Arbëri

Partitë në garë për aderime

Partia Demokratike ka prezantuar të mërkurën bashkëpunimin gjatë zgjedhjeve të ardhshme me ish-deputetin e Vetëvendosjes, Eman Rrahmani, i cili në zgjedhjet e 9 shkurtit i ka prirë Listës për Familjen. Krahas tij, PDK-së i është bashkuar edhe hematologu Adriatik Berisha, i cili qe bërë i njohur publikisht pas vizitës që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ia ka bërë babait i tij në spital. Në LDK ka aderuar inxhinieri i teknologjisë, Ermal Sadiku, ndërsa në AAK profesionisti nga fusha e teknologjisë dhe e inxhinierisë Mumin Morina

 

Dy ish-deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Eman Rrahmani dhe Visar Korenica, të cilët në zgjedhjet e kaluara parlamentare patën garuar me “Listën për Familjen”, të mërkurën i janë bashkuar Partisë Demokratike (PDK), si pjesë e aderimeve partiake para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Bashkëpunimin me Rrahmanin dhe Korenicën e ka vlerësuar lartë kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, duke e vlerësuar adresimin e tyre si vlerë të shtuar për partinë dhe për vendin.

“Qëllimi i këtij koalicioni është që t’i bashkojmë forcat në funksion të asaj që të bëjmë progres dhe ta ndryshojmë gjendjen në vend, duke përfshirë ekonominë, drejtësinë, arsimin, shëndetësinë, emergjencat, sigurinë dhe, normalisht, duke pasur kujdes edhe për mirëqenien dhe familjen. Jam i bindur që ky është një koalicion i qëndrueshëm dhe se do të kemi sukses”, është shprehur Hamza.

E Rrahmani e ka quajtur Hamzën figurë unifikuese teksa ka theksuar se para aderimit në PDK ai ka zhvilluar negociata edhe me Lidhjen Demokratike (LDK).

“E kemi diskutuar çështjen e zhvillimit, energjinë, aspektin social dhe familjen në përgjithësi dhe kemi arritur dakordim të plotë me të gjitha pikat,  jemi dakorduar dhe zotuar për një angazhim të përbashkët në ngritje të mirëqenies, familjes, të identitetit tonë por edhe punët që e presin vendin tonë. Me Hamzën kemi pasur bashkëpunime të vazhdueshme, ndaj edhe si një figurë unifikuese dhe profesionale sidomos në fushën ekonomike, sot vendi ka nevojë që ne të bashkojmë forcat dhe të bëjmë rrugëtim politik të dinjitetshëm”, ka theksuar Rrahmani, i cili para zgjedhjeve të 9 shkurtit u pati larguar nga LVV-ja për shkak të kundërshtimit ndaj ndryshimeve në Kodin Civil që i lejon martesat mes gjinisë së njëjtë.

Për këtë çështje ai ka thënë se nuk ka ndryshuar qëndrim.

Në PDK gjatë të mërkurës ka aderuar edhe hematologu Adriatik Berisha, i cili u pati bërë i njohur publikisht pas vizitës që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ia ka bërë babait i tij në spital.

Berisha ka qenë një nga mjekët që e ka përcjellë gjendjen shëndetësore të babait të Thaçit dhe është parë teksa e ka shoqëruar atë gjatë largimit nga Qendra Klinike Universitare (QKUK).

“Ekipit tonë iu bashkua një profesionist i jashtëzakonshëm: hematologu i njohur, dr. Adriatik Berisha. Përveç ekspertizës së tij, ai ka treguar gjithmonë përkushtim, humanizëm dhe vlera të forta atdhetare. Kosova ka nevojë për profesionistë dhe PDK-ja është shtëpia e tyre. Mirë se erdhe në familjen tonë politike, dr. Adriatik!”, ka shkruar Hamza në njoftimin në Facebook për aderimin në partinë e tij të Berishës.

Aderime ka pasur gjatë ditës edhe në Lidhjen Demokratike. Kësaj partie i është bashkuar inxhinieri i teknologjisë, Ermal Sadiku.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka prezantuar Sadikun si një prej emrave më të shquar të industrisë, inovacionit dhe sipërmarrjes teknologjike në Kosovë.

“Ardhja e tij dhe e shumë të tjerëve që po na bashkohen është një thirrje e qartë për bashkim të secilit që beson se vendi meriton më shumë; që dëshiron ndryshim dhe angazhohet për të”, ka shkruar Abdixhiku.

Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se radhëve të partisë së tij i është bashkuar inxhinieri i ujërave, Mumin Morina.

Në prag të zgjedhjeve të parakohshme dhe të fillimit të fushatës elektorale, gara për sigurimin e figurave të reja nëpër parti është nxehur. Deri më tash vetëm më Lëvizjen Vetëvendosje nuk është prezantuar asnjë prurje e re.