Arbëri

Abdixhiku mirëpret ftesën e presidentes për takim konsultativ, insiston në qeveri tranzicioni

Lumir Abdixhiku

Lumir Abdixhiku

Foto: Driton Paçarada

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ripërsëritur se një qeveri tranzicionale, me mandat të kufizuar dhe detyra të prëbashkëta deri te zgjedhja e presidentit, është më e mira për ta zgjidhur ngërçin aktual politik. 

Ai ka thënë se këtë propozim do ta bëjë edhe në takimin konsultativ, që ka ftuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me partitë politike. 

“Javën e shkuar LDK-ja dha një zgjidhje. Ajo, deri më tani, mbetet alternativa e vetme e propozuar në skenë. Nuk është ideale, por gjithsesi mbetet e përgjegjshme dhe shtetare. Po pajtohemi që nuk ka shumicë. Po pajtohemi se jemi në krizë. Po pajtohemi se na duhen zgjedhjet eventualisht. Le të punojmë për të gjitha; por deri atëherë shtetit t’i japim një qeveri e qytetarëve adresim të menjëhershëm të problemeve të tyre. Një Qeveri Nacionale të Tranzicionit – me mandat të kufizuar, me agjendë e detyra të përbashkëta deri në zgjedhjen e Presidentit”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook. “LDK-ja mirëpret secilën mundësi në funksion të daljes nga kjo gjendje, përfshirë takimin e përbashkët të ftuar nga Presidentja. Por që një nismë të ketë sukses, duhet të paraprihet me ide të reja. Insistimi në të vjetrat, edhe në takim, nënkupton komfort dhe bllokim të mëtejmë”.

Abdixhiku ka thënë se opsioni i propozuar mbetet rrugëzgjidhja e vetme. 

Të martën do të jetë tentimi i 15-të për të konstituar legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës.