Arbëri

Ah, Amerika...

Foto: Alban Bujari / Koha

Derisa lavdërohen për partneritet me SHBA-në dhe akuzojnë kundërshtarët politikë për antiamerikanizëm, historia politike e shumë liderëve kosovarë është plot me veprime të cilat kanë rrezikuar partneritetin me Washingtonin

Në kohën kur është rritur presioni amerikan për heqjen e pakushtëzuar të taksës ndaj mallrave me origjinë nga Serbia, është rikthyer debati nëse jemi me “Amerikën apo Evropën”. Si rëndom, pjesë e diskursit janë edhe sanksionet që mund t’i vërë Washingtoni nëse Qeveria nuk i bindet kërkesës së administratës së presidentit Donald Trump. Presioni amerikan për pezullimin e taksës ndaj importeve serbe ka futur përçarje edhe brenda koalicionit qeverisës. LDK-ja është kundër planit të Kurtit për pezullimin gradual dhe të pjesshëm të taksës, duke kërkuar që taksa të hiqet sipas kërkesës së amerikanëve. Por mbështetje propozimit të Kurtit i ka dhënë Bashkimi Evropian, përfshirë Gjermaninë, e cila është më e angazhuara në përpjekjen që Kosova dhe Serbia të shkojnë drejt një marrëveshjeje finale. Indiferent nuk ka qëndruar as presidenti Thaçi, i cili së fundi realizoi një vizitë në Shtetet e Bashkuara. Për dallim prej Kurtit, ai tashmë nuk ia njeh rolin BE-së për fazën përfundimtare të dialogut. Për më tepër, kryeqendrën evropiane pas kthimit nga SHBA-ja, Thaçi e ka pandehur për paaftësi dhe qasje ndëshkuese në raport me kosovarët.

Historiku i liderëve kosovarë është i mbushur me veprime, të cilat kanë rrezikuar partneritetin me SHBA-në.

“Presioni i mikut”

“Gabim serioz” të Kurtit e ka quajtur emisari i presidentit Trump për dialogun- Richard Grenell, paralajmërimin për heqje të pjesshme të tarifës. Kjo mjaftoi që Kurtit t’i ndizet drita e kuqe edhe nga partneri i koalicionit se marrëdhënia me SHBA-në po cenohet.

Sipas pikëpamjes së SHBA-së, pezullimi i menjëhershëm dhe i plotë i tarifës në importet nga Serbia dhe Bosnja është një masë e nevojshme për të rimëkëmbur momentumin në procesin e dialogut.

Eksperti amerikan për çështjen e Ballkanit, Daniel Serwer, ka një shpjegim për kërkesën e përditshme të zyrtarëve të Trumpit mbi liderët kosovarë. Sipas tij, amerikanët po shfrytëzojnë përçarjet politike në Kosovë dhe po u bëjnë presion miqve.

“T’u bësh presion miqve është më lehtë, sesa kundërshtarëve. Për Washingtonin është më e lehtë t’ia fusë bërrylin mikut, sesa t’ia shtrëngojë krahun kundërshtarit”, thotë Serwer. Madje, sipas tij, Kosova duhet të jetë e gatshme të largohet nga një marrëveshje e keqe, edhe nëse nxitet nga Shtetet e Bashkuara. Marrëveshje të keqe e ka kualifikuar çfarëdo ujdie që do të kishte implikime në shkëmbimin e territoreve dhe popullsisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por a mund të flitet për pasoja nëse Qeveria apo institucionet e Kosovës veprojnë në kundërshtim me qëndrimet amerikane. Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, thotë se nuk ka nevojë për sanksione, sepse ndaj Kosovës mund të përdoren shumë rrugë të tjera që nuk kanë natyrën e sanksioneve dhe që prodhojnë efekte më të mira për të gjitha palët.

