Arbëri

Ahmeti: Anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës s’duhet të trajtohet si mjet pazari

Kreshnik Ahmeti - MPJD

Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të realizohet për t’i mbrojtur të drejtat e qytetarëve, e jo të trajtohet si mjet pazari apo levë presioni.

Ai ka shkruar në Facebook të martën se trajtimi i tillë ndaj Kosovës është sinjal shqetësues për rajonin, ku shtoi se “veçanërisht në kontekstin e ri pas takimeve të liderëve politikë dhe fetarë të Serbisë me presidentin Putin”.

Zëvendesministri në detyrë ka deklaruar se vonesa aktuale për adresimin e opinionit të Asamblesë Parlamentare për Kosovën është e paarsyeshme, duke thënë se është Asambleja ajo që i përcakton kriteret e anëtarësimit.

“Komiteti i Ministrave nuk ka vepruar asnjëherë në kundërshtim me opinionet e Asamblesë Parlamentare dhe vonesa aktuale në adresimin e opinionit të saj për Kosovën është e paarsyeshme. Është pikërisht Asambleja Parlamentare ajo që përcakton kriteret e anëtarësimit, siç tregojnë rastet e anëtarësimit të Monakos dhe Armenisë. Askund nuk parashihen “kritere jozyrtare”, të cilat po i kërkohen Kosovës në mënyrë të padrejtë”, ka thënë Ahmeti.

Ai u shpreh se ata që kanë shqetësime për të drejtat e pakicave në Kosovë mund t’i referohen raportit të Juristëve Eminent të Këshillit të Evropës. Ahmeti ka shtuar se ky raport thekson që Kosova i ka tejkaluar standardet ndërkombëtare mbi këtë çështje.

Sipas Ahmetit, Kosova s’ka asnjë pengesë ligjore për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, sikur secili shtet evropian.

“Megjithatë, procesi i anëtarësimit është i pakthyeshëm dhe institucionet e Republikës së Kosovës vazhdojnë komunikimin me shtetet anëtare, duke ecur me vendosmëri drejt anëtarësimit si shteti i 47-të i Këshillit të Evropës, sipas opinionit zyrtar të Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate”, ka shtuar ai.