Dhjetë ditë më parë, deputeti i opozitës parlamentare Halit Valteri ka shpërthyer në akuza në parlament ndaj biznesmenit Shefqet Kastrati dhe qeverisë. Valteri tha se “Kastrati Group” ka marrë porte e aeroporte dhe një drejtori doganash, duke pyetur nëse cenohet kështu siguria kombëtare. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë indiferentin lidhur me transaksionin, ndërsa ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, të paditurin
Aeroporti i Rinasit ka kaluar 100 për qind në pronësi të “Kastrati Group”.Koncesioni i aeroportit të vetëm në Shqipëri , atij të Rinasit, i kalon zyrtarisht “Kastrati Group”, pasi kjo kompani blen 100% aksionet e Aeroportit të Rinasit me 71 milionë euro. Marrëveshja 71 milionë-euroshe është pasqyruar tashmë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, duke shënuar largimin e grupit kinez. Referuar të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit, transaksioni është realizuar për 100 për qind të aksioneve. Shitja është bërë nga “Real Fortress Private Limited”, në pronësi të grupit kinez të shërbimeve financiare “China Everbright”.
Sipas dokumenteve, kjo marrëveshje është nënshkruar më 1 dhjetor 2020 kundrejt një pagese 71 milionë euro përmes dy kësteve dhe është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit 17 ditë më pas. Kështu që nga muaji i ardhshëm, menaxhimi i aeroportit do të bëhet nga shqiptarët deri në përfundimin e periudhës koncesionare që është fundi i vitit 2027. Më pas, qeveria do të vendosë se ç’do të bëjë me këtë aset publik. Pas aeroportit të Kukësit, Rrugës së Kombit dhe portit të mallrave në Porto Romano, grupi “Kastrati” ka blerë aksionet e kompanisë kineze “Real Fortress Private Limited”, e cila zotëron 100% të aksioneve të “Tirana International Airport”. Koncesioni i aeroportit është një ndër fitimprurësit më të mëdhenj në Shqipëri. “Kastrati Group” ka ushtruar kryesisht aktivitetin në fushën e tregtimit me pakicë dhe shumicë të hidrokarbureve, por që vitet e fundit ka shtrirë aktivitetin në sektorin e sigurimeve, ndërtimit, turizmit dhe tashmë në transportin ajror. Në prill të vitit 2016 grupi kinez “China Everbright” njoftoi se kishte nënshkruar blerjen me 82.25 milionë euro të Tirana International Aeroport. Koncesioni i është dhënë fillimisht filialit “Real Fortress Private Limited”, një kompani offshore me seli në Singapor në vitin 2004 me një afat 20-vjeçar. Të premten, gazetarët e kanë pyetur kreun e qeverisë Edi Rama dhe ministren e Infrastruktures Belinda Balluku mbi zërat se grupi Kastrati po kërkon që të blejë nga TIA koncensionin për aeroportin e Rinasit.
Kryeministri I Shqipërisë Edi Rama ka bërë indiferentin lidhur me transaksionin, ndërsa ministrja e Infrastruktures Belinda Balluku, të paditurin.
“Në këtë rast nuk bëhet fjalë për një aset publik, bëhet fjalë për një aset privat. Aeroporti është privat në kuptimin që është në duart e privatëve. D.m.th, është një pronë publike që administrohet nga privatët. Nuk është një pronë që administrohet nga shteti dhe shteti nuk ka asnjë rol në aksione, sa jepen, sa merren, sa dalin, sa hyjnë, kush e shet, kush e blen. Të mos harrojmë që koncesionari që ka sot aeroportin është i dyti në radhë. Ka pasur të tjerë, ia kanë kaluar këtij dhe se çfarë bën ky dhe ku i çon aksionet është puna e tij. Sigurisht, në momentin kur ndodh një transferim aksionesh, qeveria ka të gjithë detyrën dhe të drejtën të ndërhyjë për të parë rregullshmërinë, zbatimin e të gjitha kritereve e kështu me radhë. Nuk është asnjë çudi që të jetë e vërtetë, sikundër nuk është asnjë çudi që të jetë një proces, siç ka pasur në vijimësi dhe siç ka në vijimësi, mes kompanive private. Nuk ka asnjë problem”, deklaroi Edi Rama. Ndërkohë që ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, në përgjigje të pyetjes deklaroi se nuk kishte informacion se koncesionari i Aeroportit të Rinasit ka vendosur që të shesë koncesionin.
“Ne nuk kemi asnjë informacion, pra, si Ministri e Infrastrukturës dhe e Energjisë dhe jo më që të të jap përgjigje se çfarë po bën grupi Kastrati dhe çfarë po bën koncesionari i Tiranës, apo ndoshta dhe ndonjë grup tjetër. Nëse koncesionari i TIA-s ka vendosur që të shesë koncesionin, nuk kam asnjë informacion të tillë. Ne nuk involvohemi në faza të tilla. Kur të jetë diçka konkrete dhe diçka konkrete për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë do të thotë kur të vijë kërkesa për transferim të aksioneve, atëherë, unë mund të shprehem. Deri atëherë, ne nuk kemi asnjë informacion dhe unë nuk kam asnjë pozicion për këtë çështje”, deklaroi Balluku. Dhjetë ditë më parë, deputeti i opozitës parlamentare Halit Valteri ka shpërthyer në akuza në parlament ndaj biznesmenit Shefqet Kastrati dhe qeverisë.
Valteri tha se “Kastrati Group” ka marrë porte e aeropore dhe një drejtor doganash, duke pyetur nëse cenohet kështu siguria kombëtare. “Shefqet Kastratit i keni dhënë plot 500 milionë euro tenderë sot. Rrugën e Kombit, Porto Romanon, tashmë do ta blejë dhe aeroportin e Rinasit. Pyetja është që një biznesmen ka një aeroport, ka një port, ka vënë dhe një drejtor doganash. A është e kërcënuar siguria kombëtare kur ortaku i Lonit të Bankersit që vjedh pasuritë kombëtare drejton shtetin dhe disa ministra prej jush. Sjell në këtë parlament disa deputetë me paratë e tij, financon qeverinë, opozitën. Shumë këtu e kanë mbyllur gojën nga Kastrati. Pse nuk çoheni të flisni për njeriun që vjedh shqiptarët? Kujdes me ligjet që votoni dhe anëtarët që çoni në gjykatën kushtetuese, sepse janë njerëz që paguhen nga oligarkë”, deklaroi nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë deputeti, Halit Valteri.