“Nëse sanksionohet Kosova, një hap i tillë do të ishte i gabuar për dy arsye: e para, do të përbënte pranim të gabimit të vetë atyre që kanë krijuar Kosovën, atë që rusët e kanë trumbetuar tërë kohën duke thënë se Kosova nuk është storie suksesi, por dështim amerikan dhe perëndimor. Dhe, e dyta, një hap i tillë do të acaronte popullsinë dhe do të hapte pa nevojë hapësirë për mbështetje të Kosovës në projekte e struktura antiperëndimore, gjë që për shqiptarët do të ishte një katastrofë nacionale”, thotë Hasani. Në këtë kuptim, sipas tij, përgjegjësinë më të madhe e kanë evropianët, sepse duhet t'ua “lëmojnë krenarinë” në mënyrë të rrejshme disa prej liderëve të Kosovës, “në ndërkohë që e dinë fare mirë se nuk mund ta ndihmojnë Kosovën në projektet kyç të integrimit të saj ndërkombëtar pa mbështetjen përtej Atlantikut”.

Shtetet e Bashkuara deri tani e kanë lënë në dorën e palëve të shkojnë drejt zgjidhjes që duan. Por e kanë bërë të qartë se nuk do të jetë e pranueshme çfarëdo marrëveshje për ta. Një debat i gjatë, por që nuk prodhoi një dokument u bë javën e kaluar në Kuvend. Veç taksës, aty u diskutua edhe për rolin e Amerikës, ku opozita akuzoi kryeministrin se me qëndrimet betonuese po e rrezikon partneritetin me aleatin historik.

Politologu Belul Beqaj thotë se është shqetësues një debat i tillë.

“Është shqetësues fakti se si (mos) luajaliteti ndaj Amerikës po identifikohet me (mos) vasalitet, (mos) servilitet e jo me veprime të përgjegjshme, dinjitoze e politike, me interesa të ndërsjella. S’do mend se shqiptarët janë përjetësisht mirënjohës për kontributin e popullit amerikan dhe SHBA-së, por kjo nuk nënkupton se politikat kombëtare të Kosovës me pushtetet amerikane duhet të jenë përjetësisht të njëjta”, ka thënë Beqaj. “Kjo ngase bashkëpunimi me pushtetet duhet të ndërtohet në përputhje me interesat e ndërsjella, të cilat ndryshojnë varësisht nga konteksti i rrethanave. Në politikë, vetëm interesat janë të përhershme, rrjedhimisht ato i ndryshojnë edhe miqësitë e krijuara”.

Sipas Beqajt, ata që e shtrojnë dilemën “a jemi me Amerikën apo me Evropën” janë të marrë.

“Shteti i Kosovës është produkt i bashkëveprimit amerikano-evropian dhe perspektiva e Kosovës varet ekskluzivisht nga bashkëveprimi amerikano-evropian”, ka theksuar Beqaj.

Ndërkaq kërkesën e Thaçit për rolin udhëheqës të SHBA-së në dialog, Beqaj e ka ndërlidhur me Gjykatën Speciale.

“Presidenti Thaçi i beson edhe BE-së, por shpëtimin e vet nga Gjykata Speciale po kërkon t’ia bëjë administrata amerikane. Në këtë kuptim, vërejtja e ambasadorit Grenell se Albin Kurti ka bërë gabim serioz për dinamiken e heqjes së taksës është i vogël, krahas gabimit që e ka bërë ambasadori Grenell duke menduar se përmes të dyshuarit kryesor të Gjykatës Speciale të arrijë marrëveshje përfundimtare me Serbinë”, ka potencuar Beqaj.

Presidenti Thaçi nuk zbuloi detaje nga takimi i fundit në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Grenellit. Ai ka mohuar se ekziston një draft-marrëveshje, teksa ka konfirmuar se tashmë qendër e dialogut Kosovë-Serbi do të bëhet Washingtoni. Por dyshime se marrëveshja mund të jetë arritur ka ngritur analisti Tim Judah.

