Prokuroria Speciale e Kosovës të premten ka ngritur aktakuzë ndaj ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe ushtruesit të detyrës së sekretarit të kësaj Ministrie, Besim Kamberaj, për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”.
Sipas aktakuzës, Damka dhe Kamberaj dyshohen se nga data 16 gusht 2021 deri më 24 mars 2022 kanë tejkaluar kompetencat ligjore me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dy organizata joqeveritare, “Germin” dhe “Caritas Zviceran”.
Prokuroria i akuzon zyrtarët se kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe procedurat për financimin e OJQ-ve, duke ndarë fonde publike pa shpallje të thirrjes publike dhe jashtë kompetencës së Ministrisë.
Dëmi i pretenduar për buxhetin e shtetit kap vlerën prej 1,040,000 euro.
“Prokuroria ka propozuar që të dy të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen me gjobë dhe burgim efektiv, duke theksuar se vetëm dënimet e tilla do të realizojnë qëllimin e parashikuar me Kodin Penal”, thuhet në njoftim.
Damkës muaj më herët i ishte ngritur aktakuzë nga Prokuroria në Prizren për “sulm” dhe “kanosje” pasi më 9 shkurt, ditën e zgjedhjeve, në Prizren kishte përdorur forcë fizike ndaj A.M. dhe M.J. pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme, lidhur me publikimin e disa informatave dhe lajmeve në rrjetet sociale, për partinë KDTP dhe vetë ministrin.
Ministri në detyrë Damka në një përgjigje për KOHËN ka thënë se ende nuk e ka marrë aktakuzën dhe se çështjen do ta sqarojë të shtunën, para seancës konstituive të Kuvendit.
Ndërkaq organizata “Germin” e ka cilësuar të padrejtë dhe të pabazë përmendjen e emrit të saj në njoftimin e Prokurorisë Speciale për ngritjen e aktakuzës. Në reagim kjo organizatë ka thënë se nuk ka asnjë marrëdhënie kontraktuale me MZHR-në dhe se s’ka përfituar asnjëherë mbështetje nga kjo ministri.
“Në komunikatën e Prokurorisë thuhet, me ose pa qëllim, se kinse organizata jonë ka përfituar mjete financiare nga Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR) në kundërshtim me procedurat ligjore për financimin e organizatave joqeveritare. Kjo përmendje e GERMIN-it është e pavërtetë, e dëmshme dhe në kundërshtim me legjislacionin e aplikueshëm në Kosovë. Ne konsiderojmë se përmendja e emrit të organizatës sonë në një aktakuzë penale ndaj një zyrtari publik, pa asnjë përfshirje të drejtpërdrejtë, financiare apo kontraktuale me institucionin në fjalë, është një akt që dëmton padrejtësisht reputacionin tonë institucional dhe profesional, të ndërtuar me mund dhe integritet ndër vite”, thuhet në reagim.
Kjo organizatë ka thënë se auditohet rregullisht nga auditorë të brendshëm dhe të jashtëm e se auditimet publikohen në mënyrë transparente.
KOHA u ka dërguar pyetje edhe të përmendurve të tjerë në artikull. Sapo të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.