Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se LDK-ja nuk e humbi mbështetjen qytetare për shkak se u bë më pak parimore apo më pak institucionale, duke theksuar se partia ka ruajtur vlerat themeltare gjatë gjithë kohës në opozitë.
Sipas Abdixhikut, LDK-ja e ka mbajtur fjalën, nuk ka mashtruar dhe ka qëndruar konsekuente në parimet e saj politike dhe morale. Megjithatë, ai pranoi se partia nuk ka arritur t’i bindë qytetarët se këto vlera ishin zgjedhja e duhur dhe se ka dështuar në komunikimin dhe shpjegimin e mjaftueshëm të vendimeve politike.
Ai theksoi se mungesa e komunikimit dhe e shpjegimit të qartë ka ndikuar në moskuptimin e disa vendimeve të rëndësishme, përfshirë rrugët që ishin të pamundura dhe kompromiset që, sipas tij, nuk ishin të pranueshme për LDK-në.
Abdixhiku ishte i prerë se partia nuk mund të ishte pjesë e asnjë rreshtimi politik që do të përbënte një “front humbësish” kundër një fituesi të zgjedhur në mënyrë demokratike, por po ashtu nuk mund të pranonte dorëzimin përballë, siç u shpreh ai, një poshtërimi ofendues nga fituesi.
“Nuk arritëm të komunikonim mjaftueshëm. Nuk arritëm të shpjegonim mjaftueshëm pse disa vendime ishin të domosdoshme, pse disa rrugë ishin të pamundura dhe pse disa kompromise nuk ishin të pranueshme. Nuk ishte i mundshëm as një front i humbësve kundër një fituesi të zgjedhur në mënyrë demokratike, por nuk ishte i mundur as dorëzimi para poshtërimit ofendues të një fituesi”, ka thënë ai në Kuvendin e Punës, duke aluduar në kritikat se LDK-ja pësoi rënie në zgjedhjet e 28 dhjetorit pasi gjatë bllokadës institucionale nuk u bë bashkë as me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), por as nuk pranoi koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).
Sipas tij, LDK-ja ka zgjedhur të qëndrojë për veten dhe për anëtarësinë e saj, duke refuzuar rolin e palës ndihmëse për cilindo subjekt tjetër politik. Abdixhiku theksoi se kjo qasje përfaqëson identitetin politik të LDK-së dhe se kjo është ajo që partia ka qenë dhe do të mbetet edhe në të ardhmen.
Abdixhiku: Ose jemi të organizuar në çdo nivel, ose rrezikojmë të jemi të copëzuar
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar se LDK-ja ka nevojë për një organizim të fortë dhe të qëndrueshëm në të gjitha nivelet për të shmangur fragmentimin e partisë.
Ai vuri në dukje se LDK-ja ka humbur vota në zgjedhjet nacionale krahasuar me ato lokale, një dukuri që sipas tij nuk është normale dhe nuk ndodh zakonisht në Kosovë apo jashtë saj.
“Si është e mundur të fitojë bindshëm në zgjedhje lokale dhe pas pesë javëve të reduktohet kaq shumë në zgjedhje nacionale? Është faji te prijësi, te ekipi, te mesazhi apo te angazhimi i secilit veprimtar?” pyeti Abdixhiku.
Ai shtoi se, nëse problemi nuk është vetëm te udhëheqësi, atëherë sfida është më e thellë dhe lidhet me organizimin e brendshëm partiak.
“LDK-ja nuk mund të funksionojë si konfederatë interesash lokale. Nuk mund të jetë e fortë lokalisht dhe e dobët kombëtarisht. Ose jemi parti e organizuar në çdo nivel, ose rrezikojmë të jemi të fragmentuar, të copëzuar, të reduktuar”, ka thënë ai.
Abdixhiku bëri thirrje për mobilizim të vazhdueshëm dhe veprime konkrete në çdo nivel të partisë, duke theksuar se organizimi nuk duhet të ndodhë vetëm gjatë fushatave zgjedhore, por çdo ditë.