“Mund të jemi afër pikës vendimtare në dialogun Kosovë-Serbi, pas takimit të djeshëm në Washington midis Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit”. Por i shpejtë ka qenë reagimi i Grenellit, që ka mohuar se ka përpjekje të nxituara për arritjen e një marrëveshjeje. Gazeta ka pyetur në Zyrën e Grenellit, përkitazi me raportet mes dy vendeve dhe fazën finale të dialogut. Zëdhënësi Dick Custin i ka thënë “Kohës Ditore” shkurt se ambasadori Grenell do të vazhdojë rolin e tij si emisar i posaçëm në dialogun Kosovë-Serbi edhe pas largimit nga posti i ambasadorit në Gjermani.

Gazeta ka adresuar pyetje edhe në Ambasadën e SHBA-së për pritjet që kanë nga Kosova, kur vjen puna te politika e jashtme dhe dialogu Kosovë-Serbi. Si përgjigje na kanë referuar disa qëndrime të ambasadorit amerikan, Philip Kosnett, të dhëna në takime të ndryshme. I fundit është një fjalim i tij në Konsullatën e Kosovës në New York.

“Është e vërtetë që qeveritë tona jo gjithmonë do të bien dakord për secilën çështje. Kjo është normale në një partneritet të pjekur. Mund të ketë raste kur marrëdhëniet midis qeverive bëhen të tendosura, dhe ka pasoja. Por nuk kam dyshim se lidhja themelore midis dy demokracive tona është dhe do të mbetet e qëndrueshme”, kishte thënë Kosnett më 28 shkurt.

Marrëdhënien me Kosovën, SHBA-ja e ka të fokusuar në tri prioritet kyç- paqe, drejtësi dhe prosperitet.

Me paqe, SHBA-ja nënkupton marrëdhënie më të mira midis Kosovës dhe fqinjëve të saj, veçanërisht Serbisë, por edhe lidhjeve paqësore, fqinjësore ndërmjet komuniteteve etnike brenda Kosovës.

Kur flitet për drejtësi, Amerika e thekson luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, ndërtimin e një sistemi efikas gjyqësor dhe një force policore në të cilën besojnë qytetarët.

Prosperiteti për zyrtarët amerikanët nënkupton zhvillim më të madh ekonomik, si dhe mundësi të barabarta në punësim.

Me rolin e ndryshuar amerikan, Serbisë i rriten ambiciet

Veriu i Kosovës popullohet me shumicë serbe dhe vazhdon t’i ruajë lidhjet me Serbinë, megjithëse Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen e 19 prillit për integrimin e kësaj pjese brenda juridiksionit vendor. Megjithatë, katër komuna atje vazhdojnë të përmenden në kontekst të pazarit që mund të bëhet me Serbinë. Beogradi zyrtar ka shfaqur synimin që këtë pjesë t’ia shkëpusë Kosovës. Rolin e amerikanëve në fazën e ardhshme të dialogut nuk e kontestojnë as serbët. Madje, shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, në disa raste ka përmendur ndryshimin e qëndrimit amerikan në raport me çështjen e Kosovës. Sipas tij, në administratën e Trumpit për herë të parë është shtruar pyetja se çfarë pret Serbia nga marrëveshja finale, “për dallim prej atyre të mëparshmeve që thoshin se Pavarësia e Kosovës është e panegociueshme”.

Për ndryshim kufijsh ka folur edhe presidenti Thaçi, që e ka transformuar disa herë idenë e “korrigjimit” në shkëmbim territoresh. Mesazhin e pati dhënë, teksa ka përmendur “dhuratën” e Aleksandar Rankoviqit. Rankoviçi ka qenë një prej autoriteteve kryesore të Jugosllavisë përgjatë viteve ’50, ’60 dhe ’70 të shekullit të shkuar. Me qëllimin për ta rritur përqindjen e serbëve në Kosovë, disa territore që u takojnë komunave në veri, Leposaviq e Zubin-Potok, ia kishte bashkëngjitur Kosovës.

Thaçi i premtoi edhe Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit se do ta institucionalizojë plebishitin e vitit 1992, për bashkëngjitje me Kosovën. Përfaqësuesit shqiptarë atje vazhdimisht kanë kërkuar reciprocitet me veriun e Kosovës. Por në shtatë vjetët e dialogut, që kryesisht është udhëhequr nga Thaçi, kërkesat e tyre nuk janë shqyrtuar asnjëherë. Të dështuara kanë rezultuar edhe përpjekjet e mëhershme të Luginës që të imponohen në dialogun Kosovë-Serbi.

