Arbëri

Abdixhiku: Sekti i VV-së po provon të ndërtojë një sistem të vjedhjes së votave

Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (VV, për sulme, dhe i ka quajtur histeri politike, reagimet e zyrtarëve të kësaj partie ndaj LDK-së, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), e aprovoi ankesën e saj kundër hapjes së qendrave të votimit jashtë përfaqësive diplomatike.

Në një reagim pas kritikave që LDK-ja ka marrë, kryesisht nga Lëvizja Vetëvendosje, Abdixhiku e ka akuzuar LVV-në, të cilësi i është referuar si “sekt”, së po provon që në çdo mënyrë të ndërtojë një sistem të vjedhjes së votave. 

“Paskan reaguar i madh e i vogël në sektin e Vetëvendosjes. Natyrisht me mashtrim, pa fakte, me propagandë - siç dinë vet ata. Mashtrimi u është bërë mendësi sot. E vërteta është se që nga caktimi i datës së zgjedhjeve, e deri më sot, po provohet nga Vetëvendosja në çdo mënyrë të ndërtohet një sistem i manipulimit të votave. I vjedhjes së tyre për ta thënë thjeshtë”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka thënë se votimi në vende ku nuk ka shtet, nuk ka kontroll.

“Pastaj provuan të votojnë në depo mallrash, salla dasmash e restorante; pra jashtë ambasadave e konsullatave siç e thotë ligji. Votime në vende ku nuk ka shtet, nuk ka kontroll, nuk ka monitorim. PZAP, natyrisht, siç e thotë ligji, nuk e lejoj. Dhe ja ku jemi sot: Panik. Sulme. Ulërima. Histeri politike”, ka shkruar Abdixhiku.


Sipas tij LVV-ja i ka marrë disa veprime pasi është e pakënaqur me rezultatin e zgjedhjeve lokale. 

“Një herë, provuan ta kthejnë sistemin e vjetër të votimit me email. Atë ku një militant, para televizorit, mbushte qindra e qindra fletvotime vet. Merreni me mend: në Kosovë kalojmë në dhjetëra hapa sigurie para se një fletëvotim të pranohet e të numërohet; këta, të pakënaqur nga rezultati i fundit lokal, donin t’i kthenin kohët e vjetra të votimeve e manipulimeve masive. Rastet e tilla janë ende të deponuara në hetuesi e prokurori. KQZ natyrisht nuk e lejoj. Drejtësia dhe ligji qëndruan”, ka shkruar Abdixhiku.

Sipas tij e diaspora e ka të letë të votojë. 

“E vërteta është e thjeshtë. Mërgata kurrë më të lehtë nuk e ka pasur votimin. Përveç se zgjedhjet janë në fundvit, kur secili mund të jetë në atdhe; secili bashkatdhetar që nuk vie këndej, mund të votojë në konsulatë e ambasadë të Republikës; shtetit tonë. Mund dhe të votojnë edhe me postë; secili në emrin e vet, me fletvotim jo të printuar por të pranuar nga shteti i vet. E di se do ta bëjnë. LDK po punon secilën ditë me ta. Regjistrohuni e ejani e votoni masivisht në Kosovë. Ne jemi të qetë!”, ka shkruar kreu i LDK-së. 

Tuje ai ka shkuar se “sekti i Vetëvendosjes nuk e do këtë”.

“Ata duan të manipulojnë. T’i printojnë vet fletëvotimet. T’i mbushin vet. T’i manipulojnë votat vet. Të prodhojnë rezultatin që s’e marrin dot me besimin e qytetarëve. Përse? Sepse e kanë kuptuar një të vërtetë të madhe: Mërgata nuk mashtrohet më. Mërgata nuk blihet. Mërgata po ndryshon. Mashtrimet e propagandat nuk kalojnë më! Jo më ndaj këtij vendi. Jo më në emër të mërgatës. Jo më ndaj demokracisë. Kosova po zgjohet. Mërgata po rikthehet. E paniku i tyre është shenja e parë e humbjes së që i pret”, ka shkruar Abdixhiku. 

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka pranuar si të bazuar ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës që përfaqësitë diplomatike dhe hapësirat e tyre do të jenë qendra të votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, dhe jo hapësirat e tjera alternative, duke e ndryshuar vendimin e mëparshëm.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas vendimit të PZAP-së dhe e ka akuzuar LDK-në se është kundër diasporës.