Vetëm pak minuta pas njoftimit se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëqeverisje, rrjeti social, facebook është mbushur me reagime të shumta.
Ndër të parët që reaguan ishte vetë kandidati për kryeministër, Albin Kurti, i cili edhe ka përshëndetur të gjithë mbështetësit e tij, duke thënë se ka kohë që janë marrë vesh, por që tani kanë edhe marrëveshje me LDK-në, raporton KTV.
“Në negociatat me LDK-në, njëri-tjetrit, i kemi ofruar kërkesa e i kemi kërkuar oferta, jemi qarë e kemi qeshur, përherë të kujdesshëm që ndërmjet nesh të ndodhet një tavolinë. Jemi vonë, gjithsesi. Nuk është tepër vonë, pa dyshim. Moti jemi marrë vesh, tash kemi edhe marrëveshje. Do të qeverisim bashkë. Ju faleminderit për mbështetjen dhe durimin. Urime të gjithëve!”, ka shkruar Kurti.
Derisa, deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë shkruar lidhur me arritjen e marrëveshjes, duke thënë se këto dy parti janë partnerë të barabartë qeverisës dhe se do të angazhohen në të mirë të Kosovës.
“Qeverisë së Kosovës, të drejtuar nga z.Albin Kurti i uroj suksese dhe arritje sa më të mëdha në të mirë të Kosovës në sfidat që e presin”, ka shkruar presidenti i Shqipërisë në facebook, Ilir Meta.
Ai tutje ka shtuar se një qeverisje e qëndrueshme është në interes, jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin.
“Përshëndes ngrohtësisht arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje të Lëvizjes Vetëvendosja (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) si dy parti fituese të zgjedhjeve të përgjithshme të 6 tetorit 2019 në Kosovë. Një qeverisje e qëndrueshme është në interes, jo vetëm të Kosovës, por edhe të gjithë rajonit. Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga z.Albin Kurti, i uroj suksese dhe arritje sa më të mëdha në të mirë të Kosovës në sfidat që e presin”, ka shkruar Meta.
E kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj nga Deçani, ka paralajmëruar se AAK-ja nuk do ta votojë Qeverinë Kurti, në seancën e së hënës.
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka kopjuar modelin me 15 ministri, të cilën e ka hartuar Qeveria Haradinaj
“Albin Kurti, gjatë gjithë fushatës zgjedhore e ka proklamuar para popullit se do të bëjë qeveri me 12 ministri, kurse sot e ka kopjuar në Projektligjin e Qeverisë modelin me 15 ministri të cilin e ka hartuar Qeveria Haradinaj, proces të cilin e kam udhëhequr unë me kolegë të qeverisë. Këtë model e kam prezantuar edhe zyrtarisht më 25 shtator 2019. Sot është dita për të uruar marrëveshjen për Qeverinë e re, por Kryeministri i ardhshëm duhet ta kuptojë se përgjegjësia e fjalës është më e madhe se synimet afatshkurta politike për pushtet”, ka shkruar Tahiri.
Pas më shumë se 3 muajsh të takimeve, LVV-ja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshjen, për të qeverisur së bashku, një ditë para seancës, ku edhe pritet të votohet formimi i Qeverisë.