Kërkesë tjetër e serbëve, në kuadër të marrëveshjes finale, vazhdon të mbetet Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive.

Më 23 dhjetor të vitit 2015, Kushtetuesja pati konstatuar shkelje në të shtatë kapitujt e Marrëveshjes së Parimeve për Asociacionin/Bashkësinë, e nënshkruar në gusht të vitit 2015. Sipas Kushtetueses, objektivat e Asociacionit/Bashkësisë, të definuara në aktin juridik dhe në Statut, duhet të garantojnë standardet kushtetuese për vetëqeverisje lokale. Gjykata ka gjetur se Asociacioni nuk mund të vishet me autoritet të plotë dhe ekskluziv për të promovuar interesat e komunitetit serb të Kosovës në marrëdhëniet me autoritetet qendrore. Serbia ka pretendime t’i fusë nën autoritetin e Asociacionit/Bashkësisë edhe dy resurset kryesore të Kosovës - Liqenin e Gazivodës dhe “Trepçën”.

Me gjithë shkeljet e konstatuara, ish-kryeministri, Isa Mustafa, e pastaj Ramush Haradinaj patën refuzuar ta hedhin poshtë marrëveshjen, duke thënë se përmirësimet e shkeljeve do të bëhen në Statut. Kryeministri Kurti e ka përjashtuar mundësinë që serbëve t’u lejohet një Asociacion/Bashkësi.

Aktualisht dialogu është në bllokadë, për shkak të taksës. Ndërkohë Serbia po vazhdon me të gjitha mjetet ta sfidojë shtetin e Kosovës, duke lobuar për çnjohje. Sipas tyre, ky numër tashmë ka shkuar në mbi 15, derisa Kosova pretendon se subjektivitetin ia kanë njohur 116 shtete të botës.

Kërcënime me sanksione

Taksa ndaj mallrave serbe ia kishte lënë mandatin në gjysmë qeverisë së kaluar të udhëhequr nga Haradinaj. Kjo temë kishte futur përçarje mes Haradinajt e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli. Ky i fundit pati propozuar pezullim të takës për 120 ditë si përgjigje ndaj kërkesës së SHBA-së, për t’i dhënë shans arritjes së marrëveshjes. Por Haradinaj refuzonte. Megjithëse Qeveria i mohonte, SHBA-ja pati nisur së aplikuari sanksionet e para ndaj Kosovës.

Ish-kryeministri Haradinaj nuk ishte pajisur me vizë për të udhëtuar në SHBA për Lutjet e Mëngjesit në janarin e vitit 2019, një gjeneral i lartë amerikan kishte anuluar vizitën e caktuar më herët, me rastin e 11- vjetorit të Pavarësisë. Ishte paralajmëruar që programet trajnuese, edukative dhe vizitat ushtarake të FSK-së në SHBA të anulohen. Por dorëheqja e Haradinajt dhe fitorja e opozitës që premtonte heqjen e taksës dhe vendosjen e reciprocitetit, bëri që SHBA-ja mos t’i vërë në zbatim masat e paralajmëruara.

Veprimet e lidershipit kosovar edhe në raste të tjera kanë qenë në kundërshtim me politikën e Amerikës. Thaçi, Veseli dhe Haradinaj ishin kërcënuar me izolim në fund të vitit 2017, kur ndërmorën nismën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, e cila do t’i ndjekë krimet e supozuara të UÇK-së. Pas presionit ndërkombëtar - Thaçi, Haradinaj e Veseli ishin zmbrapsur nga cytja për ta paralizuar Specialen, nëpërmjet votës së deputetëve të Kuvendit.

Ish-ambasadori amerikan, Greg Delawie, pati kërcënuar Kosovën me izolim, nëse udhëheqësit nuk zmbrapsen nga kjo mësymje. I pari që iu bind atij ishte presidenti Thaçi, i cili në shkurt të vitit 2018 thirri një konferencë shtypi, ku tha se po e jepte qëndrimin shtetëror për Specialen. Aty pranoi pamundësinë që ajo të shfuqizohet.

