Arbëri

Aliu e ndalon përdorimin e veturave zyrtare jashtë orarit

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, në mëngjesin e së hënës ka mbajtur mbledhjen e parë me drejtorët e ri të ekzekutivit dhe në mesin e disa vendimeve ai ka marrë edhe një vendim për veturat zyrtare.

Sipas vendimit të Aliut, asnjë zyrtar nuk mund të shfrytëzon veturën zyrtare jashtë orarit të punës, veçanërisht gjatë ditëve të vikendit, ndryshe të gjithë do të ndëshkohen sipas masave disiplinore dhe ligjeve në fuqi.

Rreth kësaj çështje edhe zyra për informim në komunën e Ferizaj ka njoftuar se kryetari Aliu, të hënën e ka nisur ditën duke marrë disa vendime të rëndësishme për qytetarët.

“Ndër vendimet e para që mori sot kryetari Aliu, ishte edhe vendimi për ndalimin e përdorimit të veturave zyrtare të Komunës së Ferizajt, pas orarit zyrtar, përkatësisht dhe fundjavave. Ky vendim, përkatësisht kjo masë ndërmerret me qëllim, mbajtjen e disiplinës në përdorimin e aseteve komunale, ekonomizimin e shpenzimeve dhe për rrjedhojë edhe kursimin e parasë publike”, thuhet midis të tjerash në njoftimin e zyrës për informim në Komunën e Ferizajt.

Ndërkaq, Agim Aliu, kryetar i Komunës, ka thënë se secili zyrtar do të ketë disiplinë në punë dhe shërbime të vazhdueshme për qytetarët.

“Në respektim e trajtim të dinjitetshëm të çdo kërkese qytetare, në përputhje me ligjin në çdo veprim, me nder e përkushtim njerëzor e profesional, qytetarinë bazë të punës sonë e asnjëherë përkatësinë politike, me shumë më shumë punë, projekte transformuese, disiplinë e rregull. Me këto parime e synime qeverisëse, mbajtëm sot, mbledhjen e parë të ekzekutivit të Komunës së Ferizajt, për të vijuar pa ndaluar asnjë çast, në hapin tonë, për më të mirën për Ferizajn e ferizajasit”, ka thënë Aliu.