Në seancën për dialogun janë dëgjuar edhe ofendime. Deputeti i LDK-së, Kujtim Shala, ka sharë kryeministrin Albin Kurti dhe, edhe pasi mori vërejtje nga kryeparlamentari Glauk Konjufca, ai nuk ka kërkuar falje. Sociologët kanë thënë se gjuha e tillë është e papranueshme, aq më shumë kur bëhet fjalë për një deputet që është profesor universiteti dhe anëtar i Akademisë.
Debati parlamentar për dialogun nuk është karakterizuar vetëm nga përplasjet verbale dhe akuzat. Gjatë saj pati edhe të shara.
Në një moment deputeti i LDK-së, Kujtim Shala, dëgjohet tek e shan kryeministrin Albin Kurti.
“Phu, …. tradhtarin e nanës”, ka sharë Shala.
Shala është akademik dhe nënkryetar i Kuvendit. E, për gjuhën e përdorur në seancë, ka marrë vërejtje nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
“Dua ta ngre një çështje sipas Rregullores së Kuvendit, neni 65 lidhur me nënkryetarin Kujtim Shala. Zoti Shala të gjitha faktet tregojnë që keni përdorur një gjuhë joparlamentare, por pa mikrofon. Dhe për këtë rregullorja më obligon që, sipas nenit 65, thotë pika e tretë që t’iu japim një vërejtje për këtë shkelje”, ka thënë kryeparlamentari Konjufca.
Pas vërejtjes, Shala nuk ka kërkuar falje për gjuhën e përdorur. Por, ia dha një udhëzim kryeparlamentarit.
“Faleminderit, ma dërgoni vërejtjen me postë”, u përgjigj Shala.
Sociologu Jeton Brajshori ka thënë se gjuha e tillë është e papranueshme, aq më shumë kur bëhet fjalë për një deputet që është profesor universiteti dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve.
“Gjuha e tillë, thjesht është një gjuhë rruge, përdoret nga një akademik në Kuvend, atëherë çfarë mund të themi për një tinejxher që përdor një gjuhë të tillë në rrugë, thjesht është për keqardhje, në ndonjë vend të civilizuar... personi i tillë përveçqë do të duhej të kërkonte falje, do të duhej të jepte dorëheqje nga pozita e deputetit apo çfarëdo funksioni që ka brenda Kuvendit të Kosovës, pasi që një shprehje e tillë është e papranueshme”, ka thënë Brajshori.
KOHA ka kërkuar që të marrë një qëndrim edhe nga Lidhja Demokratike, e edhe nga Akademia e Shkencave dhe Arteve. Por, nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Në Kuvendin e Kosovës ka pasur raste më herët kur debatet kanë përshkallëzuar në fyerje e ofendime, por edhe në përplasje fizike.