Se ka qenë kështu, e ka pranuar edhe ish-kryeministri Haradinaj. E pati thënë këtë në kontekst të rezistencës që i bënte presionit për pezullimin e taksës. Sipas Haradinajt, Specialen deshën ta paralizojnë për ta shpëtuar vetveten nga ndjekja dhe se nuk ua ndiente për raportet që mund të prishen me Amerikën.

“Nuk na e nijke për miqësinë dhe të njëjtit njerëz kemi qenë - Hashimi, Kadria, Ramushi. Pesë pare nuk i jepshim. Ata çdo ditë dilshin na bënin presion - mos e prekni ligjin se është kundër nesh. Na hiç, se e kishim për veti. Veç nuk i bëmë votat se e kishim rrëzu”, kishte thënë Haradinaj në janar të vitit 2019.

Por një përpjekje tjetër Thaçi e ka pasur edhe në fundvitin e kaluar, sërish duke i vënë në sprovë amerikanët. “Koha Ditore” gjatë javës zbuloi një komunikim që Thaçi ka pasur me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo. Duke iu përgjigjur “shqetësimit” të Thaçit, në letrën që mban datën 29 nëntor, Pompeo e njoftonte atë me pasojat që do t’i vuante Kosova nëse e pengon punën e Speciales.

“Shfuqizimi ose minimi i punës, strukturës ose lokacionit të Dhomave të Specializuara ose Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në çfarëdo mënyre do ta dëmtonte seriozisht kredibilitetin e Kosovës në botë; pretendimet do të mbeteshin njollë e përhershme mbi Kosovën; do të vihej në dyshim përkushtimi i Kosovës në sundimin e ligjit; mohohet drejtësia për viktimat; dhe e mjegullon të ardhmen e Kosovës si anëtare e familjes euro-atlantike dhe komunitetit ndërkombëtar. Operimi i Dhomave të Specializuara, sipas formatit aktual, është mënyra më e mirë që Kosova ta përmbyllë këtë kapitull të historisë së saj dhe për t’ia mundësuar Shteteve të Bashkuara t’i kundërshtojnë argumentet e mohuesve të shtetit të Kosovës...”, shkruan mes tjerash në letrën e Pompeos dërguar Thaçit.

Gjykata Speciale formalisht është pjesë e sistemit kosovar të drejtësisë, por e vendosur në Hagë të Holandës dhe e përbërë vetëm nga gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtarë. Ajo e ka në juridiksion t’i trajtojë krimet e luftës që pretendohet t’i kenë kryer pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, funksione me peshë në të cilën kishin tre liderët shtetërorë, presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentari Veseli e ish-kryeministri Haradinaj. Në raportin e senatorit Dick Marty, mbi bazën e të cilit është themeluar gjykata, Thaçi e Veseli përmenden si përgjegjës për disa nga krimet. Akuzat e Dick Martyt ia kanë krijuar Thaçit një imazh dyshues përtej Kosovës. Ai i ka quajtur shpifje akuzat, por nuk ka bërë një padi kundrejt senatorit Marty, të cilën e kishte premtuar.

Roli historik i Amerikës

Roli historik i Shteteve të Bashkuara në çlirimin e vendit dhe shpalljen e pavarësisë nuk mohohet prej askujt në Kosovë.

“Politika amerikane për Kosovën në marrëdhëniet ndërkombëtare ka përfaqësuar një aleat të fortë që ka çarë rrugën e saj drejt pavarësisë dhe integrimit në botë”, thotë profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani. Megjithatë, ai ka folur për ndryshimin e politikës amerikane në administratën e presidentit Trump.

“Ka ndryshuar shumë në kuptim të asaj që Kosova tanimë paraqet një barrë për amerikanët, sepse politika e tyre ndaj Rusisë është shumë më tolerante se në secilën fazë pas mbarimit të Luftës së Ftohtë. E thënë me fjalë të tjera, nevoja e amerikanëve për një rol konstruktiv rus në Lindje të Mesme dhe për siguri të Izraelit ka bërë që të ketë një afrim më të madh me Rusinë”, shprehet Hasani.

