Trupi gjykues i Themelores së Dhomave të Specializuara e ka rrëzuar parashtrimin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit për t’i hequr nga aktakuza të gjitha incidentet që sipas mbrojtjes binin jashtë periudhës së konfliktit të armatosur.
Avokati Amer Alija ka thënë se në rast se do ta fitonte mocionin mbrojtja në këtë rast, 5 për qind e aktakuzës do të rrëzohej.
“20 qershori është dita e fundit kur veprat penale mund të kualifikohen si krim i luftës. Pas datës 21 qershor aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ose Prokuroria e ka akuzuar deri në shtator 98, por Thaçi dhe të tjerët akuzohen për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit. Krimet e luftës mund të kryhen vetëm gjatë periudhës së luftës, krimet kundër njerëzimit mund të kryhen edhe gjatë luftës dhe pas luftës. Por, krimet e luftës kërkojnë të plotësohen disa elemente, duhet të ketë sulm të zgjeruar dhe sistematik ndaj popullatës civile. Në rast se do të fitonte mbrojtja, t’i eliminonte këto periudha ku prokuroria i ka ngarkuar që edhe brenda këtyre dy periudhave kanë ndodhur krime, sigurisht që është lehtësim, mund ta themi 5 për qind e aktakuzës rrëzohet”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” të KTV-së.
Alija ka shtuar se mbrojtja e ka ngritur mocionin duke vlerësuar se cilat janë pikat më të dobëta në këtë fazë të procedurës gjyqësore. Ndërkaq, ka shtuar se tanimë 2/3 e shqyrtimit kryesor ka përfunduar në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.