Analisti politik, Artan Alijaj, ka thënë se nëse ish-presidentja Vjosa Osmani kthehet në Lidhjen Demokratike të Kosovës, atëherë gjasat që të arrihet ndonjë marrëveshje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së janë zero.
Gjatë së mërkurës nga LDK-ja është thënë që dyert janë të hapura për Vjosa Osmanin për t’u kthyer në këtë parti.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Tashmë diskutimi kryesor që është bërë ose potenciali kryesor që mund të arrihet është eventualisht një marrëveshje politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kemi parë që me partitë tjera LVV-ja fare nuk ka komunikim. Realisht ndoshta pikëpyetje është edhe e ardhmja e Osmanit. Sot pamë sërish deklarimin e LDK-së që i hapen dyert Osmanit. Nëse ajo kthehet në LDK, gjasat që të arrihet një marrëveshje me Vetëvendosjen janë zero. Nuk do të ketë më asnjë interes të ketë një marrëveshje”, ka thënë Alijaj.
Analisti Alijaj në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë po ashtu se në rast se Osmani kthehet në LDK, kësaj partie do të mund t’ia kthente rezultatin që e kishte në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të kaluar.
E në rast se nuk do të ketë marrëveshje për çështjen e presidentit dhe vendi do të shkojë sërish në zgjedhje, analisti Alijaj thotë se LVV-ja do të jetë sërish e para, Partia Demokratike e Kosovës e dyta dhe LDK-ja e treta.
“Kyçja e Osmanit në LDK do të mund t'ia kthente kësaj partie rezultatin që e kishte në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të kaluar. Nuk mund ta anashkalojmë faktin që deri në vitin 2021, Osmani ishte më e votuara në vend. Në këtë rast mendoj që definitivisht është një kredit për opozitën nëse do të shkohej në zgjedhje. Nuk e shoh larg mendësh as mundësinë që nëse shkohet në një proces zgjedhor të ketë prapë bisedime me kryeministrin Kurti për qeverisje të përbashkët, asaj nuk i dihet. Megjithatë zgjedhjet nuk janë zgjidhje, veçanërisht për LVV-në. Një gjë mund ta themi me siguri të plotë që LVV-ja do të jetë sërish e para, PDK-ja e dyta e LDK-ja e treta”, është shprehur Alijaj.
Kuvendi ka afat për të zgjedhur presidentin deri më 28 prill. Nëse kjo nuk bëhet, vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditësh, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e pati shpallur të pavlefshëm juridikisht dekretin e Osmanit për ta shpërndarë Kuvendin më 6 mars.
Vetëvendosje ka propozuar në Kuvend dy emra për president, Glauk Konjufcën e Fatmire Mulhaxhën, por emrat e tyre nuk dolën në votim për shkak të mungesës së kuorumit. Megjithatë, gjatë së mërkurës, Konjufca u shpreh i gatshëm ta tërheqë kandidaturën sapo që partitë opozitare të bëjnë një propozim për president.
Opozita po e akuzon pushtetin se nuk është e interesuar të zgjedhë presidentin, ndërsa LVV-ja po i kritikon opozitarët për mungesë të propozimeve.