Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se 28 dhjetori, që u caktua si datë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, është datë në të cilën do të nisë një epokë e re për Kosovën.
Në një shkrim në Facebook, pasi presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin dhe caktoi datën e zgjedhjeve, Abdixhiku ka nisur fushatën duke kërkuar votën e qytetarëve.
“Më 28 dhjetor nuk nisë thjesht një garë. Nisë një epokë e re për Kosovën. Dhe këtë herë, epoka shkruhet prej nesh; prej të gjithëve neve”, ka shkruar ai.
Abdixhiku ka thënë se në zgjedhjet e ardhshme “ndryshimi ka mundësi të vërtetë”.
“Ky ndryshim është në dorën tuaj në këtë fundvit të një viti shumë të rëndë; për një fillim të ri. Kosova që duam nuk është një ëndërr e largët. Ajo është përpara nesh. Po na pret. Vitet e humbura, ngecjet, lodhjet, zhgënjimet, sot janë veçse një thirrje drejt një zgjimi të madh qytetar. Një rikujtim se ky vend është i aftë të çojë përpara më shumë sesa krizë e kaos; është i aftë të ndërtojë shtet, të hapë horizonte, të rikthejë dinjitetin që i takon”, ka shkruar ai.
Sipas tij, zgjedhjet e 28 dhjetorit s’janë thjesht për të vendosur kush udhëheq me qeverinë.
“Këto zgjedhje janë për të vendosur se kush jemi ne dhe kush duam të jemi si vend; si popull, si gjeneratë. A jemi të gatshëm të dorëzohemi para lodhjes e vet lojës; apo të ngrihemi, edhe një herë, për ta shkruar vetë të ardhmen tonë. LDK-ja hyn në këtë rrugëtim jo vetëm me programin më serioz, jo vetëm me ekipin më të përgatitur, por me një besim të palëkundur tek qytetari i Kosovës. Tek fuqia e mirësisë, tek përgjegjësia, tek aftësia për të ndërtuar diçka më të madhe se vetvetja. Prandaj ky rrugëtim nuk është vetëm i yni. Nuk është as i një partie. Ky rrugëtim është i gjithë Kosovës; qytetarëve të saj brenda e në mërgatë”, ka thënë tutje ai.
Deputetët një ditë më parë votuan kundër formimit të Qeverisë Konjufca, duke rrëzuar poshtë mandatarin e dytë. Si rrjedhojë, Kosova ka ngelur me qeveri në detyrë edhe pse zgjedhjet e shkuara u mbajtën më 9 shkurt.
Lëvizja Vetëvendosje pati dalë e para me 42.30 për qind të votave, e pasuar nga PDK-ja me 20.95, LDK-ja me 18.27 dhe AAK-Nisma me 7.8 për qind të votave.
LDK-ja e Abdixhikut pati refuzuar kërkesën e VV-së për bashkëqeverisje.