhim të ujit e zbret për 900% ( nga 0.009 në 0.001 EUR për litër të shitur), mirëpo obligimet retroaktive nuk i shlyen, por i përcakton të paguhen brenda 2 vjetëve (sipas raportimit nga kompanitë)”, ka theksuar ai.

Këto kompani të pakënaqura me nenin 12 të UA, organizohen përmes shoqatave dhe odave dhe refuzojnë raportimin në Ministri.

Në vitin 2017 ato arrijnë të bindin ish-kryeministrin Ramush Haradinaj dhe në njërën nga mbledhjet e Qeverise nxjerr vendim për faljen e borxheve për ambalazhuesit e ujit.

Por, pas presionit publik, medial dhe të shoqërisë civile, në vitin 2018 ky vendim ishte ndryshuar dhe ishin aprovuar vetëm disa “lehtësira”, të cilat nuk u sqaruan asnjëherë se për çfarë bëhet fjalë.

Kësisoj, kompanitë vazhduan të mos raportojnë për ujin e shpenzuar dhe të mos paguajnë taksën.

Shkeljet në mosgrumbullim të pagesave janë përmendur edhe në Raportin e Auditimit për këtë ministri.