“Ky lloj dorëzimi amerikan ndaj Rusisë, megjithatë, mendoj se ka qenë gabim për shkak se mbështetja ruse për Iranin nuk është e sinqertë dhe bazohet në kalkulimet ruse për vetveten kundrejt Iranit. Përveç kësaj, Rusia fuqishëm është duke përdorur ndikimin e saj në Serbi për të sabotuar çdo progres evropian në sferën e sigurisë. Në fakt, lëshimet amerikane ndaj Rusisë e kanë bërë Evropën edhe më të varur nga Rusia”.

Politologu Beqaj thotë se, politikat paraprake të Bushit, Klintonit dhe Obamas për bazë të angazhimit e kanë pasur interesin strategjik të Amerikës, regjionit dhe të Kosovës.

“Politika e administratës Trump është fokusuar para së gjithash për përfitime zgjedhore duke injoruar pasojat eventuale strategjike, regjionale dhe Kosovës në saje të zgjidhjes reale”, ka theksuar Beqaj.

“Mendoj se rolin e padefinuar, por insistues amerikan nuk duhet ta pranojmë e as ta refuzojmë derisa të mos harmanizohet me BE-në”, ka potencuar Beqaj, duke komentuar kontekstin e dialogut me Serbinë dhe rolin amerikan.

Përpjekjet e Kosovës për liri janë të hershme dhe pashmangshëm të ndërlidhura me rolin e Shteteve të Bashkuara.

Pak para përfundimit të mandatit dhe transferimit të detyrimeve presidenciale te Bill Clinton, George Bushi i vjetër bëri dy lëvizje të politikës së jashtme: miratoi dërgimin e trupave amerikane në Somali dhe i dërgoi presidentit serb, Slobodan Milosheviq, të ashtuquajturin “Paralajmërim të Krishtlindjeve”. Më 24 dhjetor të vitit 1992 një përfaqësues i Ambasadës amerikane në Beograd ia përcolli mesazhin Milosheviqit dhe ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, Zivota Paniq.

Dario Malnar në librin “SHBA-ja dhe Kosova” (Botimet KOHA, Prishtinë, 2013) shkruan se paralajmërimi kishte të bëjë me atë se “në rast të konfliktit në Kosovë, të shkaktuar nga veprimi serb, SHBA-ja do të jetë e gatshme të përdorte forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në vetë Serbinë”. Në analizat e politikës amerikane ndaj Kosovës “Paralajmërimi i Krishtlindjeve” ka rëndësi të veçantë, sepse përfaqëson një hap të rëndësishëm të administratës së Bushit, për zgjidhjen e krizës në territorin e ish-RSFJ-së, përfshirë Kosovën.

Ish-përfaqësuesi special për Ballkanin, ambasadori Robert S. Gelbard, qëndrimin e proklamuar nga Bushi e përmendi gjashtë vjet më pas, kur Serbia nisi luftën në Kosovë. Më 23 korrik 1998 në paraqitjen para Këshillit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Dhomës së Kongresit, Gelbart, dhe zëvendëssekretari i Mbrojtjes, Walter B. Slocombe, deklaruan se nuk ka asnjë dyshim se SHBA-ja e ka ruajtur të drejtën për veprim të njëanshëm. Siç shkruan autori kroat Malnar, kjo tregon ngritje të reflektimit të SHBA-së se konflikti mund të përfundojë vetëm me veprime ushtarake, ndërsa parakusht për aksionin ushtarak është përcaktimi i njërës palë si iniciatore e problemit. Kjo në rastin e Kosovës, ishte politika agresive e Beogradit. Por Samuel Berger, këshilltar për sigurinë kombëtare, thoshte se “Paralajmërimi i Krishtlindjeve”, nuk kishte qenë i përpiktë. Sipas tij, administrata e Clintonit konsideronte se veprimi kundër Serbisë, në mënyrë që të jetë kuptimplotë, duhet të jetë shumëpalësh- duhej të jetë angazhim i NATO-s e jo i SHBA-së. Berger shtonte se ishte e dyshimtë nëse SHBA-ja do të mund të kryente veprime në mënyrë të pavarur kundër Milosheviqit. Prandaj, SHBA-ja veproi në dy drejtime.

