Rrugëtimi i çdo shteti për çlirim, liri e pavarësi, natyrshëm që në vete bart edhe shumë akte si dokumentare, po ashtu edhe politike, të cilat shërbejnë si bazament për sendërtim institucional.
Edhe Kosova, si shumë shtete të tjera, në rrugën e saj të ndërtimit dhe funksionimit si shtet, bazën e ka në disa akte me rëndësi.
Fillimisht duhet theksuar se dokumenti i parë bazik i shtetësisë së Kosovës, i cili buron nga vullneti i shqiptarëve të Kosovës, është Deklarata Kushtetuese e miratuar para shkallëve të Kuvendit të Kosovës më 2 korrik të vitit 1990 nga ana e delegatëve të Kuvendit të Kosovës.
Në bazë të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e mbajtur në qytetin e Kaçanikut më 7 shtator po të vitit 1990 miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e njohur ndryshe si Kushtetuta e Kaçanikut. Kushtetuta e Kaçanikut kishte gjithsej 140 nene, me të cilët rregullohej funksionimi i institucioneve të Republikës së Kosovës.
Po në mbështetje të Kushtetutës së Kaçanikut, nenit 89, të gjitha kuvendet komunale të Kosovës obligoheshin që të harmonizonin statutet e tyre me këtë Kushtetutë.
Si rrjedhojë e kësaj, Shoqata e Pavarur e Juristëve të Kosovës, dega në Deçan, nën drejtimin e juristit Sali Çekaj, në mbledhjen e juristëve të Deçanit, të mbajtur më 10 tetor të vitit 1990 në Isniq, mori vendim për zbatimin në praktikë të Kushtetutës së Kaçanikut, duke emëruar grupin e juristëve për harmonizimin e Statutit të Komunës së Deçanit me dispozitat ligjore të Kushtetutës së Kaçanikut.
Nga 10 tetori e deri më 5 nëntor 1990, grupi i juristëve të Deçanit e harmonizoi Statutin e Komunës së Deçanit me Kushtetutën e Kaçanikut dhe kështu ai u përgatit për t’u miratuar në Kuvendin e Komunës së Deçanit.
Po ashtu në mbështetje të Kushtetutës së Kaçanikut dhe vendimit të Kuvendit të Kosovës, në shtator të vitit 1991, u mbajt Referendumi për Kosovën shtet i pavarur dhe sovran.
Në këtë referendum morën pjesë 914 mijë e 802 votues apo 87 për qind . Pra, nga 914 mijë 802 votues me të drejtë vote ishin 1.051.357 qytetarë të Kosovës.
Sipas rezultateve të shpallura nga Komisioni Qendror për Zbatimin e Referendumit, thuhet se 164 vota ishin kundër dhe 933 fletëvotime ishin të pavlefshme.
Akt tjetër i shtetndërtimit të Kosovës janë dhe zgjedhjet e para presidenciale dhe parlamentare, të cilat janë mbajtur më 24 maj të vitit 1992, nga ku qytetarët shqiptarë të Kosovës zgjodhën udhëheqësit e tyre politikë. Siç dihet në këto zgjedhje president i Kosovës zgjidhet dr. Ibrahim Rugova, i cili vinte nga Lidhja Demokratike e Kosovës. E veçantë e këtyre zgjedhjeve ishte se këto zgjedhje u mbajtën për pjesëmarrjen e shumë subjekteve politike shqiptare dhe atyre të komuniteteve joserbe.
Po asht si akt politik i shtetndërtimit të Kosovës janë edhe kontaktet e para të autoriteteve të Kosovës me ato shqiptare për vendosjen dhe nisjen e ushtrimeve të para të grupeve të armatosura shqiptare të Kosovës, kontakte këto që bëhen në fillim të viteve ’90 të shekullit XX.
Grupet e para të armatosura të Kosovës të prira nga Sali Çekaj, Adem Jashari e Zahir Pajaziti do të vendoseshin në afërsi të Tiranës e të cilat do të ushtroheshin për luftë me forcat serbe.
Këto grupe janë celulat e para të forcave çlirimtare në Kosovë, e që, sipas mendimit tonë, janë grupet e para ushtarake, baza kryesore e ushtrisë së Kosovës, e cila kishte për qëllim çlirimin dhe lirën e Kosovës.
Akt tjetër i rëndësishëm i shtetësisë së Kosovës është edhe lufta guerile e grupeve të armatosura, të cilat kryen sulme guerile gjithandej Kosovës gjatë viteve ‘90 e të cilat do të kulmojnë me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në nëntor të vitit 1997.
Krahas grupeve guerile, nuk duhet harruar as aktin e ndërtimit dhe funksionimit të institucioneve të pavarura të Kosovës, duke nisur që nga ato politike, arsimore, shëndetësore, kulturore e informuese. Këto institucione ishte bartëset kryesore të jetës në përgjithësi në Kosovë gjatë viteve ‘90 të shekullit XX.
Akt vendimtar i shtetndërtimit të Kosovës është edhe lufta çlirimtare e viteve 1998–1999, e cila do të sillet lirinë dhe çlirimin e Kosovës, shumë vjet pas ripushtimit të saj nga Jugosllavia e Titos.
Ndër aktet e para të Kosovës së pasluftës mbetet Korniza Kushtetuese e Kosovës, e hyrë në fuqi më 15 maj të vitit 2001 dhe e nënshkruar nga kryeadministratori i atëhershëm i Kosovës, Hans Hakerup.
Korniza Kushtetuese e Kosovës e vitit 2001 ishte dokument bazik i ndërtimit dhe funksionimit të institucioneve të Kosovës gjatë kohës së administrimit të Kosovës nga ana e UNMIK-ut.
Një dokument tjetër me rëndësi në shtetndërtimin e Kosovës është edhe plani gjithëpërfshirës i njohur si “Plani Ahtisaari”, i cili propozoi pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. Ky plan, i publikuar në shkurt të vitit 2007, ishte dokumenti bazë nga ku doli shtetësia e Kosovës e deklaruar me Deklaratën për Pavarësi të Kosovës, e cila u miratua nga deputetët e Kuvendit të Kosovës më 17 shkurt 2008.
Shpallja e tretë e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, pas asaj të 2 korrikut 1990 dhe 28 nëntorit 1912 (ku delegatët e katër vilajeteve shqiptare deklaruan pavarësinë e tyre, përfshirë edhe territorin e Kosovës së sotme), ishte më shumë si akt politik me reflektim të gjithmbarshëm ndërkombëtar, i cili juridikisht rregulloi statutin e Kosovës.
Krahas Deklaratës për Pavarësinë e Kosovës të 17 shkurtit të vitit 2008, akt tjetër është edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 9 prillit të vitit 2008, Kushtetutë e cila rregulloi funksionimin e institucioneve të Kosovës, duke nisur nga Presidenca, Kuvendi, Qeveria, komunat, e deri tek institucionet gjyqësore, shëndetësore, kulturore, arsimore e akademike e të tjerë.
Konsideroj se dokumenti bazik ose akt me rëndësi në shtetësinë e Kosovës është opinioni këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili u miratua më 22 korrik të vitit 2010.
Ky vendimi ishte vula kryesore e akteve themeltare të shtetësisë së Kosovës.
Krejt në fund, shtetësia e Kosovës është e ndërtuar mbi bazën e shumë dokumenteve apo akteve, të cilat në një mënyrë apo mënyrë tjetër janë të lidhura ndërmjet vete.