Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se LDK-ja nuk është parti që frikësohet nga anëtarësia e vet, as nga vota, as nga gara.
Sipas tij, vendimet e saj i ka marrë gjithmonë në Kuvend, mes njerëzve të vet, hapur, me debat dhe pa frikë dhe në fund, me shumicë. Këtë, sipas Abdixhikut e kanë bërë edhe në kohë shumë më të vështira se kjo.
“Kështu do të veprojmë sërish, këtë të shtunë. Këtë të shtunë mblidhemi për të diskutuar dhe për të vendosur mbi të gjitha çështjet tona, me vullnet të lirë dhe me votë të lirë, ashtu siç i takon një partie demokratike që respekton anëtarësinë e saj dhe asnjë interes tjetër veç saj. Ky është parimi ynë dhe mënyra jonë e veprimit. LDK nuk di ndryshe”, ka shkruar ai derisa ka publikuar ftesën për mbajtjen e Kuvendit të partisë.
Ka shkruar se tash është koha të flasë anëtarësia e LDK-së.
“Nga ky proces do të dalim më të fortë, më të organizuar, më funksional e më të përqendruar te e ardhmja e LDK-së dhe e Kosovës. Sot kam dërguar ftesën zyrtare për delegatët e LDK-së. Të shtunën takohemi për të vendosur drejtimin e shtëpisë sonë”, ka shkruar ai.
Të dielën, Avdullah Hoti ka bërë publike kandidaturën e tij për udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
LDK-ja ka dalë partia e tretë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit me 13.23 për qind të votave.
