Numri dy i Qeverisë Kurti është demantuar nga zyrtari i lartë i Këshilli i Evropës, pas deklaratave ku pretendohet mbështetja për anëtarësim në këtë mekanizëm. Derisa zyrtarë të Qeverisë dhe të opozitës kanë kërkuar mbështetje për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, zyrtarët e lartë serbë i kanë thënë sekretares së Këshillit se pranimi eventual përbën shkelje të statutit dhe cenon unitetin e këtij institucioni
Shpërthimi i luftës në Ukrainë ka ngjallur diplomacinë kosovare që ka kërkuar mbështetjen e partnerëve perëndimorë në mësymjen për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Pas nisjes së procedurave për anëtarësim në NATO, Qeveria ka shprehur synimin që të aplikojë edhe në Këshillin e Evropës.
Por, në pak ditë pas këtij aktivizimi, qeveritarët janë përgënjeshtruar nga zyrtarët e njërës prej organizatave të rëndësishme në Evropë, pas pretendimeve se kanë siguruar mbështetjen për anëtarësim.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka shkruar në “Twitter” se zëvendëssekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, e mirëpriti iniciativën e Kosovës për aplikim në Këshill të Evropës.
“I kënaqur që takova Bjorn Berge gjatë qëndrimit në Strasburg, që mirëpriti iniciativën e Kosovës për aplikimin për pranim në Këshill të Evropës. Diskutimi ynë u fokusua edhe në vënien në pah të progresit të Kosovës, reformat dhe harmonizimin me vlerat evropiane dhe politikat e jashtme”, ka shkruar Bislimi.
Por zyrtari i lartë i Këshillit të Evropës, të enjten, e ka demantuar atë.
“Me keqardhje, ky s’ka qenë përshkrimi korrekt i asaj që kam deklaruar në takim sa i përket aplikimit të mundshëm në Këshill të Evropës”, ka thënë Berge.
Çështja e anëtarësimit është ngritur edhe në diskutimet e Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociimin në Strasburg, ku morën pjesë zyrtarë të Qeverisë dhe të opozitës.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se objektivi kryesor strategjik është anëtarësimi në BE, kurse dy synime të tjera përfshijnë heqjen e vizave dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
“Prandaj presim mbështetje nga Parlamenti Evropian dhe këtu do të rikujtoja modus operandi “diversitet në njohje, por unitet në angazhim” që do të thotë se mungesa e një qëndrimi të përbashkët mes shteteve anëtare për statusin e Kosovës nuk e pengon BE-në nga angazhimi me Kosovën – të njëjtën frymë presim edhe për aplikimin e Kosovës”, ka theksuar Bislimi.
Më 1 prill 2022 Kosova ka mbushur gjashtë vjet nga marrëveshja e parë kontraktuese ndërmjet BE-së dhe Kosovës (MSA). Që nga ajo kohë, sipas Bislimit, institucionet kosovare kanë punuar për t'u përafruar me kriteret e Kopenhagenit të Bashkimit Evropian.
“Kjo duhet t’ju bindë për vendosmërinë tonë për të përmbushur zotimin tonë për të dorëzuar kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE. Hapja e perspektivës së BE-së për Kosovën do të ishte një motivim i fortë për qeverinë dhe administratën për të vazhduar rrugën aktuale të reformave. Për të ilustruar këtë vit vendi pati një rritje ekonomike rekord prej 9.9%, rritje të eksporteve me 60%, rritje të të ardhurave tatimore prej 30%. Në luftën kundër krimit të organizuar, raportohet një rritje prej 13.4% në bastisjet e policisë, 75% rritje në përçarjen e grupeve të krimit të organizuar dhe një rritje prej 85% të aktakuzave për krime ekonomike dhe korrupsion”, ka deklaruar numri dy i Qeverisë.
Ndërkaq, Avdullah Hoti i LDK-së ka thënë se rajoni ka nevojë për qartësi dhe progres në integrime.
“Në funksion të paqes afatgjate, rajoni ka nevojë për qartësi dhe progres konkret në integrimin evropian. Vetëm kështu vuloset paqja afatgjatë në rajon. Besoj se të gjithë pajtohemi se kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet normalizimit të plotë të marrëdhënieve fqinjësore, i cili proces nënkupton njohjen e realitetit dhe marrjen e përgjegjësisë për të kaluarën”.
Teksa ka folur për dialogun, ai ka fajësuar lehtësuesin, Miroslav Lajçak, për shkak të qasjes së “ambiguitetit konstruktiv” pasi nuk e përmend hapur “njohjen reciproke”, që sipas tij është qëllimi kryesor dhe i vetëm i dialogut.
