Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gojnovci: Logjika e thotë se në konkurrencë me Konjufcën, Osmani do të kishte gjasa më të pakta

Ejup Gojnovci

Analisti politik Ejup Gojnovci ka thënë se presidentja aktuale Vjosa Osmani do të kishte gjasa të pakta për t’u rizgjedhur përballë Glauk Konjufcës, duke marrë parasysh numrin e deputetëve që ka Lëvizja Vetëvendosje në Kuvend. 

Vetëvendosje ka propozuar të martën Glauk Konjufcën si kandidat për president, ndërsa shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka thënë se i kanë ofruar Osmanit nënshkrimet për t’u kandiduar, por ka thënë se ato janë refuzuar nga presidentja aktuale. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Logjika politike thotë se në konkurrencë me z. Konjufca, znj. Osmani do të kishte gjasa më të vogla të zgjedhet, për shkak të numrave të mëdhenj të Vetëvendosjes. Nëse do të merrte pjesë opozita...Nuk arrin t’i marrësh 30 vota nga deputetët individualisht a i ka fajet një parti tjetër apo i ke fajet ti? Nuk mund të zgjidhesh presidnet duke qëndruar në zyre e duke mos kërkuar mbështetjen”, ka thënë Gojnovci në “Konfront” të KTV-së. 

 


Sadiku: Situata me presidentin është hakmarrje politike e Kurtit

Analisti politik, Naim Sadiku, ka thënë se kryeministri Albin Kurti do të duhej ta sqaronte për qytetarët qëndrimin e tij ndaj presidentes Vjosa Osmani.

Sadiku në emisionin “Konfront” në KTV, ka thënë se këtë qasje të Kurtit e sheh si hakmarrje politike ndaj Osmanit për deklaratat e saj gjatë qeverisjes së tij. Megjithatë, Sadiku këtë e sheh edhe si hakmarrje ndaj partive opozitare për bllokadën njëvjeçare të institucioneve.

“Krejt kjo qasje e Kurtit nuk është vetëm hakmarrje sepse e kemi thënë edhe më herët që nuk i harron goditjet që ia ka bërë Osmani qeverisjes së tij në disa raste, sidomos ato me ‘bixhozin’ me ndërkombëtarët. Mendoj se është inati dhe hakmarrje politike ndaj saj. Mendoj se është inati dhe hakmarrje edhe ndaj partive opozitare për këtë bllokadën njëvjeçare që e shkaktuan. Gjatë këtij një viti të gjitha partitë politike kanë kalkuluar”, ka thënë Sadiku.

Analisti Sadiku ka thënë se është e habitshme në këtë situatë edhe heshtja e deputetëve të partisë Guxo brenda grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje pasi sipas tij “nën ombrellën e Osmanit ata kanë hyrë në politikë dhe kanë marrë vota”.


Hajrullahu: S'është e shëndetshme për demokracinë që një parti t'i ketë tri poste udhëheqëse

Analisti politik Muhamet Hajrullahu ka thënë se nuk është e shëndetshme për demokracinë në Kosovë që një parti politike të udhëheq me Presidencën, Qeverinë si dhe Kuvendin. 

Sipas tij nëse edhe Galuk Konjufca zgjidhet president, atëherë Vetëvendosja do të jetë hera e parë në histori të Kosovës që një parti udhëheq me tri institucionet kryesore. 

“Me nominimin e Glauk Konjufcës, për të cilin nuk dua të flas në aspektin e punës së tij, por për herë të parë ne e kemi, nëse zgjidhet Glauk Konjufca, në histori të partive politike që udhëheqin të tri pozitat kryesore. Nuk ka ndodhur, ka pasur marrëveshje politike, që partitë i kanë ndarë pozicionet e tyre, por në zotëri Galuk Konjufca zgjidhet kryetar i shtetit i bie që Lëvizja Vetëvendosje si pati udhëheq me tri institucionet”, është shprehur Hajrullahu në emisionin “Konfront” të KTV-së. 

Sipas tij kjo nuk është e mirë për Kosovën. 

“Nuk mendoj që kjo është e shëndetshme për demokracinë e Kosovës, që të ndodhë kjo. Edhe në Serbi Vuçiqi e ka krejt kontrollin, edhe në Shqipëri Edi Rama e ka krejt kontrollin, por nuk mendoj që është mirë për demokracinë”, ka deklaruar Hajrullahu.


Alijaj: Kandidatura e sotme taktikë tjetër, të gjitha partitë kanë bërë taktizime

Analisti politik Artan Alijaj ka thënë se vendimi i sotëm i Lëvizjes Vetëvendosje për ta propozuar Glauk Konjufcën si kandidat për president, është një taktikë tjetër e radhës. Ai ka thënë se gjitha partitë kanë bërë taktizime të shumta që nga viti i kaluar. 

Alijaj në “Konfront” të KTV-së ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka pasur problematike për të arritur marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke e ditur se aty jo detyrimisht i ka 15 votat e deputetëve të kësaj partie. 

“Kjo kandidaturë sot duket se është, ta themi eventualisht ndoshta edhe një taktikë tjetër që po përdoret në këtë proces. Për fat të keq gjitha partitë politike kanë bërë taktizime të mëdha edhe në këtë rast, sikur që kanë bërë gjatë tërë vitit të kaluar”, tha Alijaj. 

Ai tha se ka gjasa të aktivizohet sërish Gjykata Kushtetuese, për të sqaruar paqartësitë e radhës. 
Ai ka thënë se deri sot secili ekspert juridik ka thënë se vendi shkon në zgjedhje nëse nuk zgjidhet presidenti deri nesër, e tash po thuhet se shkohet edhe te periudha 60 ditore.