Arbëri

Abdullahu: Kemi dallime të mëdha me VV-në, preferojmë të shkojmë me partitë e tjera

Faton Abdullahu PDK

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu, ka deklaruar se dallimet e mëdha që i kanë me Lëvizjen Vetëvendosje bëjnë që të kenë më tepër mundësi për një bashkëpunim me partitë e tjera.

Abdullahu ka deklaruar të hënën në “60 Minuta” të KTV-së se është pro idesë që të bashkohen me partitë e tjera, në mënyrë që të shohin një mundësi zgjidhjeje të kësaj krize.

“Megjithatë, kemi dallime të mëdha me Vetëvendosjen. Dallime që mund të jenë pengesa për të qenë konstruktivë në rrugën për demokratizimin e Kosovës. Ne partitë që ishim opozitare të bëhemi bashkë. Ajo që na bashkon, aq sa dallojmë me Vetëvendosjen. Jemi parti në vete. Kemi dallime edhe me partitë e tjera, por është vlerësuar se para se të shkojmë me partitë e tjera, ne preferojmë të shkojmë me partitë opozitare. Po na u dha kjo mundësi që na takon, do ta provojmë. Nuk është e lehtë, jemi të vetëdijshëm, por duhet të punojmë”, ka thënë Abdullahu.

Zyrtari i PDK-së u shpreh se Vetëvendosje po mban inati politik duke e propozuar Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, paçka se tha që ajo s’i ka votat për të kaluar.

“Deri më tani, propozimi i Vetëvendosjes nuk është gjithëpërfshirës, në kuptimin që është person i pranueshëm. VV-ja është ajo që duhet të jetë edhe moralisht edhe politikisht, edhe institucionalisht mbi të gjithë të tjerët”, ka shtuar ai.

Sipas tij, ftesa e presidentes Vjosa Osmani për takim me partitë me qëllim zhbllokimi, është sinjal i mirë dhe veprim i duhur.

Abdullahu ka shtuar se PDK-ja i ka takuar të gjitha partitë për të gjetur zgjidhje.