“Fokusi i dialogut tani është zhvendosur në çështje teknike, që janë josubstanciale për normalizimin e marrëdhënieve afatgjata mes dy vendeve. Nuk them se çështjet teknike nuk janë të rëndësishme për jetën e qytetarëve të të dyja vendeve. Por, këto probleme teknike janë derivat i mungesës së njohjes reciproke. Sapo të arrihet marrëveshja për njohje reciproke, problemet teknike zgjidhen natyrshëm duke zbatuar standardet evropiane në marrëdhëniet fqinjësore”, ka shkruar Hoti.
Për kërkesat e Kosovës në Parlamentin Evropian ka komentuar edhe shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Nga anëtarët e delegacionit të Kosovës u ritheksuan kërkesat me rëndësi të jashtëzakonshme dhe e menjëhershme e finalizimit të procesit të liberalizimit të vizave, kërkesa për mbështetje në proceset e së ardhmes së afërt me rastin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, NATO, qëllimin për të aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare”.
Në anën tjetër, Serbia i është rikthyer ofensivës diplomatike për ta penguar anëtarësimin në këtë mekanizëm.
Pasi Kosova shpërfaqi synimin për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës, ministri i jashtëm serb, Nikolla Selakoviq, u vu në ofensivë. Në takim me sekretaren e përgjithshme të Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq-Buriq, ministri i jashtëm serb tha se pranimi i Kosovës është shkelje e statutit dhe cenon unitetin e Këshillit të Evropës.
“Në përputhje me politikën e normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën, Serbia mbështet çdo angazhim të Këshillit të Evropës në Kosovë që synon përmirësimin e standardeve në fushën e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë, që është në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe një qasje neutrale ndaj statusit”, kanë cituar mediat serbe, Selakoviqin.
“Serbia kundërshton fuqishëm hapjen e procedurës së pranimit të Prishtinës në Këshillin e Evropës, pasi kjo do të përbënte shkelje të Statutit të KE-së dhe do ta cenonte unitetin e kësaj organizate”.
Ish-ministrja e jashtme kroate për takimin me Selakoviqin, kryeministren serbe dhe kryetarin e Kuvendit, Ivica Daçiq, ka njoftuar nëpërmjet “Twitter-it”. Në njërin prej tyre, ku nuk përmendet Kosova, ajo tha se” bashkëpunimi me Serbinë dhe situata gjeopolitike në Evropë kanë qenë temat e diskutuara”.
Kosova shpreson të përfitojë nga rreshtimi krah Perëndimit në dënimin e agresionit rus mbi Ukrainën. Pritjes për anëtarësim të shpejtë në KE i ka dhënë shtytje suspendimi i Rusisë.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë raportimit të fundit në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, deklaroi se ka zhvillime që shtojnë optimizmin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Ne mund të parashohim vetëm pjesën tonë, çfarë po bëjmë ne që një gjë e tillë të jetë e mundur. Edhe aty jemi takuar disa institucione së bashku dhe kemi diskutuar cilat janë hapat”, ka thënë ajo teksa ka refuzuar të japë një datë se kur Kosova mund të bëhet pjesë e këtij mekanizmi.
Kosovës i ka ofruar mbështetje edhe një shtet i fuqishëm brenda Bashkimit Evropian. Gjermania ka paralajmëruar se do të votojë për pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Kështu ka thënë javën e kaluar emisari i posaçëm gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, pas suspendimit të përkohshëm të Rusisë.
Në intervistën e parë pasi mori detyrën, Sarrazin ka thënë për “Frankfurter Allgemeine Zeitung” se Gjermania është shtet që e mbështet plotësisht pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Pas suspendimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës janë shtuar gjasat që me dy të tretat e shumicës në këtë organizatë të votohet pro pranimit të Kosovës në të.
“Gjermania e ka njohur Kosovën. Sigurisht llogarisim që një shtet i njohur nga ne të përfaqësohet në organizata ndërkombëtare. Veçanërisht kur një, si Këshilli i Evropës, nënkupton një mbrojtje të madhe të të drejtave për qytetaret dhe qytetarët, edhe për minoritetet në Kosovë. Se kur është momenti i duhur për një aplikim, natyrisht se Qeveria e Kosovës duhet të vendosë”, ka thënë ai.
Këshilli i Evropës është organizatë e shteteve evropiane e themeluar më 5 maj 1949.
Kjo organizatë i ka 47 shtete anëtare, mbulon përafërsisht 820 milionë njerëz dhe vepron me një buxhet vjetor prej rreth 500 milionë eurosh.
Ndryshe nga Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës nuk mund të nxjerrë ligje detyruese, por ka fuqinë që të ndikojë në zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Institucioni kryesor i Këshillit të Evropës është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila zbaton Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.