Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Akuzat për ndërhyrje, Kushtetuesja mohon të jetë vizituar nga ambasadorët

Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese i ka mohuar pretendimet se pas dekretit për shpërndarje të Kuvendit, ky institucion u vizitua nga ambasadorë të akredituar në Kosovë. Këtë e mohuan edhe në ambasadën e BE-së në Prishtinë, ndërsa në përfaqësitë e tjera të vendeve të QUINT-it nuk iu përgjigjën pyetjeve lidhur me çështjen. E njohës të çështjeve politike shtruar nevojën që, bazuar në perceptimin publik për fuqinë vendimmarrëse të Ambasadave në Kosovë, udhëheqës të tyre nuk do të duhej ta frekuentojnë Gjykatën, të paktën deri në nxjerrjen e vendimit për dekretin e presidentes Osmani

Në Gjykatën Kushtetuese kanë mohuar se ambasadorë të akredituar në Kosovë i kanë bërë vizitë këtij institucioni pas nisjes së trajtimit të ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje kundër dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Dy ditë më parë, deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, ka nxitur reagime me thirrjen publike që u bëri ambasadorëve që, siç tha, të mos e shkatërrojnë Gjykatën Kushtetuese me vizita, takime e ndërhyrje.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por, në Kushtetuese thanë për KOHËN se po të kishte takime të tilla, Gjykata do t’i publikonte nëpërmjet kanaleve zyrtare. E si dëshmi për këtë e përmendën mungesën e njoftimeve në ueb faqe dhe Facebook.

“Të gjitha takimet e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, z. Nexhmi Rexhepi, me ambasadorët e akredituar në vend janë realizuar vetëm me kërkesën e tyre të bërë paraprakisht... Për sqarim shtesë, dhe siç mund të shihet edhe nga njoftimet e publikuara në ueb-faqen e Gjykatës dhe në faqen e Gjykatës në rrjetin social Facebook, kryetari Rexhepi nuk është takuar me ndonjë ambasador të akredituar në vend gjatë muajit mars të këtij viti”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.

Për çështjen, KOHA dërgoi pyetje në ambasadën amerikane, atë të BE-së, të Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës e Italisë. Në atë të BE-së në Kosovë mohuan se ambasadori ka qenë për vizitë në Gjykatë Kushtetuese, ndërsa në ambasadat e vendeve të QUINT-it nuk u janë përgjigjur pyetjeve.

Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi nuk pranoi t’i ndajë informacionet se kush, sipas tij, e ka vizituar Gjykatën porse tha që, përtej interesimit legjitim të diplomatëve për zhvillimet politike në vend, pret që Gjykata të veprojë pa u penguar.

“Është e rëndësishme, madje e pritshme që Gjykata Kushtetuese gjatë shqyrtimi të rasteve, e veçanërisht të rasteve të rëndësishme me impakt edhe në sistemin tonë politik, të lihet ta trajtojë në mënyrë tërësisht të pavarur, pa ndikime dhe pa presion të cilësdo natyre, qofshin edhe vizita e takime në prag të marrjes së vendimit, siç kanë ndodhur në të shkuarën tonë të afërt e të largët”, ka thënë Rrustemi.

E njohësi i çështjeve politike, Basri Muja, thotë se edhe shkaku i perceptimit të krijuar në Kosovë se ambasadat kanë dorë në vendimmarrje, udhëheqës të tyre duhet t’i shmangin vizitat në Kushtetuese, së paku deri sa të ketë vendim për dekretin e Osmanit.

“Ndikimi i ambasadave apo i Dragodanit, ka qenë gjithmonë prezent dhe nuk më befason tash ky reagim jo vetëm i deputetit të pozitës, në këtë rast, por edhe i qytetarëve. Siç e thashë më herët, kjo është një kohë e papërshtatshme për vizita të tilla dhe Gjykata do të duhej të lihet në qetësi”, është shprehur Muja.

Ambasadorët e patën vizituar disa herë Gjykatën Kushtetuese gjatë vitit të shkuar, kur ajo i ka pasur në trajtim kërkesat e partive për çështjen e konstituimit të Kuvendit.