U përpoq t’i hapte negociatat që do të çonin në shpërshkallëzim dhe filloi aktivitetet për të arritur konsensus brenda NATO-s për të ashtuquajturin ‘Act Toward’ (Veprimi i drejtë v.j.), që në të vërtetë ishte gatishmëria e NATO-s për të përdorur forcën ushtarake. Një konsensus i tillë vlerësohej se do të mund të arrihej deri në vjeshtën e vitit 1998. Por nuk doli ashtu. Ndërkohë, diplomati amerikan, Christopher Hill, kishte nisur angazhimet intensive në gjetjen e opsioneve politike për zgjidhjen e konfliktit. Mirëpo, kushtet e pafavorshme, problemet e Clintonëve në SHBA, pastaj ofensiva serbe në Kosovë, i reduktuan ambiciet e misionit të Hillit. Dinamikë procesit të ndërhyrjes së NATO-s, përveç SHBA-së, i kishte dhënë edhe Britania e Madhe, përkatësisht kryeministri Tony Blair. Ish-sekretarja e Shtetit, Madeline Albright, ishte edhe më e drejtpërdrejtë duke e porositur Milosheviqin se në qoftë se nuk e përfundon ofensivën dhe represionin në Kosovë, ka një vullnet dhe unitet për të ndërhyrë.

Fushata 78-ditëshe e udhëhequr nga SHBA-ja

Angazhimi diplomatik gjatë viteve 1998-99, i cili u kurorëzua me Konferencën e Rambujesë, nuk i dha fund krizës në Kosovë. Prezenca e palëve në kështjellën franceze ishte siguruar nën kërcënimin e përdorimit të forcës nga ana e NATO-s. Refuzimi i Milosheviqit që të firmosë marrëveshjen, solli operacionin ushtarak “Allied Force” (Forca aleate v.j.). Sulmet mbi infrastrukturën serbe nisën më 24 mars, dhe zgjatën deri më 10 qershor 1999. Ish-presidenti amerikan, Clinton, kishte shpjeguar qëllimet e fushatës së NATO-s në fjalimin e tij televiziv po atë natë. Ai e dëshmoi seriozitetin e reagimit të NATO-s kundër agresionit serb dhe ndaljen e sulmeve të shfrenuara të Milosheviqit në Kosovë. Qëllimi ishte të dëmtohen seriozisht kapacitetet ushtarake të ish-Jugosllavisë për të bërë luftë në të ardhmen.

Gjatë fushatës 78-ditore, aeroplanët nga 13 shtete anëtare të NATO-s i bënë 38 mijë e 400 fluturime, nga të cilat në 10 mijë e 484 fluturime u bënë bombardime. Nga ajri ishin hedhur gjithsej 26 mijë e 614 projektilë. Në këtë fushatë, SHBA-ja i realizoi mbi 60 për qind nga numri i tërësishëm i fluturimeve dhe mbi 80 për qind nga numri i tërësishëm i goditjeve. SHBA-ja, po ashtu, e kishte rolin dominues në realizimin e aspekteve më moderne të fushatës ajrore.

Kosova e shpalli Pavarësinë më 17 shkurt 2008, ku shtytje vendimmarrjes i dha një deklaratë e presidentit amerikan, George W. Bush, i cili nga Tirana tha se “mjaft është mjaft, Kosova duhet ta ketë pavarësinë”.

Mes kundërshtimit të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, Kosova para një viti i dha start transicionit të Forcës së Sigurisë drejt shndërrimit në Ushtri. Por, kjo vendimmarrje, për të cilën kishin nisur përpjekjet para pesë vjetësh, u bë me izën e Shteteve të Bashkuara.