Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Agim Ramadani u portretizua si arkitekt i thyerjes së madhe

Agim Ramadani

Djali i heroit Agim Ramadani ka dhënë mesazhe për unitet politik e përgjegjësi kolektive, gjatë fjalës së mbajtur në përvjetorin e rënies së komandantit “Katana”. Në ngjarjen që shënon edhe Ditën e Dëshmorëve të Betejës së Koshares, është vlerësuar lart sakrifica e të gjithë atyre që u përfshinë në operacionin për ta thyer kufirin Shqipëri-Kosovë

Si arkitekti i thyerjes së madhe është portretizuar heroi Agim Ramadani, në 27-vjetorin e rënies së tij në Betejën e Koshares.

Në Ditën e 114 dëshmorëve të kësaj beteje, është vlerësuar lart edhe guximi i të gjithë atyre që thyen ushtrinë serbe dhe shembën gurët e parë të kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, i cili ishte komandant në këtë betejë, tha se Agim Ramadani zotëronte disiplinën dhe ftohtësinë e duhur për betejë.

“Agimi nuk projektonte vetëm sulmet në letër. Ai hartonte çdo detaj të operacioneve në terrene më të thyera duke ndarë çdo rrezik e çdo vështirësi. Ai dëshmoi se një komandant i madh është ai që prin në rresht të parë, që vlerëson ushtarin si pasurinë më të shtrenjtë të kombit dhe që nuk kërkon sakrificën nga të tjerët pa dhënë shembullin personal i pari”, ka thënë Quni.

Akademia përkujtimore u organizua nën patronatin e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila nuk mori pjesë në të shkaku i një rasti në familje.

E, në emër të saj foli nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola, i cili tha se thyerja e kufirit në Koshare simbolizoi çlirimin e dyfishtë, territorial dhe të brendshëm, duke çliruar edhe vetëdijen kolektive nga kufizimet e frikës dhe pamundësisë. Edhe ai vlerësoi lart shembullin e komandant “Katanës”.

“Agim Ramadani nuk hyri në luftë, sepse nuk kishte rrugë tjetër. I kishte të gjitha arsyet për të qëndruar në Zvicër, ama nuk qëndroi. E braktisi komoditetin e të qenit evropian dhe iu bashkua shokëve e shoqeve, sepse nuk mund ta ndante jetën e tij nga ajo që po i ndodhte vendit ku ishte lindur dhe rritur. Ai e kuptoi herët që pritja nuk mjafton, prandaj nuk e la këtë pyetje të mbetej në varg”, ka theksuar Gola.

Krahas shumë familjarëve të dëshmorëve, ish-pjesëtarëve të UÇK-së që morën pjesë në Betejën e Koshares, e të shumë qytetarëve, në akademinë përkujtimore morën pjesë edhe përfaqësues politikë të taborëve të ndryshëm.

Para tyre, mesazh për unitet e përgjegjësi kolektive dha djali i Agim Ramadanit.

“Lufta nuk mbaron me armë, ajo vazhdon në mënyrën sesi jetojmë dhe si e mbrojmë njëri-tjetrin dhe si e mbrojmë shtetin tonë. Për mua, ju jeni vazhdimi i tij. Sot Kosova ka nevojë për ju, për unitetin, vendosmërinë, për dashurinë ndaj atdheut. Në emër të familjeve të dëshmorëve ju lutem që të rrini bashkë, mos lejoni që sakrifica të zbehet. Ndërtoni shtetin ashtu siç e ëndërruan ata që dhanë gjithçka. Ata jetojnë në ne”, ka thënë Jeton Ramadani, djali i heroit Agim Ramadani.

Beteja e Koshares nisi më 9 prill të vitit 1999 dhe vazhdoi deri më 10 qershor të atij viti, kur forcat serbe nisën të largohen nga Kosova. Në të ranë 114 dëshmorë, e më shumë se 100 ushtarë serbë u vrarë, por Beogradi zyrtar kurrë nuk e ka dhënë numrin e saktë.