Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

AGK-ja: Fushatë e pandalshme e Qeverisë dhe VV-së për delegjitimim të punës së gazetarëve

mediat ilustrim

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka deklaruar se gazetarët në Kosovë vazhdojnë të ballafaqohen me një numër sfidash për kryerjen e punës së tyre.

Në një postim në Facebook, AGK-ja ka deklaruar se kryesorja mbetet një fushatë e pandalshme nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe partisë politike në pushtet, Vetëvendosje, në përpjekje për të delegjitimuar punën e gazetarëve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Gazetarët dhe mediat mbesin cak i sulmeve nëpërmjet fjalorit denigrues që ka për qëllim uljen e besimit të publikut në raportimin e tyre.  AGK-ja i bën thirrje Qeverisë në detyrë, Vetëvendosjes dhe gjithë akterëve politikë që të respektojnë dhe të mos e pengojnë punën e gazetarëve, si faktor kyç në zhvillimin demokratik të vendit. AGK-ja shpreh shqetësim që shumica parlamentare, në një procedurë të shpejtë dhe të komprometuar, ka zgjedhur anëtarët e bordeve të RTK-së dhe KPM-së, që ka rezultuar, siç kemi paralajmëruar, në tendencë të hapur për kontrollimin politik dhe partiak të të dyja institucioneve”, thuhet në komunikatë.

AGK-ja tutje ka deklaruar se vëren përmirësimin në renditjen e Kosovës në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij këtë vit, i cili, sipas këtij  Asociacioni, ka ndodhur për shkak të vendimit meritor të Gjykatës Kushtetuese që e ka shpallur antikushtetues Ligjin për KPM-në, të miratuar në Kuvend nga Vetëvendosje.

“Nëpërmjet këtij vendimi dhe të tjerëve, sistemi gjyqësor mbetet garantuesi më i rëndësishëm i lirisë së medias në Kosovë. Kjo reflektohet edhe në miratimin e Strategjisë së KGJK-së që do t’u japë prioritet rasteve të gazetarëve. AGK-ja bën thirrje për politika më të ashpra ndëshkimore në rastet kur gazetarët janë viktima të sulmeve. AGK-ja vazhdon të mbetet e përkushtuar për sigurinë e gazetarëve, duke i dokumentuar dhe denoncuar ato e duke punuar me organet e sigurisë e drejtësisë për zgjidhjen e rasteve”, thuhet në njoftim.