Koordinatori në Fondin për të Drejtën Humanitare, Amer Alija, ka thënë se dënimi maksimal që mund të shqiptohet për krime të luftës në Kosovë është 15 vjet.
Ai ka thënë se për këtë aplikohet ligji më i favorshëm për të akuzuarit që është ligji i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSJF).
Ai ka komentuar edhe reagimet e familjarëve të viktimave pas dënimit më 15 vjet burgim të Millosh Pleskoviqit për krime lufte, të enjten.
“Kemi parë reagime nga familjarët dhe nga përfaqësuesit e palës së dëmtuar lidhur me dënimin prej 15 vjet burgim për Millosh Pleskoviqin, por ajo që duhet ditur nga opinioni është se për rastet e krimeve të luftës, apo për krimet që kanë ndodhur gjatë viteve 98-99 në Kosovë, duhet aplikuar ligji i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprave penale, pra është ligji i RSJF-së për arsye se ky ligj është më i favorshëm, më i burë në krahasim me ligjet që janë hyrë në fuqi në Kosovë”, është shprehur Alija në një intervistë në emisionin “60 Minuta” të KTV-së.
Ai ka thënë se dy interpretime që i ka dhënë Gjykata supreme për dy vendime fajësuese thonë se s’mund të shqiptohet dënim më i lartë se 15 vjet.
Ligji i RSJF-së ka parashikuar minimum 5 vjet burgim dhe maksimum 15 vjet, përkatësisht me 20 vjet burgim mund të dënohen personat për veprat penale për të cilat është parashikuar dënimi me vdekje. Me rregulloren e UNMIK-ut është larguar dënimi me vdekje dhe ka mbetur vetëm dënimi më 20 vjet burgim. Por për fat të keq në dy vendime ... kemi dy opinione të Gjykatës Supreme të cilët thonë që në Kosovë nuk mund të shqiptohet më shumë se 15 vjet burgim për krime lufte”, është shprehur Alija.
Ai ka theksuar nevojës që dënimi maksimal të rishqyrtuar dhe siç ka thënë, “të interpretohet në mënyrë të drejtë dënimi maksimal prej 20 vjet burgim”.
Alija ka deklaruar se gjatë vitit 2025 janë shqiptuar në total 8 aktgjykime për krime të luftës.
Sipas tij me mundësimin e ngritjes së aktakuzave në mungesë është rritur edhe numri i aktakuzave, gjykimeve e dënimeve
“Në dy muajt e fundit kemi pasur rreth 6 persona që janë dënuar me nga 15 vjet burgim për krime të luftës në Kosovë. Pas pranimit të kompetencave nga EULEX-i, prokuroria vendore dhe gjykatat vendore, po ashtu edhe pas hyrjen në fuqi të gjykimeve në mungesë, kemi një intensitet në ngritje në ngritjen e aktakuzave për krime të luftës, që nga hyrja në fuqi e ligjit për gjykimet në mungesë janë ngritur 18 aktakuza në mungesë kundër 78 personave, apo pjesëtarëve të forcave serbe”, ka theksuar ai.
Që nga paslufta sipas shifrave të Fondit për të Drejtën Humanitare, në të gjitha gjykatat, përfshirë Tribunalin e Hagës, me vendime të plotfuqishme për krime lufte në Kosovë janë dënuar 74 persona.