Abdixhiku: Vendimet në LDK nuk merren në studio televizive e nga zhurmaxhinjtë e kurdisur
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se thirrja e Kuvendit të Punës është akt përgjegjësie morale ndaj anëtarësisë dhe historisë së LDK-së. Ai ka sulmuar studiot televizive ku ka thënë se gjyqi publik shndërrohet në spektakël.
Abdixhiku ka thënë se vendimi për t’u ballafaquar me situatën pas zgjedhjeve ishte i tij dhe se nuk ka pritur presione apo ultimatume, duke e cilësuar ballafaqimin si aktin e parë moral në politikë. Ai nënvizoi se përgjegjësia politike nuk ndahet, por merret, dhe se ajo duhet ushtruar vetëm brenda institucioneve partiake.
Në fjalimin e tij, Abdixhiku pranoi se nata e zgjedhjeve ka qenë një nga momentet më të vështira, jo vetëm për shkak të rezultatit, por si pasqyrim i sakrificës shumëvjeçare të anëtarëve dhe mbështetësve të LDK-së. Ai theksoi se lideri i një partie si LDK-ja gjithmonë përballet me dilema mes mbylljes në vetvete dhe daljes përpara anëtarësisë për të marrë përgjegjësi pas rezultateve zhgënjyese.
Kryetari i LDK-së ishte i prerë se asnjë platformë, trup apo organizim tjetër nuk ka të drejtë të vendosë për fatin e partisë, përveç Kuvendit dhe anëtarësisë. Sipas tij, gjykimet publike, debatet televizive dhe presioni në rrjete sociale nuk mund të zëvendësojnë procesin demokratik të brendshëm.
“Përgjegjësia nuk ndahet me askënd, por merret. Kjo përgjegjësi nuk merret në studio televizive kur gjyqi publik bëhet spektakël, as përpara zhurmaxhinjve të kurdisur që shpallin vdekjen e një partie me 36 vjet e aq më pak me postime të rrjeteve sociale ku shpallim fatin tonë të LDK-së. Jemi më të mëdhenj se kaq. Trajtoni veten si të tillë. Përgjegjësia vetëm në një vend, në Kuvend të LDK-së”, ka thënë ai gjatë fjalimit.
Abdixhiku ka thënë se rezultati zgjedhor nuk është pasojë e një gabimi të vetëm apo e një vendimi të vetëm, por një proces i ngadalshëm që është ndërtuar me kalimin e kohës. Ai bëri thirrje për guxim politik dhe përballje me realitetin pa iluzione.
“Rezultati që na solli këtu nuk erdhi nga një gabim i vetë, as nga një natë e vetme e as nga një vendim i vetëm. Erdhi ngadalë, si grumbullim që rëndohet çdo ditë. Duhet të kemi guxim t’i themi disa të vërteta pa iluzione”, ka thënë ai.
Në këtë kuadër, Abdixhiku theksoi se LDK-ja është parti unike në skenën politike të Kosovës, pasi themeluesi i saj nuk jeton më, çka e ka detyruar partinë të ndërtojë lidership përmes demokracisë së brendshme. Ai vlerësoi se demokracia partiake e bën LDK-në më të vështirë për t’u udhëhequr, pasi lidershipi në këtë parti sfidohet çdo ditë dhe nuk është autoritet i pakontestueshëm.
Abdixhiku përmendi edhe vëmendjen e madhe publike ndaj Kuvendit të LDK-së, duke e cilësuar atë si dëshmi se partia mbetet institucion gjithëkombëtar, pavarësisht rezultateve zgjedhore. Ai ka thënë se lidershipi në LDK ka qenë gjithmonë objekt goditjesh, përfshirë edhe kryetarët e mëparshëm, dhe se sulmet shpesh kanë ardhur nga brenda partisë.
Abdixhikut theksoi se kritikat nuk kanë të bëjnë me të personalisht, por me pozitën e kryetarit të LDK-së, duke nënvizuar se integriteti personal dhe lidhja e tij me partinë nuk varen nga funksioni që mban. Ai bëri thirrje që energjia brenda LDK-së të përdoret për forcimin e partisë dhe jo për gërryerjen e saj nga brenda.